Shkruan: Jusuf  ZIMERI

Ndikimi i mëkateve te individi dhe shoqëria

Mëkati sipas asaj që e definuam më parë nënkupton se është rezultat i një veprimi jashtë ligjorë dhe jashtë natyrshmërisë së qenies njeri. Prandaj, nuk ka dilemë se mëkati si i tillë reflekton tek individi dhe si rrjedhojë edhe te shoqëria njerëzore, si në aspektin shpirtërorë, psikologjik, edukativo-moral, shëndetësorë por edhe atë ekonomik. Ibni Kajimi thotë: ”dëmet që shkaktohen zemrës nga mëkatet, janë sikur dëmet që i shkaktohen trupit nga helmet” (Ed-dau ved-deva 98). Shejh Ibni Tejmije thotë: “Dënimet më të rënda që i pësojnë njerëzit nga mëkatet janë, humbja e udhëzimit (hidajetit) dhe e diturisë së dobishme”(Mexhmeul fetava 14/152). Në vazhdim do të theksojmë disa nga pasojat më të rëndësishme si rezultat i mëkateve.

 1,Nxirja e zemrës.

Mëkatet njollosin zemrën e njeriut dhe dalëngadalë ndryshojnë shijen, kënaqësinë dhe ëmbëlsirën e adhurimit (ibadetit). Prandaj njerëzit, që janë të mbushur me mëkate, nuk ndiejnë shijen dhe kënaqësinë e adhurimeve. Mëkati është simbol i errësirës, dhe nëse këtë simbol nuk arrijmë ta shlyejmë nga zemrat tona, ajo me kohën fillon të reflektojë edhe në dritën e syrit e më vonë edhe në fytyrën e njeriut. Prandaj, Pejgamberi [Alejhis-selam] na ka mësuar që t’i lutemi All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] edhe me këtë lutje: “O Zoti ynë, na u zbardh fytyrat tona, ditën kur disa fytyra do të ndriçohen dhe disa do të nxihen”.

Kjo vërtetohet edhe me hadithin e regjistruar te sahihu i imam Muslimit, ku pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë:

Transmetohet nga Ebu Hurejreja [Radiall-llahu anhu] se një grua zezake e fshinte dhe pastronte xhaminë- ose një djalosh- dhe një kohë u humb nga xhamia, e kjo e nxiti të Dërguarin e All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] që të pyes për të (gruan apo djalin). I thanë: Ka vdekur!. Pse nuk më keni treguar? Tha Pejgamberi a.s.. Sikur ata e kishin neglizhuar çështjen e saj. Pejgamberi [Alejhis-selam] tha: “Më tregoni ku gjendet varri i saj (tij) e ata e çuan, e Pejgamberi [Alejhis-selam] ia fali namazin e xhenazes e pastaj tha: “Vërtetë këto varre janë të mbushura me errësirë për banorët e saj, e vërtetë All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] do t’i shndrisë varret e tyre me namazin tim që ua fali unë[1]

Se si ndikojnë mëkatet në nxirjen e zemrës, ndoshta më së bukuri na e përkujton hadithi i Ibni Abasit [Radiall-llahu anhu] i cili thotë: I Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Guri i zi (Haxherul Esvedi) ka zbritur nga Xhenneti, ai ishte shumë më i bardhë se sa qumështi, është nxirë nga mëkatet e bijve të Ademit”[2]

Dijetarët islam këtë çështje në mënyrë figurative e kanë përshkruar sikur pikat e ujit të qetë që bien mbi gurë dhe me kohë formon një vrimë edhe pse uji cilësohet si lëndë e butë në krahasim me gurin.

