Shkruan: Jusuf Zimeri
Caktimi i njeriut, përfaqësues në tokë.
وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَائِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الْأَرْضِ خَلِيفَةً قَالُوا أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاءَ وَنَحْنُ نُسَبِّحُ بِحَمْدِكَ وَنُقَدِّسُ لَكَ قَالَ إِنِّي أَعْلَمُ مَا لَا تَعْلَمُونَ ﴿٣٠﴾
- (Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vësh në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”!
Pasi që All-llahu xh.sh. në ajetet para këtij ajeti demonstroi për besimtarët islam fuqinë absolute të Tij duke dëshmuar për krijimin e tokës dhe të gjitha elementeve që ekzistojnë në të dhe rreth saj e që mundësojnë jetën në këtë botë, siç tregoi edhe për krijimin e qiejve që poashtu sigurojnë jetesën në këtë botë, tani në këto ajete në vazhdim do të na tregojë për krijesën për të cilën e ka krijuar këto krijesa për të qenë në shërbim të tij. Ky është momenti ku shënon fillimin e shtjellimit të historisë së Ademit [Alejhis-selam] babait të njerëzisë. Në këto ajete dhe në ajetet në vazhdim, All-llahu xh.sh. na tregon qartë për krijimin e njeriut (Ademit [Alejhis-selam]), për urtësinë dhe sekretet e krijimit të kësaj krijese dhe për rolin dhe pozitën që do ta ketë kjo krijesë në rruzullin tokësorë. Nëse shfletojmë dhe lexojmë Kur’anin Famëlartë vërejmë se në të All-llahu xh.sh. na informon për shumë tregime të natyrave dhe personave të ndryshëm, siç është tregimi mbi Ademin [Alejhis-selam], mbi Nuhin [Alejhis-selam], mbi Isanë [Alejhis-selam], mbi Musanë [Alejhis-selam], Ibrahimin [Alejhis-selam] etj etj. Përveç tregimit për Jusufin [Alejhis-selam] që e rrëfen në një sure kur’anore dhe që e quan “tregimi më i bukur”, tregimet tjera janë të shpërndara nëpër sure të ndryshme. Shpërndarja e tregime nëpër sure të ndryshme siç thotë shejh Sha’ravi paraqet urtësi në vete dhe të gjitha këto përsëritje kanë karakter plotësues të njëra tjetrës dhe secilin rast të përsëritjes duhet analizuar me kujdes dhe vëmendje të posaçme, në njërën anë kurse në anën tjetër janë simbolikë e asaj që dëshmohet se rastet dhe ngjarjet përsëriten nëpër kohë.
Ajeti fillon duke thënë: “وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَائِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الْأَرْضِ خَلِيفَةً (Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Pra, o Muhamed, përkujto dhe tregoju popullit tënd ngjarjen e krijimit të babait të tyre Ademit [Alejhis-selam] kur u tha engjëjve se unë po krijoj një krijesë e cila do të jetë mëkëmbës në tokë, një krijesë që do të jenë banorë të tokës dhe do të ndërtojnë tokën, që do të zbatojnë lidhet dhe dispozitat e Mia mes njerëzve, dhe do të trashëgohen gjeneratë pas gjenerate deri Ditën e Kiametit.[1] Tregoju njerëzve se kjo është një privilegj që i bëhet bijve të Ademit [Alejhis-selam] (njerëzve) duke i përmendur akoma pa u krijuar.[2] Kurse lidhja apo bashkimi i emrit të All-llahut xh.sh. me Muhamedin [Alejhis-selam] përmes përemrit “Rab-buke – Zoti yt” është një privilegj, nder dhe respekt që i dha All-llahu xh.sh. Muhamed Mustafas [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme], e përmes tij edhe umetit të tij.
Hafiz Ibrahim Dalliu në shpjegimin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet, si dhe ajetet që vijojnë, kanë zbritur për të numëruar e për të kujtuar një mirësi (ni’met) të tretë. Mirësia e parë ishte ajo që përmendi All-llahu kur tha: ”ju ishit të vdekur e Zoti u ngjalli” (El Bekare :28), mirësia e dytë është ajo që All-llahu xh.sh. tha: “All-llahu ka krijuar për dobinë tuaj gjithë çka që është në tokë” (El Bekare :29) dhe mirësia e tretë është kjo që thotë ky ajet kur’nor, [3] pra ajeti tridhjetë i kësaj sureje.
