Kundër fetishizimit të demokracisë

Shkruan: Sead Zimeri

Demokracia: një fetish i vërtetë. Sot të gjithë jemi për demokraci. Bile edhe armiqtë më të përbetuar të saj po vetëshpallen demokratë. Konsensusi demokratik është bërë emblemë hegjemonike në nivel global. Askush nuk është kundër demokracisë. Përderisa kapitalizmi po tërheq kritika nga më të ndryshmet, demokracia është shndërruar në tabu të vërtetë. Nocioni demokraci funksionon si Master-Shënjuesi në jetën politike dhe shoqërore. Master-Shënjuesi është një shënjues pa përmbajtje: përmbajtjen e fiton vetëm a posteriori, si rezultat i fërkimeve joideologjike, por atyre administrative. Ai që siguron më shumë numra, ai udhëheq. Me një fjalë, demokracia është fytyra politike e kapitalizmit.

Por, ndoshta kjo nuk është e vërteta e tërë. Kuptimësimi i “tiranisë së numrave” (Badiou) varet prej hegjemonisë ideologjike homogjenizuese në nivel të (jo)politikës si administrim i marrëdhënieve shoqërore. Në mungesë të një ideologjie të tillë, garat për arritjen e numrit më të madh për të siguruar pushtetin, do të ishin pikërisht ashtu edhe siç duhet të jenë: një zhvleftësim i zhveshur ideologjikisht i arsyes. Roli i demokracisë është të mbulojë pikërisht zhvleftësimin e arsyes që i bëhet në tiraninë e numrit. Numri në vetvete nuk ka rëndësi – jashtë konstelacioneve ideologjike ai është dhe mbetet vetëm numër. Por, në demokraci numri ka rëndësi primare: çdo gjë vendoset përmes dhe nga numri. Vetë fati i një populli vendoset në numër. Gjykimet e arsyes, proceset mendore që e shquajnë njeriun prej llojeve të tjera, janë eksternalizuar në faktorë të jashtëm. Nuk është subjekti politik ai që sjell gjykime për jetën e tij, por është numri ai që gjykon. Ky gjykim, është herë i qëlluar, e herë jo, por përherë arbitrar dhe si i tillë ai përjashton çdo koncepcion të së Vërtetës dhe subjektit që dëshmon besnikëri ndaj të Vërtetës. Edhe atëherë kur është i qëlluar dhe kur rezultatet shënojnë ngritje dhe përmirësim kualitativ të kushteve të jetës, demokracia edhe atëherë mbetet qenësisht arbitrare, forma më e kulluar e jomendimit. Kjo do të thotë se në demokraci, sidomos atë parlamentare, ekziston një reduktim total i arsyes në kapricie dhe interesa të klasës sunduese.

Kjo është tepër e paarsyeshme, shton me një cinizëm të papërmbajtur demokrati: a nuk funksionojnë njësoj sistemet tjera politike, sidomos ato despotike dhe totalitare? Përgjigjja është e qartë: edhe ato funksionojnë njësoj. Reduktimi i kompetencës gjykuese të shumicës dërmuese të popullatës reduktohet në zero. Por, ka një dallim qenësor këtu: përderisa në sistemet tjera një reduktim i tillë është i imponuar me dhunë, pra është i jashtëm, në sistemin demokratik reduktimi transformohet në vetëreduktim, pra është subjektiv. Mposhtja e arsyes është vetëmposhtje, prandaj edhe është totale. Përderisa sistemet tjera përmes dhunës që ushtrojnë mbi individin krijojnë mundësinë e rezistencës, subverzionit politik të sistemit, pra krijojnë kushtet për hapjen e një sekuence të re të politikës emancipuese, demokracia pothuajse  apriori parandalon një ngritje të tillë të arsyes. Vetëm kur gjërat shkojnë përfundimisht keq, vetëm atëherë kur praktikisht dëshmohet impotenca e demokracisë në zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga indi i saj ekonomik jashtë çdo kontrolli popullor, një çarje e tillë autentike ndoshta bëhet e mundur. Çdo pakënaqësi shoqërore dhe politike duhet të kanalizohet përmes mekanizmave demokratikë. Sepse përmes demokracisë popullit i jepet e vetmja shans që jep demokracia: pranimi i vullnetshëm i nënshtrimit ndaj pushtetit demokratik. Ky vetënënshtrim është njëkohësisht edhe vetëmashtrim i kulluar, sepse pikërisht ajo që e legjitimon demokracinë si sistemi më i mirë politik që ekziston, është ideja e zgjedhjes së lirë të sunduesit. Kush mund t’ia kontestojë individit të drejtën për ta zgjedhur kë të dojë dhe si të dojë si sundues të vetin? Vetëskllavërimi nuk ka fund në demokraci.

