Shkruan: Jusuf Zimeri

Shpalosja e Fuqisë Absolute

All-llahu xh.sh. thotë

كَيْفَ تَكْفُرُونَ بِاللَّـهِ وَكُنتُمْ أَمْوَاتًا فَأَحْيَاكُمْ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ﴿٢٨

  1. “Si e mohoni All-llahun, e dihet se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej te Ai do të ktheheni?”.

Këtë ajet kur’anor All-llahu xh.sh. e fillon me formën pyetëse duke thënë: “Si e mohoni All-llahun” e që kjo formë nënkupton mohim dhe habi. Pra sikur All-llahu xh.sh. na thotë: a po e mohoni All-llahun xh.sh. e në mesin tuaj gjendet argumenti që ju largon nga mohimi (kufri) dhe ju fton në besim[1]. Kursi Ibni Kethiri thotë: All-llahu xh.sh. me këtë ajet i drejtohet njerëzve duke u thënë: Si mund ta mohoni ekzistimin All-llahut xh.sh. dhe të adhuroni për zot diç tjetër[2]. Si mund ta mohoni ekzistimin e Krijuesit absolut, kur ju ishit të vdekur he nuk ekzistonit fare, e Ai ju krijoi dhe ju bëri të jeni të gjallë.

Shejh Sha’ravi All-llahu e mëshiroftë thotë: pyetja “kejfe-si” në këtë ajet nuk bëhet për mënyrën e mohimit të All-llahut xh.sh. por kërkon sqarim për një çështje të çuditshme se si mund të mohohet All-llahu xh.sh. pas shumë argumenteve që sjellë më parë për vërtetësinë e tij.

Më pas All-llahu xh.sh. demonstron fuqinë e Tij bindëse duke u thënë:” se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall” . Pra, ju nuk ekzistonit fare, Ai ju bëri që të jetoni, e sërish All-llahu xh.sh. do t’ju vdesë në momentin kur Ai dëshiron dhe do të ktheheni në bazën tuaj të krijimit, në tokë. Deri këtu kemi një jetë dhe një vdekje, e pas do të keni sërish ringjallje dhe një jetë tjetër ku do të ktheheni te Zoti i juaj për të dhënë llogarinë për veprt tuaja në jetën e kësaj bote.

Transmetohet nga Ibni Abasi r.a. i cili kur e shpjegoi ajetin: “Ata (jobesimtarët) thonë: “Zoti ynë, na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë, e ne pranuam për mëkatet tona, pra a ka ndonjë rrugëdalje?” (Gafir :11) tha: para se të krijoheshin ishit dhe (pluhur), e kjo është vdekje, pastaj ju ringjalli duke ju krijuar,e kjo është jeta, pastaj do të ju vdesë dhe të ktheheni në varreza, e kjo është vdekja e dytë, e pastaj sërish do t’ju ringjallë Ditën e Kiameti, e kjo është ringjallja e dytë, e këto bëjnë dy vdekje dhe dy ngjallje. Ky është kuptimi i ajetit kur’anor ku thotë: e dihet se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej te Ai do të ktheheni”[3]

Rikthimi ynë te All-llahu xh.sh. është bindje e besimtarit islam. Pra, kthehemi atje ku e kemi pikënisjen, sepse jeta jonë ka filluar pikërisht nga All-llahu xh.sh. andaj edhe rikthimi i jonë do të jetë te All-llahu xh.sh..

All-llahu xh.sh. përmes këtij ajeti tregon logjikën e çuditshme mohuese të pabesimtarëve. Si mund të njeriu të mohojë ekzistimin e All-llahut dhe fuqinë Absolute të tij, i cili krijoi jetën pas vdekjes, kompletoi begatitë e njeriut duke i dhuruar, mendjen dhe ndjenjat, u garantoi furnizimin në jetën e kësaj bote dhe ju krijoi kushte për jetë deri në momentin kur Ai dëshiron që të jetoni. Prandaj është i çuditshëm mohimi i juaj.

هُوَ الَّذِي خَلَقَ لَكُم مَّا فِي الْأَرْضِ جَمِيعًا ثُمَّ اسْتَوَىٰ إِلَى السَّمَاءِ فَسَوَّاهُنَّ سَبْعَ سَمَاوَاتٍ وَهُوَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ ﴿٢٩

  1. “Ai (All-llahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i bëri ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë”.

Pasi që All-llahu xh.sh. në ajetin para këtij ajeti përmendi disa argumente të pa kontestuara që kanë të bëjnë me vetë qenien njeri, tani në vazhdim i sjell edhe disa argumente tjera të mëdha dhe të dukshme që kanë të bëjnë me krijimin e tokës dhe të qiejve, e që janë argumente bindëse për ekzistimin e All-llahut xh.sh..