  1. Harrimi i All-llahut dhe i vetvetes

Nga pasojat shumë të rënda që sjellin mëkatet e grumbulluara tek njeriu është edhe harresa e All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] dhe harresa e vetvetes së tij. Të harrosh All-llahun [Xhel-le Xhelaluhu] do të thotë të harrosh të kryesh obligimet ndaj Tij, të harrosh të përmendësh emrin e Tij, të harrosh të i lutesh Atij dhe të kërkosh ndihmën dhe mëshirën nga Ai. Të harrosh All-llahun [Xhel-le Xhelaluhu] në mënyrë praktike do të thotë të harrosh veten tënde, të harrosh kush je, nga vjen, cili është misioni yt dhe ku do të përfundosh. Prandaj, mëkatet janë barriera më e madhe që pengojnë njeriun të ruajë dhe kultivojë lidhjen e tij me Krijuesin e tij. Jo rastësisht All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] në Kur’anin fisnik na urdhëron e thotë: “E mos u bëni si ata që harruan All-llahun, pra (All-llahu bëri që ata) harruan vetveten! Të tillët janë të Fasikët.[3] Pastaj në ajetin tjetër All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri tjetri; urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shtrëngojnë duart e tyre. Harruan All-llahun (nuk i binden), prandaj Ai i harroi (nga mëshira). Nuk ka dyshim, hipokritët janë ata të prishurit.[4]

Harresa e All-llahut pas vete tërheq dy pasoja shumë të rënda, që janë: Harresa e nënshtrueshmërisë ndaj krijuesit absolut si pasojë e mëkatit dhe harresa e vetes së tij që nënkupton harresën për të bërë përpjekje për pastrimin tij nga mëkatet, e nëse njeriu nuk angazhohet për pastrimin e tij shpirtërorë dhe zemërorë, atëherë shndërrohet në një krijesë të ngurtë, pa ndjenja funksionale dhe si i tillë nuk arrin synimin final të tij, as në jetën e kësaj e as të botës tjetër. Për këtë arsye një poet arab thotë:

Harresa për të përmendur All-llahun,

është vdekje e zemrës së tyre,

trupat e tyre janë shndërruar në varreza,

para se të shkojnë në varreza.

  1. Ndryshkë zemrën dhe e regjistron si të shpërqendruar

Nëse besimtari islam nuk përkujdeset për shlyerjen e mëkateve, ato dalëngadalë pushtojnë zemrën e tij, dhe e shndërrojnë në njeri të shpërqendruar (Gafil). Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja [Radiall-llahu anhu] i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Vërtetë robi i All-llahut kur gabon dhe bënë ndonjë mëkat, në zemrën e tij i regjistrohet një pikë e zezë, nëse e heqë atë pikë duke kërkuar falje (istigfar) dhe duke u penduar, pastrohet zemra e tij, e nëse ai e përsëritë ajo pikë e zezë rritet në zemrën e tij derisa të bëhet ndryshk që e ka përmendur All-llahu në Kur’an ku thotë: “E, nuk është ashtu! Por, veprat e tyre (të këqija) i kanë ndryshkur zemrat e tyre (i kanë nxirë).[5]

  1. Mëkati shkakton përçarje dhe grindje

Nuk ka dilemë se mëkati i cili zë vend te besimtari islam, shkakton urrejtje, përçarje dhe grindje mes njerëzve, qoftë edhe mes njerëzve më të dashur mes veti. Këtë anomali në mënyrë shumë pedagogjike dhe prerëse na e mëson edukatori i njerëzisë Muhammedi [Alejhis-selam] i cili në transmetimin nga Ibni Omeri [Radiall-llahu anhu], Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë: “Pasha Atë që shpirti i Muhammedit është në dorën e Tij, nuk janë dashur dy njerëz mes veti e pastaj të jenë përçarë, vetëm se për shkak të ndonjë mëkati që e ka bërë njëri prej tyre”[6]

Ajo që vërehet në këtë hadith është sqarimi se përçarja mes njerëzve detyrimisht bëhet për shkak të mëkateve të tyre, ose të njërës palë, sepse për ndryshe nuk ekziston motiv tjetër ndarës. Pastaj ajo vërehet nga ky hadith është se Pejgamberi [Alejhis-selam] në këtë hadith nuk cilëson mëkatin, cili lloj i mëkatit është, i madh apo i vogël, që jep me kuptua se çdo lloj mëkati mund të ndikojë në përçarjen e njerëzve dhe humbjen e dashurisë mes tyre. Poashtu hadithi nuk karakterizon as llojet e lidhjeve ndërnjerëzore që mund të humbin dashurinë mes veti, por kjo arrihet qoftë në lidhjet familjare, shoqërore apo edhe bashkëshortore.

