Nga: Jusuf ZIMERI

Shpjegimi i ajeteve 24 – 25

All-llahu xh.sh. thotë:

إِنِّي إِذًا لَّفِي ضَلالٍ مُّبِينٍ إِنِّي آمَنتُ بِرَبِّكُمْ فَاسْمَعُونِ“Unë do të jem atëherë në një humbje të hapët. Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!

Po pra, sikur unë të mos besoja në besimin e këtyre pejgamberëve, në besimin në All-llahun një por të ndjekja rrugën tuaj të mosbesimin, atëherë unë do të isha në humbje të sigurt. Sepse fillimisht do të kisha humbur kënaqësinë e besimit në All-llahun xh.sh., do të kisha humbur përjetimin e besimit të vërtetë, do të kisha humbur edhe ndërmjetë-simin, do të kisha humbur ndihmën e All-llahut xh.sh. dhe mëshirën Tij, do të kisha humbur rrugën e drejtë, pra do të kisha humbur çdo gjë dhe nuk do të kisha qenë i shpëtuar. Kur Habib En Nexhari iu drejtua popullit të tij me këto fjalë, ata vërejtën dhe u bindës se ky njeri as që e ka ndërmend të tërhiqet nga besimi i tij, atëherë vendosën ta sanksionojnë me sanksion kapital. Vendosën dhe masakrojnë me formën më vandale. Habi En Nexhari kur vërejti kokëfortësinë e tyre se do ta ekzekutojnë, tha: “Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!”. Me këtë fjali ai ishte i bindur dhe i vendosur në besimin e tij, andaj sikur sinjalizoi se unë nuk tërhiqem nga kjo bindje, nga besimi në All-llahun Një, e ju veproni si të dëshironi sepse unë nuk jam në humbje.

Në çështjen se kujt iu drejtua habiti me këtë fjalë, pejgamberëve apo popullit të tij, komentuesit e Kur’ani kerimit i gjejmë të ndarë në mendime. Ibni Mes’udi thotë: Habibi me këtë fjali iu drejtua pejgambe-rëve duke u thënë se unë kam besuar All-llahut, e ju pra jeni dëshmitarë për imanin-besimin tim.[1] Pra o ju të dërguar dëgjoni fjalët e mia që po i them, që të dëshmoni për besimin tim te Zoti im.[2]

Imam Kurtubi si dhe Imam Taberiu në tefsiret e tyre regjistrojnë edhe një transmetim tjetër nga Ibni Is’haki nga ibni Abasi, nga Ka’bi e ky nga Vehb thuhet, se me këtë fjali Habibi i ishte drejtuar popullit të tij, duke u thënë: unë i kam besuar Zotit tuaj të cilin ju po e refuzoni, por dëgjoni fjalët e mia.

Gjithashtu dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme edhe për formën e ekzekutimit ë këtij njeriu që ia bëri populli i tij. Disa janë të mendimit se populli i këtij qyteti e ekzekutuan Habibib duke e gjuajtur me gurë deri në vdekje, disa janë të mendimit se e kishin hapur një gropë e pastaj e kishin mbuluar me dhe derisa vdiq, disa janë të mendimit se e kishin gjuajtur në një bunarë, disa janë të mendimit se e kanë djegur etj. Imam Et-Taberiu në tefsirin e tij regjistron një transmetim nga Ibni Humejdi, ky nga Seleme, nga Ibni is’haki, ky nga disa sahabe, se Abdullah b. Mes’udi r.a. kishte thënë: Habibin e kishin shkelur me këmbët e tyre, derisa fliqësira i kishte dalë nga trupi i tij.