Nga argumentet madhështore për ekzistimin e All-llahut xh.sh. është edhe fakti se Ai (All-llahu xh.sh.) krijoi tokën dhe gjithçka që është në tokë dhe të njëjtat i vuri në shërbim dhe dobi të njeriut. Shejh Sha’ravi në tefsirin e tij gjatë shpjegimit të këtij ajeti thotë: All-llahu i lartë madhërishëm përmes këtij ajeti na përkujton se Ai ka krijuar çdo gjë që gjendet në tokë. Ky ajet radhitet pas ajetit “e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall” (E Bekare : 28) për të na e bërë me dije se çdo gjë që gjendet në tokë i përket Atij dhe është në pronësi të Tij, e ne si njerëz në realitet nuk kemi asgjë në pronësi përveç se në pronësi të përkohshme, sepse atë që kemi në pronësi sot, nesër bëhet pronë e dikujt tjetër.

Pastaj All-llahu xh.sh. tha: “pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i bëri ata shtatë qiej “. Imam Sa’diju në tefsirin e tij[4], gjatë shpjegimit të këtij ajeti thotë: Nocioni “Istiva” në Kur’anin famëlartë zakonisht ka tre kuptime që janë:

Në nocioni “Istiva” vjen e vetme pa u shoqëruar me parafjalët “ala- mbi” ose “ils-deri, tek” ajo paraqitet në kuptimin e kompletimit, përsosshmërisë, plotësim. Në këtë kuptim vjen kur All-llahu xh.sh. flet për Musain [Alejhis-selam] duke thënë:

وَلَمَّا بَلَغَ أَشُدَّهُ وَاسْتَوَىٰ آتَيْنَاهُ حُكْمًا وَعِلْمًا وَكَذَٰلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ ‎

E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur, Ne i dhamë urtësi e dituri. Kështu ne i shpërblejmë bamirësit. El Kasasu:14.

Në disa raste tjera nocioni “Istiva” kur vjen e shoqëruar me parafjalën “ala –mbi, sipër” na paraqitet në kuptimin, lartësim, ngritje. Në këtë kuptim vjen në ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:

إِنَّ رَبَّكُمُ اللَّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Vërtet, Zoti juaj, All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj u ngrit mbi Arshin” Suretu El Earaf : 54.

Kurse në disa raste tjera kur nocioni “Istiva” vjen e shoqëruar me parafjalën “ila- te, deri” atëherë vjen në kuptimin e qëllimit siç është rasti në ajetin të cilin jemi duke e shpjeguar ku thotë: “pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i bëri ata shtatë qiej” do të thotë pasi All-llahu xh.sh, mbaroi me krijimin e tokës synoi dhe ju drejtua krijimit të qiellit dhe bëri shtatë qiej.

Dr. Vehbe Zuhejli në tefsirin e tij[5] kur shpjegon nocionin “Istiva” me theks të veçantë këtë nocion nga ajeti i pestë i sures Taha, paraqet mendimet e dijetarëve eminent të islam duke citur se janë të ndarë në tre mendime që janë:

Mendimi i parë: Shumica dërmuese e dijetarëve eminent thonë: e lexojmë, besojmë në te dhe nuk e interpretojmë. Transmetohet nga Malik r.a. i cili në një rast është pyetur nga një njeri për interpretimin e ajetit: “الرَّحْمَٰنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَىٰ Mëshiruesi është ngritur mbi Arsh”. (Taha:05), e imam Maliku tha: “Istivaja (ngritja) nuk është e panjohur, Mënyra si, është jashtë logjikës, të besuarit në të është obligim, pyetja për të është sajesë (bidat)dhe unë p e shoh se ti je njeri i keq”[6].

Mendimi i dytë: Mendimi i dytë është qëndrim antropomorfit (muxhesimin) të cilët thonë: e lexojmë dhe e shpjegojmë ashtu sipas kuptimit linguistik që nënkupton ngritje praktike. Ky qëndrim është i gabuar sepse ngritja është nga cilësitë e trupave fizike, e All-llahu xh.sh. është i pastër nga kjo cilësi.[7]

Mendimi i tretë: Mendimi i disa dijetarëve është se ne e lexojmë këtë ajet, e interpretojmë dhe e nxjerrim shprehjen istiva nga aspekti gjuhësor.

Pastaj tha: “Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë” Nga kjo nënkuptohet se pasi që All-llahu xh.sh. krijoi Tokën dhe çka në të, pastaj krijoi edhe qiejt, nga Ai nuk mund të fshehët asgjë, ngase Ai di çdo gjë për krijimin e tyre dhe kontrollon çdo gjë që lëviz në to dhe mes tyre. Ai është i Gjithëdijshëm dine edhe brendësitë tona.

[1] Seid Hava, el esasu fi et-tefsir, 1/101. Dr. Vehbe Zuhejli, tefsirul munir, 1/117.

[2] Tefsir Ibni Kethir, 1/212.

[3] Tefsiru et-Taberij, 1/ 418.

[4] Tefsirul kerimi err-rrahman fi tefsiril kelamil menan, nga Abdurrahman Sa’diju.

[5] Et-tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi 1/121.

[6] Dr. Vehbe Zuhejli, tefsirul munir, 1/121

[7] Po aty,

Shkrime të ngjashme