Shkruan: Jusuf Zimeri

Dobia e sjelljes së shembujve

All-llahu xh.sh. thotë:

 إِنَّ اللَّـهَ لَا يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلًا مَّا بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّـهُ بِهَـٰذَا مَثَلًا يُضِلُّ بِهِ كَثِيرًا وَيَهْدِي بِهِ كَثِيرًا وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ ﴿٢٦

  1. “All-llahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo. Sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se është e vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi All-llahu me këtë shembull?” Ai me të lajthitë shumë, dhe udhëzon me të shumë (në rrugën e drejtë), por nuk lajthitë me të (tjetër kë), pos fasikët (mëkatarët e mëdhenj).

Shkaku i zbritjes së ajetit

Ibni Xherir Et-Taberiju në tefsirin e tij transmeton nga një grup i sahabëve që thonë: Pasi që All-llahu xh.sh. zbriti dy shembuj e qëparë në ajetet 17-18 dhe 19 të sures El Bekare, hipokritët thanë: All-llahu është më i lartë më i madh, për të sjellë këso shembuj, atëherë zbriti ajeti kur’anor i latëpërmendur: “All-llahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli..”.

All-llahu xh.sh. në Kur’anin fisnik sjell shembuj për njerëzinë me qëllim që njeriu të arrijë që sa më lehtë të konceptoj çështjen e besimit. Në këtë ajet All-llahu xh.sh. na tregon edhe për një fenomen tjetër, që është se pabesimtarët çështjen e shembullit e kundruan nga aspekti i përcipshmërisë, nga aspekti i botëkuptimit të interesit të kësaj bote, kur thanë: E ç’deshi All-llahu xh.sh. që përmendi mushkonjën, ajo është krijesë e dobët, të cilën mund ta vrasim thjesht me një rënie të dobët ! Do të kishte qenë më racionale që të kishte sjellë si shembull ndonjë kafshë të madhe, si elefanti, apo luani, e jo mushkonjën që është e dobët!. Këto shprehje dhe sjellje të tyre qesharake e nënçmuese, japin të kuptojmë se ata nuk e kuptuan qëllimin e shembullit, sepse ata u ndalën te pamja e jashtme, e jo te sekreti dhe preciziteti i krijimit të mushkonjës që e ka krijuar All-llahu xh.sh.

All-llahu xh.sh. thotë: إِنَّ اللَّـهَ لَا يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلًا مَّا بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا “All-llahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo” Nëse i marrim me radhë shpjegimet e ajeteve të kësaj sureje, vërejmë se në ajetet 17, 18 dhe 19 të kësaj sureje, All-llahu xh.sh. solli shembuj të mëdhenj, siç janë, bubullima, viktima, qielli, zjarri etj, e pabesimtarët dhe hipokritët sërish i injoruan, tani për kundër tyre All-llahu sjell një shembull një krijesë të imtë që është Mushkonja. Nocioni “jestehji – يَسْتَحْيِي” që në kuptimin gjuhësor do të thotë turp, porse në këtë ajet ka kuptimin e ngurrimit, lënies sepse në të shumtën e rasteve ngurrimi për një send është rezultat i turpit. Pra, All-llahu xh.sh. përmes këtij ajeti na e bënë me dije, se nuk do të ngurroj që për argumentim të besimit të sjellë shembuj as mushkonjën e as krijesa që janë edhe më të imta se ajo.

Sekretet e mushkonjës

Hipokritët dhe pabesimtarët sikur u revoltuan me përmendjen e mushkonjës, sepse ata tentonin që ta defokusojnë vëmendjen dhe ta zhvendosin atje ku nuk duhet, te pamja e saj, te fuqia e saj e jo te mrekullia e mushkonjës. Mushkonja vërtetë është një krijesë e vogël dhe e dobët për nga fizikaliteti i saj që mund ta mbysësh me një të rënë të thjeshtë, por mësimi nuk nxjerrët nga kjo dukuri. Mësimi nxirret nga preciziteti i krijimit të saj, nga fakti se trupi i saj është i vogël krijueshsmëria e saj është shumë e madhe nga Krijuesi absolut. Ata injoruan faktin se sa më e vogël të jetë madhësia e një produkti, aq më fuqishëm e tregon madhështinë dhe mjeshtërinë e prodhuesit. Sigurisht se ky ajet ishte nxitës për shumë shkencëtar që më vonë t’i qasen studimit të kësaj krijese, dhe ne në vazhdim po paraqesim vetëm disa karakteristika të sajë.