Melaiket janë qenie (krijesa) të krijuara nga drita (nuri), kanë mundësinë e të menduarit dhe të kuptuarit. Ato kanë mundësi të shndërrohen edhe në forma tjera dhe të marrin pamje të ndryshme. Ato marrin detyra të ndryshme nga All-llahu xh.sh. dhe i kryejnë në përpikëri sepse janë të mbrojtura nga gabimet. All-llahu xh.sh. thotë: يَخَافُونَ رَبَّهُم مِّن فَوْقِهِمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ “I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çka urdhërohen”[4] si dhe në ajetin tjetër ku thotë: لَّا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ “nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara”[5].
Kur All-llahu xh.sh. u tha engjëjve se: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! kjo nuk nënkupton se All-llahu xh.sh. i konsultoi ato, sepse Ai nuk ka nevojë konsultimi, por kjo ishte vetëm informatë për melaiket. All-llahu xh.sh. i informoi melaiket sepse ato do të kenë mision të rëndësishëm me Ademin [Alejhis-selam] dhe mbarë njerëzinë. All-llahu xh.sh. do ti ngarkojë ato me punë dhe misione konkrete në jetën e përditshme, prandaj edhe i informoi e nuk i konsultoi.
Nocioni Halife, nënkupton atë që vjen pas tjetrit dhe zë vendin e tij[6] që do të thotë që njerëzit që do të trashëgojnë njëri tjetrin gjeneratë pas gjenerate, shekull pas shekulli[7] deri në Ditën e Kiametit. Zëvendësimi në tokë nuk nënkupton se All-llahu xh.sh. ka nevojë për dikë ta zëvendësojë, por nënkupton krijesën që do të jetojë në sipërfaqen e tokës dhe të menaxhojë me të mirat që i ka krijuar All-llahu xh.sh. në të dhe do të zbatojë urdhrat e All-llahut xh.sh..
Dijetari i famshëm Muhamed Emin Shenkiti në tefsirin e tij”[8] thotë: Dijetarët islam nocionin “halife” e kanë shpjeguar në dy mënyra, që janë:
Mënyra e parë: Me nocionin “Halife” synohet babai jonë Ademi [Alejhis-selam] dhe pejgamberi jonë Muhamedi [Alejhis-selam] sepse këta janë mëkëmbës dhe zëvendës të All-llahut xh.sh. në tokë dhe zbatues të urdhrave të Tij. Thuhet se këta kanë zëvendësuar xhinët të cilët kishin jetuar në tokë para Ademit [Alejhis-selam] pra para njerëzve[9].
Mënyra e dytë: Nocione “Halife” është njëjës, por që synon shumësin, e ky është mendimi i Ibni Kethirit, që nënkupton se me nocion halife përfshihen të gjithë njerëzit pas Ademit [Alejhis-selam]. Zejd Ibni Alij thotë: Me nocionin “Halife” nuk është për qëllim vetëm Ademi [Alejhis-selam] por të gjithë bijtë e Ademit [Alejhis-selam][10]. Ky është mendimi më i saktë dhe vërtetohet me pjesën tjetër të ajetit ku thuhet: : أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاءَ “A do të vësh në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet”! e dihet botërisht se Ademi [Alejhis-selam] e as Pejgamberi jonë nuk kanë qenë prej atyre që kanë bërë gjakderdhje.[11]
Nocioni “jufsidu يُفْسِدُ “ nënkupton prishje, dalje nga normalja, dalje nga sistemi, e kundërta e rregullimit, pra çrregullim, kurse “Jesfiku يَسْفِكُ ” ka kuptimin e derdhjes, hedhjes,[12] që në ajet nënkupton derdhjen e gjakut apo thënë më mirë kur bëhen çrregullime dhe njerëzit dalin nga sistemi, nga parametrat dhe kriteret e jetës, ata bëjnë armiqësi dhe gjakderdhje mes veti për interesat e tyre mediokre të kësaj bote.
Imam Sa’diju thotë: Përmendja e gjakderdhjes, e cila në vetvete është krim, është dëshmi për të tërhequr vëmendjen e veçantë që i kushtohet kësaj çështjeje. Pra edhe pse gjakderdhja është pjesë e çrregullimeve dhe poshtërsive , të cilat përmenden në përgjithësi me fjalën “jufsidune” ajo përmendet edhe në mënyrë të veçantë, për të treguar sa i madh dhe sa i rëndë është krimi që quhet vrasje, mbytje apo gjakderdhje[13].
Kur All-llahu xh.sh. ua komunikoi informatën engjëjve se do të krijojë një zëvendës (halife) i cili do të jetojë dhe veprojë në tokë, ato ju përgjigjën duke thënë: أَتَجْعَلُ فِيهَا مَن يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاءَ “A do të vësh në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet”!.
