Shkruan: Jusuf  ZIMERI

 

Një ditë i dërguari i Allaht [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] hyri në xhaminë e tij dhe aty e pa njërin nga Ensarët e që quhej Ebu Umame, dhe i tha: “O Ebu Umame, pse po të shohë ulur në xhami në një kohë kur nuk është kohë namazi”? Ebu Umame r.a. tha: Shqetësimi dhe borxhi im që kam më kanë detyruar të qëndrojë këtu o i dërguari i Allahut!  Atëherë Pejgamberi [Alejhis-selam] i tha: A ke gatishmëri t’i mësojë disa fjalë, që ti nëse i thua ato, Allahu do ta largojë shqetësimin dhe paguaj borxhin tënd?! I thash: Po, si jo o i Dërguari i Allahut ! Tha: “Çdo mëngjes kur të zgjohesh dhe mbrëmje kur të biesh në gjumë thuaj: O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde të më mbrosh nga shqetësimi dhe derti, kërkoj mbrojtjen Tënde të më mbrosh nga pafuqia dhe dembelizmi, kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga mjerimi dhe koprracia, kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave” Ebu Umame tha: Unë këtë këshillë e mora Pejgamberi  [Alejhis-selam] dhe e praktikova në jetën e përditshm, e Allahu xh.sh. ma largoi shqetësimin dhe borxhin tim. (Ebu Davudi-1555.

Transmetohet nga Enes Ibn Maliki r.a. i cili ka thënë: i kam shërbyer (bërë hizmet) të dërguarit të Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]. dhe shpeshherë e dëgjoja e ai e shtonte thënien: “O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde të më mbrosh nga shqetësimi dhe derti, kërkoj mbrojtjen Tënde të më mbrosh nga pamundësia dhe dembelizmi, kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga mjerimi dhe koprracia, kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave” Buhariu

 

Sqarim i përgjithshëm i hadithit

Në parim dihet fakti se Pejgamberi [Alejhis-selam] edhe pse ishte njeri që ishte i siguruar dhe kishte imunitet të garantuar nga Allahu xh.sh. sërish kishte ndiente nevojë imanente që të kërkojë ndihmë nga Allahu xh.sh., atëherë, s’do mend se nevoja e jonë për kërkim ndihme nga Allahu xh.sh. është edhe më e domosdoshme.

Në anën tjetër, për çdo gjë që Pejgamberi a.s. ka kërkuar ndihmën për mbrojtje nga Allahu xh.sh. dhe na ka urdhëruar neve të kërkojmë këtë ndihmë për mbrojte për ato çështje, ose janë cilësi të dhimbshme dhe me pasoja të rënda jo vetëm për shëndetin psikofizik të njeriut, por edhe për dëmtimin e cilësisë së jetës në këtë botë dhe botën tjetër, ose janë shkaqe që shpijnë në dhembshuri shpirtërore dhe fizike.

Kërkimi i ndihmës së Allahut xh.sh. për të na mbrojtur nga ato dukuri që i përmend hadithi i lartpërmendur sigurisht se është për shkak të ashpërsisë dhe seriozitetit të lëndimit shpirtërorë dhe fizik që sjellin ato dukuri nëse godasin qenien tonë. Këto goditje nga këto dukuri shkaktojnë plogështi fizike dhe shpirtërore tek njeriu. Shkaktojnë dekoncentrim dhe shtrembërim të mendimit, preokupim të zemrës dhe shpirtit të njeriut, dhe si të tilla shkaktojnë humbjen e shumë mirësive në jetën e kësaj dhe botës tjetër, prandaj meritojnë vëmendje kaq të madhe.

Dijetarët islam janë të mendimit se në këtë hadith dhe shumë të tjerë të ngjashëm me të, janë prova të mjaftueshme për preferimin e kërkimit të mbrojtjes nga Allahu fuqiplotë për të gjitha gjërat e përmendura dhe të tjerat në kuptimin e tyre.

