Shkruan: Jusuf ZIMERI
Kërkimi i ndihmës nga Allahu për
mbrojtje nga djalli
Çështja e parë për të cilën na udhëzon dhe urdhëron Pejgamberi [Alejhis-selam] që ta përdorim si mjet shumë të fuqishëm dhe efikas për mbrojtjen tonë, është kërkimi i ndihmës nga Allahu Fuqiplotë, që në terminologjinë e islamit njihet me nocionin “el istiadhe”. Përmes kësaj thënie besimtari islam kërkon mbështetje dhe mbrojtje ekskluzive prej Allahut xh.sh. që ta mbrojë nga të gjitha dëmtimet e mundshme pavarësisht nga e kanë gjenezën e tyre. Përmes kësaj shprehje, besimtari islam kërkon mbrojtje të sigurt për jetën e tij, shëndetin e tij, fenë e tij dhe për çdo gjë që është në dobi dhe interes të qenies njeri. Istiadheja (kërkimi i mbrojtjes) është një ndjenjë që liron besimtarin islam nga të gjitha çështjet që i urren, qofshin fetare apo jetësore. Kërkimi i ndihmës dhe mbrojtjes nga Allahu xh.sh. zakonisht bëhet për të gjitha gjërat që frikohet njeriu, jo vetëm nga djalli.
Pra, përmes istiadhes besimtari islam praktikisht demonstron besimin dhe bindjen e tij se për mbrojtës i mjafton All-llahu xh. sh., dhe atë që, Krijuesi e ka përfshirë në mbrojtjen e Tij, nuk ka mundësi që ta sfidojë ndonjë krijesë as nga bota e xhinëve e as nga bota e njerëzve. Përmes kësaj shprehje besimtari islam lirohet nga të gjitha energjitë negative. Kjo shprehje është mbrojtja më efikase e muslimanit nga ndikimi i djallit, nga xhinët dhe nga të gjitha forcat tjera të errëta, andaj atij i mbyllen të gjitha shtigjet e veprimtarisë dhe të manipulimit me shqiptuesin e kësaj fjale dhe nuk ekziston mundësia që ta pengojë nga zbatimi i urdhrave të Krijuesit absolut. Përmes kësaj shprehje Allahu xh. sh. e mësoi njeriun se, nëse dëshiron mbrojtje nga djalli, e vetmja mënyrë është ndihma dhe mbështetja tek Ai, andaj e urdhëroi njeriun duke i thënë:
وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ الشَّيْطَانِ نَزْغٌ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ العَلِيمُ
“E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej Allahut, se vërtet Ai është dëgjuesi, i dijshmi!” Fusilet : 36. ose ajeti:
وَقُل رَّبِّ أَعُوذُ بِكَ مِنْ هَمَزَاتِ الشَّيَاطِينِ
“Dhe thuaj: “O Zot i im, unë mbrohem me Ty prej cytjeve të djajve!” Mu’minun : 97
Përmes këtyre dy ajeteve kur’anore Allahu Fuqiplotë e mëson njeriun për mënyrën e mbrojtjes nga armiku i përhershëm dhe i përbetuar i tij, sepse ky armik nuk njeh gjuhë tjetër për komunikim me të, e as mirësi. Kjo nënkupton se, kur njeriu kërkon ndihmën e Allahut xh.sh. do të jetë më i fuqishëm edhe pse është i dobët, do të jetë më i mundshëm edhe pse është i pa mundshëm.
Besimtari duhet të jetë i durueshëm dhe i qëndrueshëm, nuk guxon që të bie në grackën e djallit dhe të hidhërohet për pakë e për shumë dhe të nevrikoset, sepse, një gjë e tillë është prej djallit të mallkuar. Lidhje me këtë në transmetimin nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë:
“Nuk është i fuqishëm ai që fiton në mundje (dyluftim), por i fuqishëm është ai, i cili mban (zoton) veten në momentet e hidhërimit” Buhariu dhe Muslimi.
