Shkruan: Prof. Jusuf  ZIMERI

Shqetësimi dhe brengosja (El Hemu vel huznu)

Nocioni “ar. El hemmu” që përmendet në hadithin e pejgamberit  [Alejhis-selam] nënkupton shqetësim, merakosje, tërheqje vëmendjesh, pra diçka që ngarkon vëmendjen dhe arsyen e njeriut duke i krijuar shqetësime dhe shkakton dekoncentrim të njeriut. Nga kjo nënkuptohet se ky lloj shqetësimi shkakton çrregullim dhe dekoncentrim mendor dhe shpirtërorë te njeriu. Nocioni “el hemu” në hadith synon shqetësimin e tepruar të njeriut për një çështje që do të ndodhë në të ardhmen. Dijetarët islam e kanë definuar si ngushtim i gjoksit për shkak të angazhimit të tepruar të mendjes për ndonjë çështje që do të ndodhë apo jo në të ardhmen. Pra, përmes këtij hadithi Pejgamberi  [Alejhis-selam] na e tërheq vëmendjen që të mos të mos angazhohemi së tepërmi duke menduar të ardhmen, por më shumë të veprojmë për të. Angazhimi i të menduarit pa ndërprerë si do të jetë ardhmëria për një punë të caktuar apo për shumë çka, nuk zgjidhë problemin, përkundrazi ngarkon trurin dhe stagnon aktivitetin fizik. Kjo nuk do të thotë se besimtari islam nuk duhet të planifikojë të ardhmen e tij, por për realizimin e planifikimit kërkohen veprime konkrete jo vetëm mendime psikike të pa konkretizuara në veprim. Këtë çështje disa dijetarë e kanë konkretizuar me një tregim ku thotë: Njërit i kishte vdekur vëllai dhe i kishte lënë pesë fëmijë. Vëllai i tij filloi të qajë e vajtojë rreptë, për çdo ditë vetëm qante. Një ditë e takoi një dijetar dhe e pyeti: ç’të bëjë, e kam hallin shumë keq, më ka vdekur vëllai dhe mi ka lënë pesë fëmijë, dhe unë nuk kam ushqim me çka ti ushqejë ata!? Dijetari e pyeti: Babai i tyre fare s’ka lënë pasuri (ushqim)? Tha: po ka lënë aq sa mund të ushqehen për një vit!. Dijetari i tha: Atëherë tash puno, e kur të vjen viti tjetër fillo të qash, herët ke filluar me qarë!

Pra, Pejgamberi  [Alejhis-selam] filloi me nocionin “ar. El hemmu-shqetësim” sepse shqetësimi dhe derti i tepruar në atë se çka do të ndodhë në të ardhmen, është ndërprerje nga puna dhe aktivitetet fizike konkrete. Ajo shpine në dembelizëm, në pesimizëm, në harxhim të kohës kot. Prandaj njeriu duhet të angazhohet me punë, konstruktivitet, sepse puna e çliron mendjen e njeriut nga stresi se çka do të ndodhë në të ardhmen.

Kurse nocioni tjetër ”ar. El huznu” nënkupton mërzitjen, brengosjen, trishtimin, pikëllimin etj. Ky term i përmendur në hadith për të cilin na urdhëron Pejgamberi  [Alejhis-selam] për të kërkuar ndihmën e Allahut xh.sh. për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje shpirtërore, paraqet hidhërimin dhe pikëllimin e thellë dhe të pa kontrolluar për një veprim që ka ndodhur apo që nuk ka ndodhur në të kaluarën.

Brengosja e tepruar për një çështje që nuk ka ndodhur, apo për një çështje pse ka ndodhur, përveç se paraqet anomali shpirtërore, ajo reflekton edhe dobësimin e besimit në Allahun Një. Pejgamberi  [Alejhis-selam] ka thënë: “Çdo send ka të vërtetën e vet, njeriu nuk mund ta arrij të vërtetën e besimit derisa të dijë dhe të besojë se ajo që i ka ndodhur nuk ka ndodhur me gabim, e ajo që i ka ndodhur me gabim nuk ka pasur me i ndodhë. (Ahmedi).

Pra, besimtari islam është i bindur se çdo gjë është në dorën e Allahut Fuqiplotë dhe nuk mund të ndodhë asgjë pa dëshirën dhe vullnetin Tij, prandaj nuk ka vend brengosja për çështjen pse ndodhi apo pse nuk ndodhi. Sa i përket pasojave psikofizike për atë që goditet nga këto dy gjendje shpirtërore e që shkakton plogështi dhe lodhje psikik dhe fizike janë relativisht të njëjta, dallimi mes këtyre dy nocioneve është se “hemmi” është gjendje që paraqet shqetësimin për një çështje në të ardhmen, kurse “huzni” paraqet shqetësimin për një çështje në të kaluarën, kurse pikëtakimi i këtyre dy gjendjeve është e tanishmja që e vuan njeriu.