Mushkonja në trupin e saj të vogël, respektivisht në kokën e saj të vogël ka 100 sy, në gojën e saj ka 48 dhëmbë. Në trupin e saj ka tri zemra secila e pajisur me pajisje përkatëse. Ka gjashtë thika në hundën e saj ku secila ka funksion të veçantë. Ajo ka një sistem si ai infrared, me anë të të cilit dallon dhe zbulon prenë e saj me ngjyrë vjollcë. Nëse milingona e gjente prenë me anë të erës, mushkonja e gjen prenë me anë të ngjyrës.

All-llahu xh.sh. thotë: فَوْقَهَا فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ “Sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se është e vërtetë nga Zoti i tyre”.

Ky është qëndrimi i besimtarëve sepse ata kanë besuar se All-llahu Fuqiplotë është Krijues i vërtetë i çdo sendi, qofshin ato sende të imta apo të mëdha. Ata janë të vetëdijshëm se është çështje e All-llahut xh.sh. Ata pavarësisht nga aftësia e tyre e kanë apo nuk e kanë të qartë, i dinë apo nuk i dinë sekretet dhe urtësitë e asaj që është zbritur, parimisht ata besojnë në të. Ta marrim si shembull, besimtari islam e falë namazin me plotë bindje sepse është urdhër i All-llahut xh.sh. për ta falur, pavarësisht se kanë arritur apo jo të kuptojnë urtësitë dhe dobitë e namazit në aspektin fizik dhe psikologjik. Ata janë të sigurt në faktin se All-llahu i Lartësuar nuk i ka sjellë këto shembuj kot, por për urtësi të shumta e të dobishme. Ai i ka sjellë, me qëllim që krijesat të përfitojnë dije dhe përvojë, andaj edhe bjnë përpjekje për të medituar.

Pastaj ajeti vazhdon duke thënë: وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّـهُ بِهَـٰذَا مَثَلًا ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi All-llahu me këtë shembull?” Pabesimtarët ashtu siç kanë mohuar shpalljen edhe për çështjet tjera, ata kundërshtuan dhe shpërfillën edhe këto shembuj dhe kështu vetëm dëshmojnë për çoroditjen dhe rebelizmin e tyre. Prandaj ata në mënyrë ironike dhe cinike thonë: “Ç’deshi All-llahu me këtë shembull?”. Edhe në këtë rast sikur edhe në shumë raste tjera edhe përgjigja e All-llahut xh.sh. ndaj tyre ishte e menjëhershme duke u treguar se ky shembull është shkaku që atyre t’u shtohet lajthitja, kurse besimtarëve t’u përforcohet besimi i tyre, duke u thënë: “Ai me të lajthitë shumë, dhe udhëzon me të shumë (në rrugën e drejtë), por nuk lajthitë me të (tjetër kë), pos fasikët (mëkatarët e mëdhenj).

Ajeti Kur’anor përfundon duke thënë: وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ por nuk lajthitë me të (tjetër kë), pos fasikët (mëkatarët e mëdhenj)”. Vërejmë se nocioni “El Fisku- fasik” në kuptimin gjuhësor nënkupton; daljen nga një send, prandaj edhe miut i thuhet “Fuvejsika” për shkak se del nga vrima. Prandaj edhe All-llahu xh.sh. hipokritët dhe pabesimtarët i quan Fasikin për shkak të daljes së tyre nga nënshtrimi ndaj All-llahut Fuqiplotë dhe ligjeve të Tij. Këtë e vërejmë edhe në ajetin kur’anor kur All-llahu xh.sh. cilëson djallin (Iblisin) duke thënë:

وَإِذْ قُلْنَا لِلْمَلَائِكَةِ اسْجُدُوا لِآدَمَ فَسَجَدُوا إِلَّا إِبْلِيسَ كَانَ مِنَ الْجِنِّ فَفَسَقَ عَنْ أَمْرِ رَبِّهِ

 “(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”.[1] Nga kjo që u tha nënkuptohet se nga shembujt që i përmendi All-llahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë lajthiten vetëm hipokritët dhe pabesimtarët të cilët kanë dalë nga nënshtrueshmëria e All-llahut xh.sh..