Në hadithin e lartpërmendur vërejmë se Pejgamberi  [Alejhis-selam] jo vetëm që e ka shpeshtuar këtë lutje, por edhe na ka urdhëruar që edhe ne t’i lutemi Allahut fuqiplotë që të na mundësojë mbrojtje efektive prej këtyre dukurive që janë të dëmshme për njeriun. Dukuritë e përmendura në këtë hadith janë tetë, e që janë: shqetësimi, derti, pafuqia, dembelizmi, mjerimi, koprracia, rëndimi i borxheve dhe mbizotërimi i burrave. Mirëpo, nëse hadithin e kundrojmë me precizitet, vërejmë se edhe pse janë të përmendura tetë dukuri, ato janë të ndara në katër grupe, sepse i ka bashkuar nga dy dukuri që japin efekte të njëjta ose të ngjashme me njëra tjetrën. Kjo lehtë mund të vërtetohet nga konstrukti i fjalisë, që është shprehur Pejgamberi  [Alejhis-selam]. Në vazhdim do të bëjmë përpjekje që këto dukuri për secilën të japim sqarime në veçanti, por para se të fillojmë me shpjegimin e tyre, fillimisht të shpjegojmë çka është roli dhe rëndësia e kërkimit të ndihmës nga Allahu fuqiplotë, sepse kërkimi i ndihmës për mbrojtje nga punët dhe vetitë e liga ishte dhe ngeli nevojë imanente në të gjitha kohët, e veçanërisht sot në botën bashkëkohore kur shqetësimi, brengosja, pasiguria, plogështia shpirtërore dhe depresioni janë bërë dukuri shumë të shpeshta të shoqërisë njerëzore.

 Lutja dhe rëndësia e saj

Pejgamberi  [Alejhis-selam] përveç se na e mësoi besimin e pastër dhe çdo gjë që lidhet me të, na e mësoi islamin dhe çdo gjë që lidhet me të, na e mësoi moralin dhe shtyllat e moralit të pastër, nga ky hadith i lartpërmendur dhe shumë të tjerë vërejmë se, ai na mësoi edhe për formën dhe mënyrën se si duhet drejtuar – lutur Allahut xh.sh. që të përfitojmë nga ndihma e Tij.

Allahu i gjithëfuqishëm krijoi njeriun dhe, i dha çdo gjë që i nevojitet për jetë, për të adhuruar Krijuesin e tij dhe për të shfrytëzuar begatit e Tij në jetën e kësaj bote. Edhe pse e krijoi në formën dhe konstruktin më të përsosur, sërish e la të lirë në kryerjen e detyrimeve të tij, që ai të jetë adhurues dhe falënderues ndaj Allahut Një. Njeriu është i lirë, por nuk është i pavarur nga Allahu xh.sh. ai ka nevojë që të jetë në lidhshmëri të përhershme me Allahun xh.sh., në mënyrë që të jetë sa më i freskët, më vital dhe më i suksesshëm në ballafaqim me sfidat e jetës, të përballojë shqetësimet, hidhërimet, fatkeqësitë dhe peripecitë e jetës. Njeriu, pra gjithnjë ka nevojë për lutje te Allahu xh.sh. që ta ndihmojë në zhvillimin e jetës së tij me produktivitet dhe përmes kësaj veprimtarie të fitojë edhe jetën e botës tjetër. Allahu xh.sh. në kur’anin famëlartë thotë:

 “Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit i shmanget adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehenem”. Suretu Gafir: 60.

Në një hadith të transmetuar nga Nu’man b. Beshiri, i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: ”Lutja, është adhurim” e pastaj e lexoi ajetin e lartpërmendur. (Termidhiu nr. 3247)

Lutja te Allahu xh.sh., përveç se është dëshmi e lidhshmërisë së njeriut me Allahun xh.sh, ajo është edhe argument se njeriu është i mbështetur te Allahu xh.sh., dhe se ai vetëm prej Tij kërkon ndihmën e vërtetë. Ajo është dëshmi praktike se njeriu nuk i përkulet askujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Përmes lutjes njeriu zbrazë nga vetja energjinë negative të grumbulluar me kohë, dhe përfiton bindjen dhe shpresën për një veprimtari më konstruktive. Përmes lutjes njeriu ndien një qetësi dhe rehati shpirtërore, zgjeron gjoksin e tij, sepse përmes saj, largon ankthin, hidhërimin dhe depresionin. E ndien vetën të fuqishëm dhe të rivitalizuar për t’u ballafaquar me sfidat e jetës. Përmes lutjeve njeriu largon fatkeqësitë dhe sprovat sepse pejgamberi [Alejhis-selam] në hadithin e transmetuar nga Selman Farisiju r.a. ka thënë: “Asgjë nuk mund të ndryshojë përcaktimin e Allahut xh.sh., përveç lutjes (duasë) Termidhiu.

Në një hadith tjetër që e përcjell poashtu imam Termidhiu me transmetim nga Enes b. Maliki, pejgamberi  [Alejhis-selam] ka thënë: “Lutja, është truri i adhurimit”. Termidhiu.

