Mbrojtja legjitime (Vetëmbrojtja):

Shkruan: Jusuf ZIMERI

      Mbrojtje legjitime (vetëmbrojtja) sipas juristëve Islam konsiderohet: mbrojtja me fuqi nga armiqësia e padrejtë ndaj tij ose pasurisë tij, apo armiqësia ndaj tjetrit dhe pasurisë së tij.[1]

Argument për ligjësimin e mbrojtjes legjitime (vetëmbrojtjes) kemi ajetin kur’anor ku All-llahu (Xhel-le xhelaluhu) thotë: “Pra, kush ju sulmon juve, ktheni sulmin atij edhe ju po në atë masë“[2]

Gjithashtu në kontekst të përforcimit dhe sqarimit të këtij argumenti, kemi edhe hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në të cilin ka thënë:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ جَاءَ رَجُلٌ إِلَى رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ يَا رَسُولَ اللَّهِ أَرَأَيْتَ إِنْ جَاءَ رَجُلٌ يُرِيدُ أَخْذَ مَالِي قَالَ فَلَا تُعْطِهِ مَالَكَ قَالَ أَرَأَيْتَ إِنْ قَاتَلَنِي قَالَ قَاتِلْهُ قَالَ أَرَأَيْتَ إِنْ قَتَلَنِي قَالَ فَأَنْتَ شَهِيدٌ قَالَ أَرَأَيْتَ إِنْ قَتَلْتُهُ قَالَ هُوَ فِي النَّارِ

     “Transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: erdhi një njeri te i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe i tha: O i Dërguari i All-llahut, çka mendon nëse vjen një njeri dhe dëshiron t’ma merr pasurinë time? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Mos ia jep. Por çka mendon nëse më lufton (sulmon)? Luftoje (Sulmoje) ti atë, (tha Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Po nëse më mbytë mua? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Ti je dëshmorë. Po nëse unë e mbys atë? Ai është në zjarr, tha Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme[3]

Që vetëmbrojtja të jetë legjitime patjetër duhet plotësuar këto tre kushte që janë:

 1.1     Ekzistimi i armiqësisë që konsiderohet veprim penal.

      Juristët Islamë kur diskutuan rreth legjitimitetit të vetëmbrojtjes, shtjelluan edhe çështjen se, për vetëmbrojtje sulmuesi a duhet të jetë përgjegjës për veprimin e tij apo jo. Sipas juristëve Imam Malikut, Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit për vetëmbrojtje nuk kushtëzohet që sulmuesi të jetë përgjegjës për veprën e tij, e nga kjo nënkuptohet se nëse sulmuesi është para moshës madhore, apo i sëmurë psikik ose i dehur nën ndikim të alkoolit, vetëmbrojtja është e lejuar dhe është legjitime. Me mendimin e këtyre dijetarëve pajtohen edhe shumica e juristëve tjerë, kurse sipas mendimit të imam Ebu Hanifes që vetëmbrojtja të jetë e arsyetuar ligjërisht dhe legjitime, kushtëzohet e kundërta e mendimit të parë që do të thotë që sulmuesi të bartë përgjegjësi për veprën e tij. Gjithashtu duhet potencuar faktin që, vetëmbrojtja të jetë legjitime, armiqësia e shpallur duhet të jetë serioze dhe reale, e jo vetëm kërcënim apo tallje.

     1.2. Armiqësia të jetë prezent në momentin e kryerjes së veprës.

      Që vetëmbrojtja të jetë legjitime dhe juridikisht e arsyetuar, patjetër kushtëzohet që armiqësia të jetë e demonstruar në momentin e kryerjes së aktit të vetëmbrojtjes, sepse nuk mund të konsiderohet vetëmbrojtje nëse kërcënimi është për në të ardhmen. Nga kjo nënkuptohet se nëse kërcënimi është për në të ardhme subjekti i kërcënuar ka afat dhe kohë të mjaftuar që armiqësinë e shprehur ndaj tij ta mënjanojë përmes informimit të organeve kompetente për këtë veprim apo formave tjera.

      1.3. Mbrojtja të jetë e patjetërsueshme.

      Që vetëmbrojtja të jetë legjitime dhe juridikisht e arsyetuar, kushtëzohet që të mos ketë alternativë tjetër, pra ajo duhet të jetë e vetmja rrugëdalje për vetëmbrojtësin dhe atë në këto raste:

–      Që fuqia e përdorur nga vetëmbrojtësi të jetë i vetmi mjet që mund ta mbrojë nga armiqësia dhe rreziku. Nga kjo nënkuptohet se nëse vetëmbrojtësi ka mundësi që rrezikut ti ikë me ndonjë mjet (mënyrë) tjetër si p.sh. të lajmërojë organet kompetente, atëherë nuk ka të drejtë të përdorë fuqinë.

–      Që fuqia e përdorur të jetë në atë masë sa mund ta shpëtojë nga rreziku dhe armiqësia, sepse nuk lejohet që me fuqinë vetëmbrojtëse të tejkalohen kufijtë. Ajo që mund të evitohet me pakicë, nuk lejohet të përdoret me shumicë, p.sh. Nëse ekziston mundësia e mbrojtjes vetëm me kërcënim, nuk lejohet të përdoret dhuna fizike, apo nëse mbrojtja mund të jetë me shkop të vogël nuk lejohet përdorimi i shkopit të madh, ose nëse vetëmbrojtja mund të realizohet vetëm me lëndim të ndonjë gjymtyre të trupit, nuk lejohet edhe mbytja e sulmuesit. Në këtë kontekst, juristi i njohur Islam Alaudin El Kasani thotë: Nuk është qëllimi që njeriu të shkaktoj gjakderdhjen e sulmuesit vetëm në bazë të qëllimit të tij të thjeshtë, por duhet shikuar sulmuesin, nëse ekziston mundësia e evitimit të rrezikut pa e vrarë sulmuesin, atëherë nuk lejohet vrasje e tij, e nëse nuk mundet të evitoj rrezikun e jetës së tij vetëm me vrasje, atëherë lejohet mbytja e tij, sepse është vetëmbrojtje e patjetërsueshme.[4]

Armiqësia duhet të jetë tentativë e vazhdueshme sepse nëse sulmuesi i bie një shuplakë dikujt dhe ikë, vetëmbrojtja nuk është obligative dhe nuk ka të drejtë ta vrasë  atë në ikje. Juristët islam janë dakord mes veti se vepra e kryer në vetëmbrojtje që plotëson kushtet dhe kriteret e vetëmbrojtjes, nuk konsiderohet vepër penale dhe se vetëmbrojtësi lirohet nga përgjegjësia e plotë dhe nuk i nënshtrohet sanksionit të paraparë për atë veprim penal.



[1] Abdulkader Auvde- Eteshriul xhinaij el Islamij mukarenen bikanunil vadij 1/473 – Dr, Abud Es-serr-rraxhi- Eteshriul xhezaij elmukaren fil fikhil islamij vel kanunil surij 1/ 237.

[2] El Bekare : 194

[3] Imam Buhariu

[4] Dr. Eserraxhi Abud / Eteshriul xhezaij Elmukaren 1/242-245 Damask 1981 – El Kasani / Bedaiu Sanaiu 7/93.

Shkrime të ngjashme