Shumë herë njerëzit neglizhojnë disa veprime duke i trajtuar si pa ndikim në jetën shoqërore, duke menduar se janë vetëm çështje formale dhe nuk duhet përkushtuar vëmendje sepse janë veprime të vogla. Mirëpo, Pejgamberi [Alejhis-selam] na e mëson të kundërtën, se edhe pakujdesia jonë ndaj veprave që ne i konsiderojmë si mëkate të imta ose vetëm formalitete ndikojnë në humbjen e dashurisë sonë mes veti. Në hadithin që e transmeton Nu’man ibn Beshiri [Radiall-llahu anhu] thotë: I Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]doli në mihrab dhe me fytyrën e tij u kthye nga xhemati dhe tha: “Drejtoni dhe ngjishni radhët (safët) tuaja (përsëriti tri herë) dhe tha: Pasha All-llahun, do ti drejtoni radhët (safët) ose All-llahu do të përplasë zemrat tuaja”.[7]

  1. Mëkati pengon diturinë

Dijetarët islam duke bërë hulumtime dhe analiza të thella në argumentet autentike, konsiderojnë se mëkatet janë pengesë thelbësore në përfitimin e diturisë dhe implementimit të sajë në praktikë. S’ka dilemë se dituria është dritë kurse mëkati errësirë, prandaj sa më e madhe apo më e fuqishme të jetë errësira, aq më e zbehtë është drita, në këtë rast dituria. Këtë më së mirë na e shpjegon dijetari i madh islam Imam Shafiu i cili realisht kishte një memori shumë të fuqishme të mbajtjes mend. Duke e ditur se këtë e kishte dhuratë nga All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] një ditë vërejti se diç nuk ishte në rregullën me harresën që i kishte ndodhur, dhe vendosi që për këtë t’i drejtohet mësuesit të tij Vekiut, duke e shprehur përmes poezisë, ku thotë:

U ankova te Vekiu për mbamendjen e keqe,

Ai më udhëzoi që t’i braktisë mëkatet,

Ai më tha: Dije se kjo dituria është dritë

E drita e All-llahut nuk i dhurohet mëkatarit.

Dahak ibni Muzahim ka thënë: Çdo kush që e ka mësuar kur’anin përmendësh, e pastaj e ka harruar, kjo i ka ndodhur pikërisht për shkak të ndonjë mëkati që i ka ndodhur, sepse All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, kjo është për shkak se e keni futur vetë, e Ai edhe falë shumë”.[8] e nuk ka dilemë se harresa e kur’anit është një mëkat kërkon përkushtim. (Ibni Kethir, Fedailul kur’an f.222).

  1. Mëkati vështirëson jetën e njeriut

Mëkatet që e godasin njeriun vështirësojnë dhe komplikojnë jetën e njeriut, sepse ato amortizojnë mënyrën e të menduarit dhe çiltërinë e besimit. Arsyeja tjetër shumë e rëndësishme është se mëkatet në parim rrënojnë devotshmërinë dhe e largojnë njeriun nga frik-respekti ndaj All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu] All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] në kur’an thotë: “e kush i dron All-llahut (Perëndisë), Ai i bënë rrugëdalje atij”[9].

Nga ky ajet kur’anor na bëhet e qartë se besimtarëve të devotshëm All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] u ndihmon në gjetjen e rrugëdaljes sa herë që jety e tyre i ngushton ata.

