Shkruan: Jusuf ZIMERI
Mëkatet
Njeri nuk është qenie e përsosur, por ai gjithnjë ballafaqohet me plotë sfida peripeci, mëkate dhe mundësi për të mëkatuar. Mëkati në esencë është i vjetër sa edhe vetë njeriu, e ka shoqëruar njeriun që nga krijimi i tij e deri në vdekje, prandaj është e pamundur që njeriu të mos gabojë, e nëse nuk do të gabonte ai do të ishte përsosur, por ja që përsosmëria i takon vetëm All-llahut të Madhëruar. Njeriu është qenie e dobët, e këtë e vërteton vetë Krijuesi i njeriut kur thotë: “Njeriu është i krijuar si qenie e dobët”[1]. Ai është një krijesë që në natyrshmërinë e tij ka gabimin, prandaj nuk është njerëzore të mos gabohet, përkundrazi të gabohet është njerëzore, por ajo që nuk është njerëzore është të vazhdohet në gabim. Prandaj në hadithin e transmetuar nga Enes Ibni Maliki [Radiall-llahu anhu] Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë: “Secili nga bijtë e Ademit është gabimtar, e më të mirët prej gabimtarëve janë, ata që pendohet”[2].
Nuk ka dilemë se mëkatet e njeriut lënë pasoja të këqija si te individi ashtu edhe te shoqëria në përgjithësi. Ato reflektojnë negativitet në qenien njerëzore dhe mund të jenë si shkak për ndërprerjen, respektivisht pakësimin e mëshirës së All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] ndaj qenies njeri. Vazhdimësia dhe këmbëngulësia në mëkate është argument se njeriu gjithnjë është më i vrazhdët dhe më larg qetësisë dhe rehatisë shpirtërore. Këmbëngulësia në mëkat është rrugë djallëzore dhe metodologji satanike, me të cilën Iblisi fitoi hidhërimin dhe mallkimin e All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu]. Këmbëngulësia dhe vazhdimësia në mëkat mund të jetë motiv për sanksionim në jetën e kësaj bote siç ndodhi me shumë popuj në historinë e njerëzimit, si dhe motiv për hyrje në xhehenem në jetën e botës tjetër.
Në realitet mëkatet lënë gjurmë të thella në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër. Ato ndikojnë në trupin e njeriut, në zemrën e tij dhe në aspektin mendor dhe psikologjik. Ato lëngojnë trupin e njeriut, ngurtësojnë zemrën e tij dhe dëmtojnë mendjen e njeriut.
Mirëpo, para se të mësojmë se si mund të çlirohemi dhe ti shlyejmë mëkatet, fillimisht të përkufizojmë çka konsiderohet mëkat.
Përkufizimi i Mëkatit
Mëkati (ar. edh-dhenbu sh. dhunub) në Kur’anin famëlartë përmendet 39 herë në 27 sure të Kur’ani kerimit. Shprehja “edh-dhenbu” në aspektin gjuhësor do të thotë: mëkat, ndjekje, i bëhet bisht dikujt, (Tomçini, 2009) faj, shkelje, ose kryerje e një vepre të paligjshme. Prandaj, dijetarët islam mëkatin e përkufizuan duke thënë: Mëkati është: Kundërshtimi i urdhrave të All-llahut Fuqiplotë që janë transmetuar përmes teksteve autentike pavarësisht se kanë të bëjnë me mosveprimin e obligimeve apo me veprimin e ndalimeve. Në një përkufizim tjetër thuhet: Mëkat konsiderohet çdo veprim që është në kundërshtim me ligjin e All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] e që për të pason sanksion, pavarësisht se ai sanksion do të ekzekutohet në jetën e kësaj apo botës tjetër. Sipas juristëve islam që vepra të konsiderohet mëkat, kushtëzohet që vepruesi të jetë psikikisht i shëndoshë dhe të jetë moshërritur,
Nga ky përkufizim nënkuptohet se mëkat konsiderohet çdo dalje jashtë kufijve të urdhrit të All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] qofshin ato urdhra për veprim siç është mos falja e namazit, mos kryerja e agjërimit etj, apo urdhra për ndalim, siç është prostitucioni, alkooli, bartja e fjalëve të huaja etj. Pra, mëkati në këtë formë paraqet shkeljen dhe daljen nga nënshtrueshmëria e All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] dhe të Dërguarit të tij. Dalja dhe veprimtaria jashtë kornizave të islamit, jashtë parimeve të përgjithshme islame konsiderohet mëkat për të cilin njeriu bartë përgjegjësi për të.