Fillimisht duhet të sqarojmë se pyetja e engjëjve se a do të krijosh një krijesë që do të bëjë çrregullime dhe gjakderdhje nuk është formë kontestuese, por është formë habitore me qëllim mësimi[14]. Ibrahim Dalliu sqaron duke thënë: Kjo pyetje në njëfarë mënyre duket si kundërshtim. Por me qenë se melaiket nuk bëjnë faje, por janë të mbrojtura nga gabimet dhe kurrë nuk kundërshtojnë Zotin, me këtë pyetje patën për qëllim të kërkonin prej Zotit që tua hiqte dyshimin që u erdhi në mendje. Me një fjalë ata pyetën All-llahun, në atë mënyrë siç pyet siç pyesin nxënësit mësuesin kur ka ndonjë paqartësi.[15]
Imam Taberani dhe Seid Hava në tefsirët e tyre, shpjegojnë se kjo formë është formë informative për të njohur urtësinë e krijimit të njeriut në tokë, andaj edhe thonë: O Zoti ynë, cila është urtësia e krijimit të tyre (njeriut) kur nga mesi i tyre do të ketë njerëz që do të bëjnë çrregullime në tokë dhe do të bëjnë gjakderdhje.[16]
Kush i informoi melaiket se njerëzit do të bëjnë gjakderdhje?
Ajo që ne ve para një dileme është, pyetja e engjëjve kur thonë: a do të vësh në te, pra në tokë atë që bënë çrregullime dhe gjakderdhje? Kur dihet fakti se All-llahu xh.sh. ende nuk kishte krijuar Ademin [Alejhis-selam], atëherë nga e ditën melaiket se njeriu do të bëjë çrregullime dhe gjakderdhje në tokë ?
Imam Taberiju lidhje me këtë thotë: Për këtë çështje ekzistojnë shumë interpretime të dijetarëve islam[17], e që ne në vazhdim do të paraqesim disa prej këtyre interpretimeve.
Prof. Vehbe Zuhejli thotë: ”E dinin nga informatat nga All-llahu xh.sh., ose nga Levhi Mahfudhi. Ose ato e dinin se krijesat e vetme që kanë imunitet nga gabimet, janë melaiket dhe se asnjë krijesë tjetër nuk është e mbrojtur nga gabimet, ose ato e dinin duke bërë analogji mes dy krijesave njerëzve dhe xhinëve, ose ato e dinin për shkak të natyrshmërisë së lëndës nga e cila do të krijohet njeriu, e ky është mendimi im i preferuar. Thuhet se në tokë kishte jetuar një krijesë para Ademit [Alejhis-selam], e ajo krijesë bëri çrregullime dhe gjakderdhje, e njeriu do ta zëvendësoj këtë krijesë, duke u mbështetur në argumentin ku All-llahu xh.sh. thotë: ثُمَّ جَعَلْنَاكُمْ خَلَائِفَ فِي الْأَرْضِ مِن بَعْدِهِمْ لِنَنظُرَ كَيْفَ تَعْمَلُونَ Pastaj juve ju bëmë zëvendësues pas tyre në Tokë për t’ju parë si do të veproni”[18] e melekët bënë krahasime me këtë krijesë.[19]
Imam Kurtubiu në tefsirin e tij shprehet duke thënë: Thuhet se engjëjt kur dëgjuan nocionin “Halife” ata menjëherë e kuptuan se në mesin e bijve të Ademit [Alejhis-selam] ka nga ata që shkaktojnë çrregullime dhe gjakderdhje. Meqenëse Halifja ka për qëllim ruajtjen e drejtësisë, reformimin dhe braktisjen e çrregullimeve dhe gjakderdhjes, nënkupton se prej tre do të ketë të drejtë dhe shkatërrues e gjakderdhës.[20] Pastaj vazhdon imam Kurtubiu duke thënë: Thuhet se, engjëjt i kishin pa dhe e kishin mësuar derdhjen e gjakut dhe shkatërrimin nga xhinët të cilët ishin banorë të tokës, para se të krijohej Ademi [Alejhis-selam]. Ata kishin bërë shkatërrime dhe derdhje të gjakut. Për këtë arsye All-llahu xh.sh. dërgoi Iblisin (shejtanin) tek ata me një ushtri engjëjsh dhe i shkatërroi ata i hodhi në det ose maje maleve, e pas tyre krijoi Ademin [Alejhis-selam] dhe pasardhësit e tij i bëri banorë të tokës.[21]
Ibni Abasi r.a. thotë: “banorët e parë që banuan në tokë ishin xhinët, ata bënë shkatërrime, gjakderdhje dhe u mbytën mes veti, e Allahu xh.sh. dërgoi Iblisin me një ushtri nga melekët dhe i vranë ata që ishin në tokë, e pastaj e krijoi Ademin a.s. dhe e bëri që të jetojë në tokë, prandaj Allahu xh.sh. tha: “Unë por krijoj në tokë një zëvendës” pra po zëvendësoj xhinët me njerëzit si banorë të tokës.[22]
I këtij mendimi është kryetari i komisionit për fetva në Az’har shejh Atije Sakar All-llahu e mëshiroftë, i cili thotë: Në librat e tefsirit shpjegohet se toka ka qenë e banuar me një krijesë e cila nuk ishte e përshtatshme për ndërtimin e saj ashtu siç dëshiroi All-llahu xh.sh., andaj edhe i shkatërroi ata. Më pas u tha melaikeve se: Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës” e cila do të jetojë në tokë dhe do të ndërtojë tokën. Melaike të frikuar nga ajo që kishin pa thanë: A do të vësh në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet”!. duke bërë analogji krijesat e kaluar me këtë që do të krijohet.