Prandaj, nëse e lexojmë kur’anin famëlartë me vëmendje, me lehtësi vërejmë se Allahu xh.sh. përmes shumë ajeteve kur’anore na mëson që brengosjen dhe hidhërimin ta tejkalojmë me bindje dhe besim te Allahu xh.sh. sepse përndryshe pasojat janë të mëdha. Në mesin e atyre ajeteve kur’anore që nxisin në tejkalimin e fazës së hidhërimit dhe brengosjes, janë edhe ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

 “Mos tregoni ligësi dhe mos u pikëlloni! Se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. Ali Imran :139

Ky ajet kur’anor i ka zbritur Muhamedit  [Alejhis-selam] pas betejës së Uhudit në të cilën ranë dëshmorë një numër i madh i myslimanëve. Kjo disfatë shkaktoi hidhërim, dobësim dhe brengosje në zemrat dhe shpirtrat e myslimanëve. Ata përjetuan një shok për momentin duke menduar për atë që ndodhi dhe për atë që do të ndodhë në të ardhmen. Mirëpo, Allahu xh.sh. u tregoi atyre se si besimtarë të denjë nuk guxoni të bini pre e depresionit dhe pesimizmit të një gjendje e cila është kalimtare. Ju duhet të merrni mësime nga ngjarja dhe të veproni në mënyrë që të ngadhënjejë e vërteta islame dhe ju të jeni në pozicionet e larta ku meritoni të qëndroni si besimtarë të vërtetë.

Në ajetin tjetër Allahu xh.sh. thotë:

 “(Ti o Muhamed) mos u pikëllo për shkak të tyre, dhe mos e ngushto veten nga ato dredhia që bëjnë ata.” En-Neml : 70

Nga ajeti kur’anor kuptohet mos përgjigja e njerëzve thirrjes islame, paraqiste shqetësim për pejgamberin  [Alejhis-selam]. Gjithashtu edhe ofendimet dhe dredhitë që i bënin idhujtarët ndaj Muhamedit  [Alejhis-selam] shkaktonte pikëllim te Pejgamberi  [Alejhis-selam], por Allahu xh.sh. i inkurajon Muhamedin  [Alejhis-selam] me këto fjalë duke i thënë, s’ka pozicion pikëllimi, nuk meriton të pikëllohesh për shkak të gënjeshtrave të tyre dhe ofendimeve e as mos e ngushto veten nga dredhitë e tyre, sepse ti je nën përkujdesjen e Allahut xh.sh.

Të kësaj natyre ka edhe shuma ajete tjera në kur’nin fisnik, por është interesant të përmendet mendimi i Ragib El Esfehanit i cili në Mu’xhemin e tij thotë: Këto ajete nuk ndalojnë njeriun nga hidhërimi dhe brengosja, sepse hidhërimi dhe brengosja nuk janë dukuri që mund t’i zgjedhësh apo refuzosh, por ndalimi i vërtetë është ndalimi nga elementet që shkaktojnë pikëllimin, e që e robërojnë pastaj njeriun dhe ndjenjën e tij. Edhe hidhërimi është pjesë e myslimanit, bile në disa raste është edhe i kërkuar siç është rasti kur njeriu nuk kryen një detyrim fetar por ai duhet të jetë me masë dhe i kontrolluar. Pra hidhërimi duhet të jetë pozitiv e jo negativ. Dallimi mes tyre është se hidhërimi pozitiv nxitë në veprimtari konstruktive, kurse hidhërimi negativ shkakton sëmundje dhe depresion. Njeriu nuk mund ta kontestoj hidhërimin si fenomen nëse ekzistojnë shkaqet për hidhërim, por konsiderohet mëkatar nëse i nënshtrohet dhe dorëzohet fenomenit të hidhërimit.

Besimtari islam duhet ta kuptojë faktin se sprovat që shkaktojnë dhembje, mërzitje dhe brengosje për besimtarin islam, janë shkaqe për shlyerjen e mëkateve e jo hedhjen e besimtarit islam në mëkate. Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejamberit  [Alejhis-selam] ku thotë:

Çfarëdo që ta godet myslimanin nga fatkeqësia, sëmundja, hidhërimi, shqetësimi, brengosja, fatkeqësia saqë edhe një therë në trupin e tij, me të Allahu xh.sh. ka për ti mbulojë (falë) gabimet e tij”. Buhariu dhe Muslimi.