  1. Mëkati humb bereqetin e jetesës

Mëkatet gjatë jetës shkaktojnë që njeriu të humbë bereqetin e jetesës dhe kënaqësinë si në ambientin familjar ashtu edhe në atë shoqërorë. Nëse nocionin “Bereke” e shohim në fjalorët e gjuhës arabe, nënkuptojmë se bëhet fjalë për përqendrim, shtim, rritje, kënaqësi qoftë ajo fizike apo shpirtërore. Kjo nënkupton se humbja e bereqetit shkakton kokëdhimbje, pakënaqësi shpirtë-rore, mos pasje të lumturisë dhe kënaqësisë, si pasojë e mëkateve që e kanë mbuluar njeriu dhe shoqërinë. Prandaj që të arrihet kjo kënaqësi, detyrimisht duhet të bëjmë përpjekje që të largohemi nga mëkatet, sepse ato janë pengesë e ekzistimit të bereqetit. All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] në Kur’anin fisnik thotë: “Sikur banorët e vendbanimeve të besonin dhe të ruheshin prej mëkateve, Na do t’i vërshonim me dhunti nga qielli dhe toka, por ata gënjyen, prandaj, i dënuam për atë që vepruan.[10]

  1. Mëkati shkakton humbjen e turpit

Një nga pasojat shumë të rënda që shkakton mëkati në jetën e njeriut është humbja e turpit. Turpi është cilësi e gjallërisë zemërore, dhe pjesë e besimit. Në hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi [Radiall-llahu anhu] Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë: “Çdo fe ka edukatën e vet, e edukata e islamit është turpi”.[11]

Turpi është një cilësi pozitive e cila ruan besimtarin islam nga veprat, fjalët dhe sjelljet që shpijnë në mëkate, e humbja e kësaj cilësie i hap rrugën besimtarit islam të veprojë punë të liga. Në një transmetim nga Ebu Mes’udi [Radiall-llahu anhu] i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Atë që njerëzit më së shumti e kanë mësuar nga pejgamberet e parë është: Nëse nuk turpërohesh, vepro ç’të duash[12]

  1. Mëkati humbë qetësinë dhe sigurinë
    individuale dhe shoqërore

Njeriu sa më shumë të grumbullojë mëkate rreth vetes së tij, aq më shumë i mbyllen dyert e mirësisë dhe njëkohësisht i hapen mundësitë e së keqes dhe bashkë me të edhe dyert e pasigurisë. Në raste të tilla tek njeriu krijohet një gjendje pasigurie shpirtërore që shkakton çrregullim të tërësishëm ndaj gjithë asaj që e rrethon. Sa më i madh të jetë mëkati dhe padrejtësia, aq më e lartë është frika dhe pasiguria. All-llahu xh. sh. në Kur’anin Famëlartë e përshkruan duke thënë: “Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharrum në tokë dhe disa përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë padrejtë, por ata vetës së tyre i bënë padrejtë.[13]

  1. Mëkatet shkaktojnë edhe fatkeqësi

Nuk ka dilemë se nëse shtohen mëkatet në mesin e një populli dhe nuk tentohet që të pastrohen nga ai mëkat, atëherë All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] atë popull do ta godasë me fatkeqësi të ndryshme siç janë, tërmetet, vërshimet, epidemitë dhe pandemitë e ndryshme etj. All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] në Kur’an thotë: “Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharrum në tokë dhe disa përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë padrejtë, por ata vetës së tyre i bënë padrejtë.”[14]

Këto dënime me të cilat i ka goditur All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] popujt e mëparshëm janë për shkak të mëkateve të mëdha dhe të shumta që i kanë bërë popujt e mëhershëm, e kjo na jep të kuptojmë se këto dënime mund të na godasin edhe neve si pasojë e mëkateve tona nëse edhe ne përsërisim dhe shtojmë ato mëkate dhe ndjekim rrugën e tyre.

 

[1] Muslimi

[2] Termidhiu 1/452

[3] Suretu El Hashr : 19

[4] Suretu Et-Teuvbe : 67

[5] Suretu Mutaffifin : 14 – Termidhiu, 3334

[6] Ahmedi, 5357

[7] Ebu Davudi

[8] Suretu Esh-shura : 30

[9] Suretu Et-Talak : 02.

[10] Suretu El Earaf : 96

[11] Ibni Maxheh

[12] Buhariu

[13] Suretu El Ankebut, 40

[14] Suretu El Ankebut : 40

Shkrime të ngjashme