Libri “El Haraxh” i imam Ebu Jusufit

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Vepra “El- haraxh” e kolosit të madh Islam, juristit dhe gjykatësit të gjykatësve Ebu Jusfit, është nga veprat e para të shkruara në jurisprudencën islame.

Gjithsesi kjo vepër konsiderohet edhe fundamenti kryesor për rregullimin e politikave ekonomike në shtetin islam. Kjo vepër është shkruar nga Ebu Jusuf Jakub Ibrahim El Ensarij El Kufij (i cili ka vdekur vitin 182 sipas hixhretit), me kërkesën e njërit prej Halifëve të drejtë abasit Huarun Er-reshidit, i cili me udhëheqjen e tij ka lënë gjurmë të thella në historinë e formimit, zhvillimit dhe përforcimit të shtetit islam si dhe në zgjerimin e islamit në të gjitha sferat e zhvillimit.

Kush ishte Harun Er-reshidi?

Harunu Rashidi ishte Ebu Xhafer Harun ibn Muhamed el Mehdijibn Ebi Xhafer El Mensur ibn Muhamed ibn Alij ibn Abdullah ibn Abas El Hashimij El Kureshij. Kalindur në vitin 149 H – 766 M në qytetin Err-rrej kurse ka vdekur vitin 193 H – 809 M në qyteti Tus, që sot gjendet në territorin e Iranit. Harunu Er-reshidi ishte halifi i pesë i dinastisë abasite. Haruni në pushtet erdhi në moshën njëzet vjeçare, por si njeri i arsimuar, i kulturuar dhe i ngritur dhe vizionar për udhëheqjen e shtetit i cili në atë kohë nuk ishte aspak i qetë me lëvizje të brendshme dhe me marrëdhënie ndërkombëtare mjaft të brishta, elemente këto që kërkojnë urtësi, dituri, trimëri dhe dituri për të siguruar drejtësinë dhe sigurinë e funksionimit të shtetit. Për këtë arsye, Haruni si dashamirë i dijes dhe drejtësisë me karizmin e tij, për të siguruar funksionimin dhe zhvillimin e shtetit, rreth veti kishte mbledhur dijetarët më të mirë të kohës nga profilet e ndryshme, duke filluar nga juristët islam (fukahat), mjekë, fizikantë, kimistë, poet, inxhiner dhe shumë e shumë profile tjera.

Si rezultat i konsultimit të tij të përhershëm me ekspertët e fushës përkatëse, me dijetarët, Haruni në Bagdad kishte ndërtuar një bibliotekë të madhe të cilën e kishte quajtur “Bejtul Hikme- shtëpia e urtësisë” e cila vazhdimisht vizitohej nga dijetarët e kohës. Në kompleksin e kësaj biblioteke kishte ndërtuar salla të veçanta për ligjërime, salla të veçanta për përkthime debate dhe konsultime. Nga kjo shtëpi e urtësisë ishin nxitur shumë përparime shkencore e teknologjike, si p.sh. në vitin 796 M në Bagdad kishte ndërtuar fabrikën e parë për prodhimin e letrës. Në zhvillimin e infrastrukturës Haruni në bashkëpunim me dijetarët që atëherë kishte bërë sistemin e ndriçimit të rrugëve dhe xhamive gjatë natës. Në zhvillimin e infrastrukturës bujqësore Haruni kishte hartuar një sistem për ndërtimin e urave mbi lumenj dhe hapjen e kanaleve për ujitjen e tokës pjellore, etj. Poashtu në Bagdad kishte ndërtuar një spital të madh i cili quhej “Spitali i Reshidit” ku vepronin dhe punonin mjekët më me renome jo vetëm të Bagdadit por edhe të viseve tjera. Me këto veprime dhe zhvillime dhe shumë e shumë tjera Haruni Bagdadin e shndërroi në një qendër të zhvillimit infrastrukturor modern, shkencor dhe kulturor, e kjo ndikoi në grumbullimin e shumë studentëve dhe studiuesve dhe dijetarëve nga vendet e ndryshme të kohës.