Imam Taberiu gjithashtu sjell edhe transmetimin nga Katadete i cili ka thënë: Habibi e këshilloi popullin e tij e për shpërblim mori dënimin gjuajtje me gurë deri në vdekje. Për derisa ata e gjuanin me gurë për ta mbytur, ai pa ndërprerë thoshte derisa vdiq: O Zoti im, udhëzoje popullin tim, O Zoti im, udhëzoje popullin tim, O Zoti im, udhëzoje popullin tim. Këtu të nderuar ndoshta shihet dallimi diametralisht i kundërt mes dy ideve, atyre që kanë iman-besim, mëshirë dhe dashuri ndaj All-llahut xh.sh. dhe popullit të tyre, dhe atyre në që zemrat e tyre kanë mosbesimin, kufirin dhe urrejtjen ndaj çdo sendi e edhe ndaj vetes së tyre. Këtë sprovë e ka konfirmuar edhe Pejgamberi Alejhi-s-elam. në rastin kur ishte dëbuar nga Taifi, kur banorët e Taifit duke e përzënë e kishin gjuajtur me gurë dhe e kishin përgjakur Muhammedin Alejhi-s-elam, e ai në fund në vend se ta mallkojë këtë popull tha: O Zotim, udhëzoje këtë popull sepse ata nuk e dinë.

Sigurisht se këto mospajtime të dijetarëve islamë rreth formës së ekzekutimit nuk ulin aspak vlerën e ngjarjes, sepse që të gjitha këto forma vetëm vërtetojnë brutalitetin e kufarëve në ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm. Pra ajo që është e rëndësishme është se, Habibi është ekzekutuar nga banorët e vendit, dhe se ai kishte vdekur në rrugën e All-llahut xh.sh. duke bërë përpjekje për ta ngritë fjalën e All-llahut xh.sh.

Shpjegimi i ajetit 26

All-llahu xh.sh. thotë:

قِيلَ ادْخُلِ الْجَنَّةَ قَالَ يَا لَيْتَ قَوْمِي يَعْلَمُونَ

“Atij i është thënë: “Hyn në xhennet! e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,”

Besimtari islam i cili ka bindje të fortë dhe sinqeritet te All-llahu xh.sh. nuk i nënshtrohet asnjë imponimi në dëm të Krijuesit, ai nuk e gëzon askënd për ta hidhëruar All-llahun xh.sh. sepse ai është i bindur se të gjitha vështirësitë e kësaj bote do të harrohen në momentin kur i sheh begatitë e All-llahut xh.sh. që i ka përgatitur për të. Habibi i cili kishte ardhur nga skaji i qytetit për ti ndihmuar Pejgamberët e Allahut xh.sh. ishe viktimizuar për hir të së vërtetës, andaj edhe ishte normale që këtij njeriu t’i thuhet, urdhëro, hyn në xhenet. Meqë ky njeriu nuk kishte sakrifikuar për ndonjë interes individual, por sakrifica e tij ishte për popullin tij, sepse ky të vërtetën e kishte kuptuar por dëshironte që edhe populli i tij ta kuptojë të vërtetën e Islamit. Pikërish për këtë njeri transmetohen disa hadithe se Pejgamberi a.s. për të kishte thënë: All-llahu e mëshiroftë besimtarin Jasinit (këtë njeri që përmendet në suren Jasin) i cili e këshilloi popullin e tij gjatë jetës së tij e edhe pas vdekjes”.

Ky njeri i cili kishte pranuar ftesën e të Dërguarve të Allahut dhe prej momentin kur arriti të kuptojë të vërtetën e Imanit dhe kënaqësinë e tij, ai nuk ra nën ndikimin e të mirave të kësaj bote që ai t’i ftojë edhe vëllezërit e tij në këtë kënaqësi. Kjo ishte duke qenë në jetën e kësaj bote, porse i njëjti nuk u mashtrua as me begatitë botës tjetër, porse edhe aty shprehi dëshirën e tij duke thënë, ah sikur edhe populli im ta dinte këtë të vërtetë, ta dinë se cilat janë begatitë e jetës së botës tjetër.


[1] Kurtubiu, el xhamiu li ahkamil kur’ani adhim.

[2] Ibni Xherir Et Taberiu, Tefsiru Et-Taberij.

Shkrime të ngjashme