Në përgjithësi thënë, dispozita e lutjes sipas islamit është Sunneti muekkede (sunet i përforcuar) sepse këtë e vepronte vazhdimisht pejgamberi  [Alejhis-selam]. Në një transmetim nga Aisheja r.a. ka thënë: Një dit i thashë Pejgamberit  [Alejhis-selam]: “O i dërguari i Allahut, lutju Allahut për mua!. Pejgamberi  [Alejhis-selam] tha: “O Zoti im, fale Aishen për mëkatet që i ka bërë dhe që do ti bëjë, ato që janë të fshehta dhe publike. Aisheja r.a. qeshi aq shumë saqë nga qeshja e lëshoi kokën në prehërin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme], e Pejgamberi  [Alejhis-selam] i tha: “a të gëzoi lutja ime?” Aisheja tha: Pse të mos më gëzojë lutja jote!. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]. tha: “Vërtetë kjo është lutja ime që unë e bëjë për ummetin tim në çdo namaz”.

Në lutje, ka të drejtë çdo njeri, mëkatar qoftë apo i devotshëm, çdo besimtarë dhe besimtare. Çdokush mund të lutet për veten e tij dhe për të tjerët, për familjen dhe dashamirët e tij, për umetin islam në përgjithësi, por lutja më e preferuar është lutja që bëhet për dikë tjetër që nuk është prezent në momentin e lutjes. Lidhje me këtë moment në hadithin e transmetuar nga Ebu Dardai r.a. i dërguari i Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]. ka thënë: “Kush lutet për vëllanë e tij, duke mos qenë ai prezent, Meleku që e shoqëron atë për të cilin është lutur, thotë “Amin”, edhe për ty qoftë e njëjta”. Muslimi nr. 2732.

Nëse shfletojmë me vëmendje Kur’anin fisnik vërejmë se Allahu xh.sh. na ka urdhëruar që të bëjmë lutje, dhe na ka premtuar për plotësim të kërkesave tona, e Ai nuk i ndryshon premtimet. Allahu xh.sh. thotë:

 “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” El Bekare: 186.

Shpeshherë njeriu i lutet Allahut xh.sh. dhe shpejton me vlerësime se është lutur por, Allahu xh.sh. nuk ja ka pranuar lutjen. Ky vlerësim është i gabuar dhe i pa bazë sepse Allahu xh.sh, ka premtuar në plotësimin e lutjeve tona, por ka një parim që detyrimisht duhet ditur. Njeriu nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ta përkufizuar të mirën e tij, prandaj shpeshherë njeriu vlerëson për diçka se është e mirë për të dhe i lutet Allahut xh.sh., por në realitet ai ka gabuar në vlerësimin e të mirës, dhe mos përgjigja nga Allahu xh.sh. në kërkesën e tij është plotësim i premtimit për plotësimin e të mirës së tij. Këtu nënkuptohet se vlerësohet vetëm parimi se njeriu e dëshiron të mirën, por ka gabuar në metodologji, dhe mos pranimi i kërkesës së tij nga Allahu xh.sh. është mirësi për të dhe plotësim dëshire.

Në anën tjetër, dijetarët islam kanë përcaktuar edhe disa kritere apo kushte për plotësimin kërkesave- lutjeve, e më të rëndësishme janë:

  • Sinqeriteti dhe bindja e plotë në kërkesën e tij. Allahu xh.sh. thotë:

 “Andaj, lutjuni Perëndisë duke i besuar Atij sinqerisht, madje, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” Gafir: 14

  • Koncentrim maksimal psikik dhe shpirtëror në momentin e lutjes në mënyrë që ajo të mos jetë vetëm një rutinë e përditshme.
  • Ruajtja nga haramet, siç janë ushqime, veshmbathje dhe në tërë veprimtarinë tij. Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. ka thënë: “Vërtetë Allahu xh.sh është i mirë dhe nuk pranon tjetër përveç të mirën. Vërtetë Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit e Tij, Allahu xh.sh. ka thënë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë, dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni, pastaj e përmendi një njeri që zgjatë duart e tij drejt qiellit dhe thotë: O Zot, O Zot, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshmbathja e tij haram, është ushqyer me haram, e si do ti përgjigjej Allahu xh.sh. atij.” Muslimi

Njeriu në çdo kohë dhe në çdo moment mund ti drejtohet Allahut xh.sh. me lutje, por ekzistojnë disa kohë dhe vende më të preferuara për lutjet, siç janë momentet e lutjes natën në pjesën e tretë të natës, lutjet duke qenë agjërueshëm, lutjet në kohën e sifirit, në kohën e iftarit, ditën e xhuma, duke qenë në Arefat, lutjet pas namazit, lutjet në sexhde, etj.

Shkrime të ngjashme