Haruni përveç tjerash ishte edhe shumë i drejtë dhe modest, tërë jetën ia kushtoi zhvillimit të islamit dhe të myslimanëve, ruajtjen e drejtësisë dhe evitimin e padrejtësisë. Ishte i devotshëm, e për këtë dëshmon se në jetën e tij për çdo ditë falte nga njëqindë rekate namaz nafile, kurse për ditë dhe jepte sadeka nga njëmijë dinar. Kjo ishte nj pasqyrë shumë e shkurtë e Harunu Er-rashidit.

Por kush ishte imam Ebu Jusufi?

Imam Ebu Jusuf Jakub Ibrahim El Ensarij El Kufij El Bagdadi i njohur me nofkën Ebu Jusuf. Ka lindur vitin 93 H kurse ka vdekur vitin 182H. Imam Ebu Jusufi fillimisht kishte studiuar shkencën e hadithit dhe njihej si dijetar i hadithit. Kishte marrë dituri te shumë dijetarë të kohës, por aj që dihet botërisht se Ebu Jusufi ka qenë nxënësi më i shquar i imam Ebu Hanifes të cilin e shoqëroi për plotë 29 vite me radhë. Kishte memroi shumë të fuqishme, kishte aftësi t’i mësonte pesëdhjetë, gjashtëdhjetë hadithe përmendës me një të dëgjuar e më pas t’i tregonte të gjitha. Prandaj, jo rastësisht Imam Ebu Jusufi konsiderohet si njeriu i dytë në hierarkinë e medhhebit hanefij pas mësuesit të tij Ebu Hanife. Ebu Jusfi ishte muxhtehid i përgjithshëm (mutlak), por për të ruajtur respektin dhe unitetin ndaj mësuesit të tij Ebu Hanifes, nuk kishte themeluar as formuar medhheb në vete.

Imam Ebu Jusufi, si jurist islam (Fekih) i dalluar në kohën e tij, ka lënë gjurmë të thella dhe të pa shlyera në zhvillimin e shkencave juridike islame. Imam Ebu Jusufi ishte dijetari i parë i cili shkroi vepër në shkencën e “Usuli Fikhut – bazat e jurisprudencës islame”. Ai ishte juristi i parë i cili ushtroi postin e gjykatësit dhe u emërua si “Gjykatësi i gjykatësve” në kohën e Harunu Er-rashidit. Ishte shumë i drejtë dhe pa kompromis në çështjet e drejtësisë, saqë ka pasur  rast kur ka gjykuar edhe kundër Halifit në një seancë gjyqësore kur ishte paditur nga një krishtera. Atij nuk i lente përshtypje asgjë më shumë se sa drejtësia gjatë gjykimit. Imam Ebu Jusufi ka vdekur vitin në vitin 182 Hixhrije, pas  veti ka lënë disa vepra, e nga veprat më të shquara që kanë arritur deri më sot brez pas brezi është vepra e tij e shumë e njohur për të cilën ne kemi fjalën sot, e që është “El Haraxh”.

Çka shtjellohet në librin “El haraxh”?

Me ardhjen në pushtet të halifes Harunu Er-reshid i cili përveç tjerash brengë të jetës së tij kishte edhe zhvillimin ekonomik të shtetit Islam mbi bazat jurisprudencës islame, me qëllim të realizimit të një sistemi funksional juridik islam i cili do të garantojë drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët dhe të ndërpresë keqpërdorimet dhe padrejtësitë në shtetin islam. Për realizimin e këtij projekti siç e kishte traditë Haruni, duke pasur besim të madh te dituria dhe drejtësia e Imam Ebu Jusufit gjykatësit suprem të shtetit islam, kishte vendosur që t’i bëjë një shkresë zyrtare atij dhe t’i kërkojë që të hartojë një libër, platformë juridike islame që mundëson zhvillimin e sistemit ekonomik dhe ndërton politika tatimore të drejta në shtetit islam mbi bazën e drejtësisë islame. Qëllimi i Harun al-Rashid me kërkesën e tij ishte që të ngrite standardin e jetesës dhe të kushteve ekonomike, të vendoste metodat e sakta të taksimit sipas Sheriatit dhe të vendoste themelet dhe detyrat me të cilat sundimtarët ishin të detyruar, në mënyrë që të mos i godiste asnjë padrejtësi apo dëm njerëzit nga mesi i tyre.