Ky vetëskllavërim i arsyetuar me nocionin më sublim që ekziston – lirinë – ka bërë të mundshme përhapjen dhe sundimin hegjemonik të kapitalizmit. Alain Badiou ka të drejtë kur thotë se sot armiku nuk është kapitalizmi, por demokracia – apo më saktësisht parlamentarizmi. Demokracia është armiku i vërtetë, sepse vetëm përmes demokracisë si mbulojë e eksploatimit kapitalist, si dhe i karakterit klasor të shoqërisë kapitaliste – në sistemet e tjera ku një mbulesë e tillë nuk ekziston, eksploatimi është i zhveshur dhe brutal – kapitalizmi është në gjendje të sigurojë hegjemoninë e pakontestueshme globale të tij. Përmes mekanizmave të saj, demokracia përjashton politizimin e problemeve akute shoqërore, si për shembull problemin e pabarazisë, dhe e trajton atë si çështje administrative, pikërisht, sepse nuk toleron krijimin e subjektit politik që do të merrte në pyetje fetishin demokratik.

Iluzioni që duhet thyer, e që është një iluzion tragjik, sepse ka depërtuar edhe në qarqet më radikale të majta, është se mund të jesh antikapitalist pa qenë njëkohësisht edhe antidemokrat. Thënë ndryshe: forma që antikapitalizmi duhet të marrë është forma demokratike. Nëse ky është horizonti i vetëm për të luftuar simptomat dhe të këqijat që kapitalizmi domosdoshmërisht i prodhon, atëherë pse kapitalizmi po ngadhënjen mbi demokracinë? Pse demokracia askund nuk po shënon asnjë fitore mbi kapitalizmin? Nëse shtetet që merren si shembulli më i përsosur i demokracisë, nuk janë në gjendje të ndalin hovin marramendës të shtrirjes deterritorizueze të kapitalizmit, dhe rrjedhimisht thellimin e dallimeve klasore në nivel global, si mund të ekzistojë një hapësirë tjetër demokratike që është në gjendje të mbajë nën kontroll shfrenimin kapitalist? Dështimi spektakular i demokracisë në vendet më demokratike në botë për të mbajtur nën kontroll spekulimet financiare të kapitalizmit që po na shpijnë drejt një humnere të paparë përgjatë historisë, duhet të jetë ‘ushqim për mendim’. Nëse diçka meriton të quhet iluzion, atëherë ai është iluzioni demokratik. Demokracia është në shërbim të kapitalizmit, dhe jo e kundërta. Demokracia i shërben kapitalit si skllavi zotërisë së tij. Nuk mundet të jetë ndryshe përderisa të dyja bazohen në numra dhe raporti mes dyjave është si raporti i esencës me aparencën. Demokracia, duke parafrazuar filozofin Slavoj Zizek, është forma në të cilën lidhja (shtojca) jonë merr ndaj Kapitalit, mënyra se si organizojmë parimin tonë të kënaqjes. Ajo që pengon kërkimin për alternativa tjera është pikërisht investimi ynë libidinal në paprekshmërinë e demokracisë. Kapitalizmi akoma ka nevojë për demokracinë, ndonëse vendet si Kina e Singapori po hapin forma tjera të legjitimimit të kapitalizmit, sepse ai ka nevojë inherente për të tërhequr vëmendjen prej eksploatimit në atë të veteksplolatimit. Kapitalizmi ka nevojë për demokraci, sepse demokracia është sistemi më efikas që i mbulon simptomat dhe të këqijat e saj. Iluzioni demokratik konsiston në pranimin e mekanizmave demokratik si mjeti i vetëm legjitim për të efektuar ndryshime shoqërore, por që në fakt, ajo esencialisht e pengon një transformim të vërtetë të marrëdhënieve kapitaliste (Zizek). Prandaj, raporti mes dyjave duhet të përmbyset: nuk ka nevojë të kërkojmë që demokracia ta shoqërojë kapitalin, në kuptim të mbikëqyrjes demokratike të marrëdhënieve të prodhimit dhe punës. Siç është dëshmuar shumë herë, kjo është thjesht e pamundur: demokracia është mekanizëm kapitalist. Barra që duhet ta marrim përsipër është problematizimi kritik i  (nocionit dhe konceptit të) demokracisë dhe thyerjen e iluzionit se demokracia është sistemi më i mirë politik që ekziston.

Shkrime të ngjashme