Ajo që është shumë e rëndësishme për ne të dimë, është se një mëkat shpien në mëkat tjetër nëse nuk merren masa preventive për shlyerjen e tij. Mëkati i vogël shpien në mëkat të madh kurse mëkati i madh shpien drejt kufrit (pabesimit), prandaj edhe thuhet: Veprimi i par i Iblisit ishte mëkat e fundi i tij ishte në kufr (mosbesim). Kjo na jep të kuptojmë se menjëherë pas gabimit besimtari islam duhet të pranojë gabimin e jo ta arsyetojë atë, dhe menjëherë të marrë masa për shlyerjen e tij.
Nënvlerësimi i mëkateve
Nënvlerësimi apo neglizhimi i mëkateve është nga format më të rrezikshme që sjellë pasoja të mëdha për njeriun si individ dhe për mbarë shoqërinë njerëzore. Besimtari islam frikohet nga grumbullimi i mëkateve edhe nëse ato janë të vogla, sepse grumbullimi i tyre rëndon në besimin e tyre në jetën e kësaj bote e gjithashtu rëndon edhe në peshoren e tij ditën e gjykimit. Ai është i bindur se çdo kush bartë përgjegjësi për çdo veprim që e bënë, i madh qoftë ai apo i vogël.
Kur janë në pyetje mëkatet besimtari islam ato asnjëherë nuk i nënçmon sepse është i vetëdijshëm për pasojat e tyre. Prandaj edhe mëkatet e vogla i sheh si të rënduara dhe të mëdha, për dallim nga hipokritët të cilët edhe mëkatet e mëdha i shohin si të imta.
Në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibn Mes’udi [Radiall-llahu anhu] nga Pejgamberi [Alejhis-selam] i cili ka thënë:
“Vërtetë besimtari i sinqertë mëkatin e tij e sheh, sikur ai të qëndrojë nën një kodër (shkëmb) dhe frikohet që ajo kodër të shembet mbi të, kurse i degjeneruari (faxhiri) mëkatin e tij e sheh si një mizë e cila është ndalur në hundën e tij dhe për të thotë kështu. Ebu Shihabi ka thënë: bënë me dorë mbi hundën e tij.[3]
Në hadithin tjetër thuhet:
Transmetohet nga Enes (ibni Maliku) [Radiall-llahu anhu] i cili ka thënë: “Vërtet ju po i veproni disa vepra, të cilat në sytë e juaj janë më të holla (imëta) se qimet, ndërsa ne, në kohën e Pejgamberit [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i konsideronim ato si gjynahe të mëdha shkatërruese (mubikat- kebair).[4] Transmeton, Buhariu.
Hadithet na e bënë të qartë se besimtari islam i mobilizuar me besim të pastër, mëkatin pavarësisht se mund të jetë edhe mëkat i vogël, në sytë e tij reflektohet si një shkëmb i madh nga i cili i kanoset rreziku i jetës, kurse njeriu me besim të dobët, me mëkate të ngarkuara mëkatin e tij e sheh si një mizë të vogël që i ndalon te hunda e tij dhe se ai ka mundësi ta trembë dhe largojë sa herë që të dëshirojë. Ky këndvështrim është i gabuar dhe metodologji djallëzore, sepse sa më shumë të neglizhohet mëkati aq më shumë njeriu ngarkohet me mëkate. Kurse Bilal ibni Sa’di r.a ka thënë: “Mos shiko në atë se, gjynahu është i vogël, por shiko, në madhërinë e Atij, që ju është bërë gjynah” (T. Bislimi, Edukata, 2018).