Prandaj, shqetësimi dhe brengosja si dy atribute konsiderohen si dy sëmundje për besimtarin islam, i cili ka për detyrim që të bëjë përpjekje maksimale për ti larguar apo më mirë thënë menaxhuar këto gjendje të rënda shpirtërore dhe fizike, përndryshe shumë lehtë mund të jetë viktimë e tyre. Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se këto dy gjendje psikologjike e shoqërojnë njeriun gjatë tërë jetës, andaj është i detyruar që gjithnjë të jetë vigjilent dhe ti mbajë nën kontroll të plotë këto gjendje duke kërkuar ndihmën e Allahut xh.sh.. Nëse njeriu arrin të mbajë kontroll të mjaftueshëm për këto dy gjendje dhe të shpëtojë prej tyre, derisa të hyjë në parajsë (xhenet) ku lutja e parë e xhenetlinjëve do të jetë:

 “E ata thonë: “Falënderuar qoftë All-llahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që falë shumë dhe është bamirës. Fatir: 34

 

Shqetësimi dhe brengosja, janë armiq të   shëndetit të njeriut

S’ka dilemë se shqetësimi dhe hidhërimi i tepruar i njeriut krijojnë një gjendje të rënduar psikologjike të njeriut dhe shkaktojnë çrregullime në sjelljen dhe veprimtarinë e njeriut. Prandaj shumë studiues janë të mendimit se shëndeti mendor është një gjendje qetësie psikologjike me të cilën njeriu i referohet pajtueshmërisë me veten e tij dhe me komunitetin e tij ku jeton, duke i ruajtur ekuilibrat e interesit personal dhe atij shoqërorë. Kjo gjendje është një proces dinamik ku ndodhin ndryshime dhe modifikime në sjelljen e njeriut, të shoqëruara me një ndjenjë lehtësimi dhe kënaqësie kur njeriu arrin atë që dëshiron dhe i përmbushë qëllimet dhe plotëson nevojat e tij individuale dhe shoqërore.

Shqetësimi dhe hidhërimi janë dy gjëra që shkatërrojnë shëndetin e njeriut dhe shkaktojnë depresion dhe ankth. Për këtë arsye, janë bërë shumë studime, analiza dhe hulumtime për të bërë diagnostifikimin dhe shërimin e këtyre sëmundjeve. Për të marrë një përgjigje sa më adekuate janë paraqitur mendime, ide dhe bindje të ndryshme. Kjo është një makth i madh që kërcënon njeriun bashkëkohor, përpjekjen dhe perspektivën e tij në përgjithësi, që ka kapluar një spektër të gjërë të shoqërisë njerëzore përfshirë këtu edhe myslimanët edhe jomyslimanët, edhe të varfrit edhe të pasurit, edhe meshkujt edhe femrat. Njerëzit dhe shoqëria njerëzore gjithnjë e më shumë po bëhet depresiv, duke mos ditur arsyen e depresionit. Një poet libanez thotë: “edhe njerëzit më depresiv, nuk e dinë shkakun e depresionit të tyre

Edhe pse shumë dijetarë, sociolog, filozof etj, janë marrë me çështjen e çrregullimit dhe depresionit, ata harruan të përmendin një nga shkaqet më të rëndësishme të shqetësimit dhe depresionit që është shkëputja e lidhjes së krijesës me Krijuesin dhe largimi nga të përmendurit të Allahut Fuqiplotë. Allahu xh.sh. thotë:

 “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. Taha: 124

Dijetari dhe komentuesi i njohur i Kur’anit, Ibni Kethiri në interpretimin e këtij ajeti kur’anor thotë: Ky ajet synon këdo që shkelë urdhrin e Allahut xh.sh. dhe atë që i ka zbritur të Dërguarit të Tij. Të tillët do të kenë ditë të vështira në jetën e kësaj bote, ata nuk do të kenë qetësi shpirtërore dhe rehati, do ti kenë gjokset e shtrënguara, do të kenë një jetë të brishtë dhe do të jetojë në ankth, për arsye se i janë shmangur udhëzimit hyjnor, kurse në jetën e botës tjetër do të ringjallen si të verbër.

Besimtarët islam të cilët kanë bindje te Allahu xh.sh. dhe që kanë lidhshmëri më të fortë me Allahun xh.sh., janë më të qetë, janë më optimist për të ardhmen, janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit dhe stresit, janë më rezistent ndaj presioneve psikologjike. Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë:

 “Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë si të ngjitej në qiell. Kështu All-llahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë”. El En’am: 124

Shkrime të ngjashme