Pastaj ajeti vazhdon: وَنَحْنُ نُسَبِّحُ بِحَمْدِكَ وَنُقَدِّسُ لَكَ قَالَ إِنِّي أَعْلَمُ مَا لَا تَعْلَمُونَ “e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”.
Nocioni “ar. Tesbiih“ rrjedh nga shprehja e-sebhu që do të thotë: kalim i shpjet në ujë ose në ajër, që në aspektin terminologjik do të thotë, të shpejtuarit në pastrimin e All-llahut xh.sh. nga të gjitha të metat e mundshme.[23] Kurse nocioni “ar. takdis تقديس ”do të thotë: shenjtërim, madhërim, që në aspektin terminologjik nënkuptojmë cilësimin e All-llahut xh.sh. me të gjitha cilësitë Absolute që i takojnë Atij.[24] Pra, cilësia e parë është mohuese që mohon të gjitha mangësitë ndaj krijuesit Absolut, kurse e dyta është pohuese që pohon të gjitha cilit që i meriton krijuesi Absolut.
Kjo pjesë e ajetit kur’anor paraqet fjalët e engjëjve të cilat u shprehën habinë e tyre, duke thënë se o Zoti ynë, cila është urtësia e krijimit të një krijese tjetër, kur ne të madhërojmë (të bëjmë tesbih), të falënderojmë dhe të shenjtërojmë Ty o i madhi All-llah.! Prandaj Allahu xh.sh. ju përgjigj atyre duke u thënë: “Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”. Pra, nëse ju dini atë që e thatë, Unë di edhe shumë gjëra tjera që ju nuk i dini, Unë e di se nga mesi i tyre do të ketë të dërguar, pejgamberi, evlija, njerëz të dashur të Allahut, dijetarë dhe adhurues të mirë që i bëjnë adhurim Allahut xh.sh.
[1] Dr. Vehbe Zuhejli, Et-tefsirul munir, 1/25.
[2] Ibni Kethir, Tefsir Ibni Kethir, përkthim në gjuhën shqipe, 1/162.
[3] H. Hafiz Ibrahim Dalliu, Ajka e kuptimit të Kur’ani kerijmit, f.66.
[4] Suretu En-Nahl : 50
[5] Suretu Et-Tahrim: 06
[6] Hafëz Ibrahim Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kur’anit f.67
[7] Ibni Kethiri, Tefsir Ibni kethir, 1/163.
[8] Muhamed Emin Esh-shenkiti, Edvaul bejan fi idahil kur’an bil kur’an.
[9] Shenkiti, Edvaul bejan, 1/69.
[10] Vehbe Zuhejli, Et-tefsirul munir, f.128
[11] Po aty, 69-70
[12] Muhamed Sejid Tantavi, Et-tefsirl vesit 1/92
[13] Tefsirul kerimi err-rrahman fi tefsiril kelamil menan, nga Abdurrahman Sa’diju.
[14] Vehbe Zuhejli, Et-tefsirul munir, 1/125
[15] Ibrahim Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kur’Anit, 1/68.
[16] Seid Hava, El esasu fi et-tefsir, 1/116. Taberani, Tefsiru et-taberani 1/464
[17] Tefsiru Et-Taberij, 1/455
[18] Suretu Junus : 14
[19] Dr. Vehbe Zuhejli, Et-tefsirul Munir, 1/125
[20] Kurtubiu, Tefsitu li ahkamil kur’an, 1/274
[21] Po aty, 274
[22] Vehbe Zuhejli, Et-tefsirul munir, 1/128.
[23] Muhamed Sejid Tantavi, Et-tefsirl vesit 1/193. Tefsirul kerimi err-rrahman fi tefsiril kelamil menan, nga Abdurrahman Sa’diju, 1/92.
[24] Po aty.