Krahas faktit se neglizhimi i mëkateve e shndërron edhe mëkatin e vogël në mëkat të madh, duhet pasur kujdes që kur të veprojmë ndonjë gjynah të vogël, mos ta përmendim atë në mesin dhe prezencën e njerëzve, e disa edhe duke u krenuar me të. Lidhje me këtë Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë:
Transmeton Salim ibni Abdulla, i cili ka thënë: Kamë dëgjuar Ebu Hurejren i cili thoshte: Kamë dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i cili thoshte: ”Tërë populli im është i falur, përveç atyre që veprojnë haptazi (në mënyrë publike), vërtet, prej të vepruarit haptazi është, kur një njeri vepron një punë gjatë natës, pastaj kur të zgjohet në mëngjes, pasi që All-llahu e kishte mbuluar (nuk ia kishte zbuluar atë që ka bërë), ai u thotë të tjerëve: O filan! Unë mbrëmë veprova këtë e këtë. Zoti i tij për gjatë tërë natës, ia kishte mbuluar (gjynahun), kurse ai, pasi është zgjuar në mëngjes e zbulon atë, që All-llahu ia kishte mbuluar”.[5]
Besimtari islam është i bindur se për çdo vepër të madhe dhe të vogël do të mbajë përgjegjësi ditën e përgjegjësisë. All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] thotë:
“Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt”.[6]
Sahabët dhe selefi i ndershëm frikoheshin më së shumti nga mëkatet e vogla, sepse edhe ato në sytë e tyre ishin mëkate të mëdha. Transmetohet nga Enes Ibni Maliki [Radiall-llahu anhu] se kur kishte zbritur ajeti:
“O ju që keni besuar, mos ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju”[7].
Thabit ibn Kajsi ishte mbyllur në shtëpinë e tij dhe duke qarë kishte thënë: “Unë jam nga xhehenemlinjtë”. Ai ishte mbyllur në shtëpinë e tij dhe nga turpi nuk i dilte përpara Pejgamberit [Alejhis-selam] . Kur Pejgamberi [Alejhis-selam] nuk e kishte pa për disa ditë, një ditë e pyeti Sa’d ibni Muadhin duke i thënë: O Ebu Amr, çka është puna e Thabitit? Mos është i sëmurë?. Sa’di tha: Unë vërtetë e kam fqinjë, por nuk kam dëgjuar se ankon nga diçka. Pastaj Sa’di shkoi te Thabiti dhe e informoi për atë që kishte pyetur i Dërguari i All-llahut [[Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]], e Thabiti tha: A ke dëgjuar se ka zbritur ky ajet (ajeti i lartpërmendur), e ju e dini shumë mirë se unë kam ngritur zërin mbi Pejgamberin [Alejhis-selam] shumë më shumë se ju, atëherë unë jam nga banorët e zjarrit, andaj në shenjë pendimi jam mbyllur në shtëpi. Sa’di shkoi te Pejgamberi [Alejhis-selam] dhe i tregoi për këtë, e Pejgamberi [Alejhis-selam] i tha: “ Ai është nga banorët e Xhenetit”
Nga kjo ngjarje kuptojmë qartë se edhe ngritjen e zërit ndaj Pejgamberit [Alejhis-selam] dhe ndaj të tjerëve, që ne sot as që e konsiderojmë për mëkat, sahabët e shihnin si mëkat të madh dhe vetësakrifikonin çdo gjë për të pastruar këtë mëkat.
Transmetohet se Enes ibni Maliki [Radiall-llahu anhu] ka thënë: “Ju do t’i punoni disa punë të cilat në sytë tuaj do të duken më të holla se qimet e flokëve, por ne në kohën e Pejgamberit [Alejhis-selam] të njëjtat i konsideronim nga mëkatet shkatërruese (mëkatet të mëdha)”[8]
[1] Suretu En-Nisa : 28
[2] Termidhiu, Ibni Maxheh Ahmedi etj
[3] Buhariu, Muslsimi, Tirmidhiu, Ahmedi etj.
[4] Buhariu
[5] Buhariu dhe Muslimi
[6] Suretu El Kehf : 49
[7] Suretu El Huxhurat : 02
[8] Buhariu