Imam Ebu Jusufi, duke marrë parasysh autoritetin e Halifes, sinqeritetin e tij dhe dëshirën e tij për zhvillim të gjithanshëm të shtetit islam, nuk ngurroi por, menjëherë ju qas punës dhe për plotësimin e kërkesës së tij si domosdoshmëri kohore, shkroi veprën “El Haraxh”.

Libri “El Haraxh” paraqet një formë dhe metodologji të re për myslimanët, sepse për herë të parë në historinë e islamit përgatitet një vepër në të cilën trajtohen dhe shpjegohen mënyrat e menaxhimit të burimeve financiare në shtetin islam, me theks të veçantë taksat dhe tarifat që shteti ka të drejtë ti mbledhë, e më pas t’i rikthejë te populli përmes investzimeve. Libri trajton edhe disa çështje administrative që lidhen me mënyrën e emërimit të punonjësve tatimor dhe përgjegjësit në vilajete të ndryshme të shtetit islam të cilët ndodhte që nga neglizhenca dhe papërgjegjësia të bënin edhe padrejtësi ndaj popullatës. Libri poashtu trajton edhe disa çështje ligjore nga kodi penal ku shpjegon edhe masën e përgjegjësisë dhe shqiptimin e sanksioneve ndaj nëpunësve të korruptuar apo që keqpërdorin pasurinë e shtetit. Shpjegon edhe edukatën morale dhe ligjore se si duhet të sillet udhëheqësi ndaj atyre që nuk janë mysliman e që jetojnë në shtetin islam. Libri shpjegon edhe çështje tjera për të cilat shteti dhe Halifja kishte shumë nevojë për to.

Prandaj, nuk ka dilemë se ky libër i Imam Ebu Jusufit ndihmoi në vendosjen e rregullave të sistemit financiar në shtetin islam, por jo vetëm kaq ky libër është nga librat më të rëndësishëm që përmban ngjarje dhe fakte të rëndësishme historike që lidhen me gjendjen financiare dhe sociale në historinë e Islamit.

Ajo që bie në sy, që në fillimin e leximit të këtij libri, respektivisht në pjesën e parë që Ebu Jusufi e quan “Mukadime- parathënie”, është fakti se autori komunikon me udhëheqësin e tij, në nivelin më të lartë të edukatës islame, duke respektuar udhëheqësin me tërë respektin që e meriton, duke iu lutur Allahut fuqiplotë që halifes t’i japë jetë të gjatë, shëndet të mirë sundim të drejtë dhe duke i përkujtuar edhe për përgjegjësinë që mbanë para popullit por më e rëndësishmja para Allahut xh.sh.. E përkujton me udhëheqjen e drejtë të Hulefai rashidinëve, të Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Alijut radiallahu anhum se si kanë vepruar. Ajo që është shumë e rëndësishme është se komunikimi i imamit me Halifen e tij nuk paraqet asnjë shkëndi nënshtrimi apo servilizmi ndaj tij, por me fanatizëm dhe mburrje ruan performancën dhe autoritetin e dijetarit islam, sepse forma e komunikimit me Halifen nuk ishte formë komunikimi dijetar halife, por në formën dijetar nxënës. Këtë e vërteton vetë fakti kur imami i shkruan Halifes duke i thënë: “Të kam shkruar atë që jam urdhëruar me të dhe ta kam shpjeguar me argumente. Kuptoje mirë dhe praktikoje, përsërite leximin disa herë derisa ta mësosh përmendësh”.