Në përmbyllje të shpjegimit të këtij ajeti mund të përfundohet si vijon:

  • Përmendja e krijesave të imta si bleta, mushkonja, miza, merimanga, buburreci etj për pabesimtarët dhe hipokritët shihen si çështje të urryera, të pa nevojshme, bile shkonin deri në atë nivel saqë këto nuk i përmendnin as oratorët dhe vjershëtarët arab, kurse, për besimtarët shihen si argumente bindësi që vërtetojnë mrekullinë e krijimit që bënë All-llahu xh.sh.
  • Paraqitja e shembujve në Kur’an synon heqjen dhe evitimin e paqartësive dhe njëkohësisht i bënë vërejtje mendjes për madhështinë e krijimit nga All-llahu xh.sh.
  • Çështja e besimit dhe pabesimit (imanit dhe kufrit) nuk janë çështje që trashëgohen e as që imponohen, por janë zgjedhje e vetë personit, prandaj edhe mbanë përgjegjësi për gjithçka që vepron.

All-llahu xh.sh. thotë:

الَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ اللَّـهِ مِن بَعْدِ مِيثَاقِهِ وَيَقْطَعُونَ مَا أَمَرَ اللَّـهُ بِهِ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ أُولَـٰئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ ﴿٢٧

  1. “Ata që e thyejnë besën e dhënë All-llahut pasi që është lidhur ajo, dhe e këpusin atë që All-llahu ka urdhëruar të jetë e kapur (sa i takon fesë së All-llahut, monoteizmit Islam, dhe të praktikohen ligjet e saj në tokë dhe gjithashtu sa i takon të mbajturit e lidhjeve të mira me farefisin dhe miqësinë) e edhe bëjnë shkatërrime në tokë, të tillët janë ata të dështuarit”.

Në ajetet e para këtij ajeti All-llahu xh.sh. na lajmëroi se fasikët, të shfrenuarit janë larg nga rruga e All-llahut, prandaj në vazhdim përmes këtij ajeti na tregon edhe për cilësitë e tyre, të cilët i ka përkufizuar në tri cilësi që janë:

  • -Thayrja e besës së dhënë All-llahut xh.sh. pasi që ishte lidhur ajo,
  • Shkëputja e lidhjeve që All-llahu ka urdhëruar që të jenë të vazhdueshme, dhe
  • Shkatërrimi në sipërfaqen e tokës.

Pasi All-llahu xh.sh. na tregoi për cilësitë të shfrenuarave (fasikëve), menjëherë na tregoi edhe për dispozitën dhe pozicionin e tyre duke

thënë se, të tillët janë të dështuar. [2]

Ata janë të dështuar ngase kanë thyer besën me Krijuesin e tyre, që nënkupton se kanë humbur vijimësinë e besimit. Ata përveç se hanë ther besën me Krijuesin, kanë humbur edhe besën edhe para krijesave, dhe janë shndërruar që qenie të pabesueshme, e për të ruajtur identitetin e tre të rrejshëm bëjnë veprime djallëzore, merren me punë të liga, me fitne mes njerëzve etj. Mirëpo zbulimi dhe dështimi i tyre është i sigurt dhe i garantuar nga All-llahu xh.sh.

Ajeti është argument për besimtarët islam se dhënia e besës edhe përmes marrëveshjeve apo kontratave të ndryshme është detyrim islam dhe logjik dhe nuk lejohet asnjëherë therja e saj njëanshëm. Kjo thyerje apo humbje e besës përveç se sjell pasoja në jetën e botës tjetër, ajo sjell edhe pasoja juridike edhe në jetën e kësaj bote. Prandaj All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë në mënyrë eksplicite u drejtohet besimtarëve islam duke u thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَوْفُوا بِالْعُقُودِ

“O besimtarë! Plotësoni obligimet (marrëveshjet)!”[3]

[1] Suretu El Kehf, 50.

[2] Tefsiru Esh-Sha’ravi, 1/214

[3] Suretu El maide :01

Shkrime të ngjashme