Në hadithin tjetër të transmetua nga Sulejman ibn Suredi i cili ka thënë: Isha duke ndenjur me Pejgamberin [Alejhis-selam] kur dy burra u shanë mes veti njërit prej tyre iu skuq fytyra e tij dhe ju frynë venat e tij, Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] tha:
“Vërtet unë di një fjalë, nëse ai do ta thotë atë, do ti shkojë (do ti kalon) ajo, të cilën e ndjen”. I thanë atij; Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] thotë: “Kërko mbështetje (ndihmë) nga Allahu, që të mbroj prej djallit të mallkuar”. Buhariu dhe Muslimi
I Dërguari i Allahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Vërtet hidhërimi është prej shejtanit, e shejtani është i krijuar prej zjarrit, vërtet, zjarri fiket me ujë, andaj, nëse ndonjëri prej jush hidhërohet le të merr avdes”. Ebu Davudi
Istiadheja (kërkimi i mbrojtjes) përveç se është armë mbrojtëse e besimtarit islam, ajo konsiderohet edhe pastrim për gojën dhe gjuhën e tij nga ndyrësirat që i ka përbërë njeriu duke folur fjalë të liga apo që nuk i takojnë ti flasë një besimtar islam. Përmes istiadhes, praktikisht shprehet njohja e Fuqisë Absolute dhe mbështetja tek ajo Fuqi, e në anën tjetër njeriu pranon dobësinë dhe pamundësinë e tij për ti përballuar anomalive të përhershme gjatë jetës. Njeriu si krijesë e përsosur, jeton mes frymëzimit engjëllor dhe pëshpëritjes së djallit, andaj detyrimisht duhet të marrë qëndrim dhe të përcaktohet për njërën palë, prandaj me përcaktimin e tij që të kërkojë ndihmën e Allahut e pamundëson pëshpëritjen dhe cytjen e djallit duke mos i dhënë qasje atij.
Istiadheja ka ndikim të madh frymëzues në mendjen dhe shpirtin e njeriut dhe si e tillë ajo shkakton një siguri psikike edhe qetësim shpirtërorë në momentet e hidhërimit. Lidhje me këtë, Imam Nisaiju në koleksionin e tij regjistron një hadith të transmetuar nga Ubeje b. Ka’bi i cili ka thënë: u fjalosën dy njerëz te Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme], dhe njërit prej tyre nga hidhërimi i ishte skuqur edhe hunda, e i dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] në këtë rast tha: Unë e di një send, që i hidhëruari nëse e thotë këtë, do ti ikë ajo që e ka kapluar (hidhërimi), ta thotë fjalën “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim” Nesaiju.
Kurse në një hadith tjetër të regjistruar te Imam Buhariu i transmetuar nga Sulejman b. Sardi i cili ka thënë: Derisa ne ishim ulur te Pejgamberi [Alejhis-selam] u ofenduan dy njerëz mes veti, e njëri i skuqur nga inati dhe hidhërimi i tij, e ofendoi (shau) tjetrin, e Pejgamberi [Alejhis-selam] në këtë rast tha: “Vërtetë unë e di një fjalë sikur ta thotë (i hidhëruari), do ti shkojë hidhërimi, sikur ta thotë fjalën: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim”. Të pranishmit që ishin i thanë njeriut të hidhëruar. A nuk po e dëgjon çka po flet i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]? Mirëpo ai i inatosur tha: Unë nuk jam i çmendur.
Imam Muslimi në sahihun e tij regjistron ngjarjen e Othman b. Ebu As Eth-thekafiut i cili kishte ardhur te Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] dhe i kishte thënë: O i Dërguari i Allahut, vërtetë shejtani më është paraqitur mes meje dhe namazit tim, dhe më ngatërronte leximin e Kur’anit. I Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i tha: “Ai është shejtani i cili quhet Hanzeb, e kur të ndiesh se të është afruar, kërko mbrojtje nga All-llahu prej tij, dhe pështyje tri herë në anën e majtë”. Othmani tha: unë e bëra këtë që më mësoi i dërguari a,s, e Alllahu xh.sh. e largoi nga unë.
Përveç kësaj që u theksua, istiadhen Pejgamberi [Alejhis-selam] shpeshherë e përdorte edhe për mbrojtje nga punët e liga që e dëmtojnë besimtarin islam. Pejgamberi [Alejhis-selam] shpeshherë i citonte këto lutje: “O Zoti im, vërtetë unë kërkoj mbrojtje nga Ti që të më mbrosh nga varfëria, pakësimi dhe nënçmimi, poashtu kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos dëmtohem ose të dëmtojë” Ebu Davudi, Nesaiju dhe Ibni Maxheh. Pastaj lutja: O Zoti im, unë kërkoj mbrojtjen tënde nga pamundësia dhe përtacia, nga frika dhe pleqëria, nga ndëshkimi i varrit, kërkojë mbrojtje nga fitneja e jetës dhe e vdekjes. Buhariu dhe Muslimi
Istiadheja është edhe një formë e lutjes, pavarësisht se ajo bëhet për shoqërim të të mirave apo për mbrojtje nga të ligat dhe këqijat. E vërteta e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu xh.sh. është ajo kërkesë që në vete përmban kuptimin e besimit dhe bindjes në Zot. Kërkimi i ndihmës është i drejtë vetëm nëse kjo kërkesë me bindje dhe besim i drejtohet Allahut xh.sh. me mbështetje të plotë, sepse Allahu xh.sh. pranon nën mbrojtjen e Tij ata që i binden atij, që besojnë vetëm Allahun dhe që i nënshtrohen urdhrave të tij.