Sa i përket strukturës së librit, ai përbëhet prej tridhjetë e nëntë (39) kapitujve, kryesisht që kanë të bëjnë me politikën financiare të shtetit dhe mënyrën e menaxhimit të saj. Trajton plaçkën e luftës, taksat dhe tatimet tjera, zukatin si dhe për mënyrën e ndarjes së tyre. Flet për mënyrën e pagesës së mjeteve të jetesës, pagesën e nëpunësve, guvernatorëve etj.

Metodologjinë e shkrimit të këtij libri imam Ebu Jusufi përdorë metodologjinë që secilin kapitull e hapë fillimisht duke shkruar pyetjen e Halifes, e pastaj fillon me përgjigjen e saj. Çdo përgjigje e argumenton thuktë me argumente të shoqëruara nga Kur’ani apo suneti ose nga burimet tjera të sheriatit islam.  Ai përmend edhe mendimet e shkollave tjera të ndryshme dhe argumentet e tyre, e në fund sqaron qëndrimin e tij, duke e lënë të lirë Halifen se cilin qëndrim ta zbatojë.

Imam Ebu Jusufi përmes kësaj vepre sugjeron dhe kërkon nga Halifja që së paku njëherë në muaj ose në dy muaj të shqyrtojë ankesat e shtetasve të tij, e të ulet me njerëzit për të dëgjuar hallet e tyre. Të dëgjojë të shtypurit dhe denoncimet e tyre mbi të shtypurit. Kjo i siguron atij që pushtetarët tjerë në hierarkinë e tij të ndalojnë shtypjet dhe padrejtësitë  ndaj qytetarëve. Ebu Jusufi e nxiti Harunin që ai drejtpërdrejtë t’u përgjigjet kërkesave të fermerëve dhe taksapaguesve për çdo gjë që është në interesin e tyre.

Libri “El haraxh” ka një rëndësi të madhe ekonomike që nuk mund të nënvlerësohet as në kohën bashkëkohore. Imam Ebu Jusufi paraqiti rregullat parësore të sistemit tatimor që duhet të ndiqen në jurisprudencën islame, e ato principe mund të përmblidhen si vijon:

  1. Përqindja e tatimit duhet të jetë sipas kapacitetit të taksapaguesve dhe të jetë e lehtë për t’u paguar nga të ardhurat e tyre. Vlerëso kështu sepse normat e reduktuara sigurojnë prosperitet, rritje, zhvillim dhe urbanizim të vendit.
  2. Normat e taksave me të cilat obligohen qytetarët të përcaktohen nga pushteti qendror – Kalifati në mënyrë që pushtetarët lokal dhe taksambledhësit nuk kanë të drejtë të bëjnë asnjë ndryshim në rritje apo uljen e tyre.
  3. Taksat duhet të mblidhen me dashamirësi dhe butësi, pa agresivitet dhe arrogancë, kurse investimet dhe  subvencionet të bëhen me kohë që të mos dëmtohen rendimentet në fshatra, që fermerët të mos humbasin dhe të mos dëmtohen prodhimet  e tyre bujqësore.
  4. Halifja obligohet personalisht që të garantojë  mbledhjen e taksës në mënyrë të butë duke marrë masat e nevojshme për të siguruar këtë çështje.
  5. Halifja duhet të përkujdeset që për mbledhjen e taksave të sigurohen taksambledhës të drejtë dhe të besueshëm që e njohin sistemin e sheriatit dhe dispozitat e tij.  Këtyre u sigurohen paga të mira që të mos joshen me pasurinë shoqërore, por ata gjithnjë mbahen nën mbikëqyrje të rreptë.

Pra nga tërë kjo nënkuptohet se Imam Ebu Jusufi përmes librit të tij “El haraxh” themeloi një sistem gjithëpërfshirës të taksave që përputhen me dispozitat e jurisprudencës islame. Sistem ky i cili ndërtohet mbi bazën e besimit të sinqertë, etikës islame dhe shkathtësive profesionale, që mendoj se ky sistem i bazuar në këto vlera i mungon edhe sot e kësaj dite botës bashkëkohore.

Shkrime të ngjashme