Kontrata e sigurimit sipas jurisprudencës islame (2)

Shkruan: Prof. Jusuf ZIMERI

Përkufizimi i kontratës së sigurimit

Që në fillim të theksojmë se përkufizimi i sigurimit si sistem ndryshon nga përkufizimi i sigurimit si kontratë[1].

Përkufizimi i sigurimit si sistem

Juristët me sigurimin si sistem kanë për qëllim “Ndihmën e sistemuar me një sistem preciz mes njerëzve të cilët i janë ekspozuar një rreziku të përbashkët. Nëse e godet një pjesë atëherë tërë shoqëria ndihmon në përballim me rrezikun duke sakrifikuar çdo kush një pjesë të vogël të pasurisë së tyre me të cilën mbulohen dëmet e atyre që janë goditur.[2]

Profesor Mustafa Ez-Zerka[3] sistemin e sigurimit e përkufizon si: “Koncepti i ndërtuar në mendjen e juristëve se, sistemi i sigurimit është sistem bashkëpunimi dhe solidariteti që shpien në copëzimin e rreziqeve dhe fatkeqësive që shpërndahet mes të siguruarve përmes kompensimit të dëmit që i bëhet të goditurit nga fatkeqësia nëse ka paguar primin, nga pasuria e përgjithshme në mënyrë që i dëmtuari të mos ngelë vetëm[4], ose: “Sistem kontraktues i ngritur mbi bazën e kompensimit që synon ndihmën për riparimin e dëmeve emergjente përmes organiza-tave me të cilat ekzistojnë kontrata dhe rregulla të qarta.[5]

Përmes këtij përkufizimi Dr. Mustafa Ez-Zerka bënë dallimin mes sigurimit si sistem dhe mes kontratave të sigurimit. Kjo nënkupton se Mustafa Ez-Zerka në parim lejon sistemin e sigurimit, e sa i përket kontratave të sigurimit, secila kontratë ka specifikat e saja dhe dispozitën e saj të veçantë.

Sistemin e sigurimit në parim e lejuan edhe juristë tjerë islamë, sepse nëse vërtetë intenca e sistemit të sigurimit është ndihma dhe humanizmi mes njerëzve, atëherë s’ka dilemë se Islami që nga fillimi ka ftuar në ndihmë dhe reciprocitet mes shoqërisë njerëzore. Sistemi islam në bërthamë ka sistemin e humanizmit dhe bujarisë. Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë:

وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ وَاتَّقُوا اللَّـهَ إِنَّ اللَّـهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi. Kini frikë dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.[6]

Për ndihmë mes veti të shoqërisë njerëzore, Islami ka rregulluar një sërë sistemesh që shpijnë në drejtim të kësaj çështje, siç janë:

  1. Sistemi i pagesës së dijes akile, kur shpagimin e gjakut për veprën penale të vrasjes me gabim që duhet dije, e ka shpërndarë si detyrim të familjes së dorasësit.
  2. Sistemi i intervenimit me pasurinë e zekatit për ata që janë të ngulfatur në borxhe,
  3. Sistemi i intervenimit nga pasuria e zekatit për ata që janë udhëtarë dhe kanë ngelur pa pasuri,
  4. Sistemi i shpenzimeve mes të afërmve dhe familjarëve që kanë nevojë,
  5. Sistemi i kefareteve (shpagimeve) dhe ndihmave tjera vullnetare, etj.

Pra të gjitha këto lloje të veprimeve gërshetojnë një sistem shumë funksional dhe shumë frytdhënës në sistemin e përgjithshëm të sistemit të sigurimit.

Përkufizimi i sigurimit si kontratë sigurimi

Kontrata e sigurimit (ar. Akdu et-te’min). Për ta pasur sa më të qartë këtë nocion që përbëhet prej dy fjalëve fillimisht do të bëjmë përkufizimin e fjalës “akdun – kontratë” e më pas edhe të fjalës “te’min – sigurim”.

Nocioni “ar. el akdu” në aspektin gjuhësor, është infinitivi i foljes “akade” që do të thotë: besë, premtim, kontratë, marrëveshje, traktat, nyje, lidhje, shtrëngim, etj. pavarësisht se kjo lidhje mund të jetë materiale apo vetëm kuptimore.[7] Nocioni “El akdu” në aspektin gjuhësor nënkupton edhe bashkimin e dy skajeve të një sendi.

Në të drejtën kontraktuese pozitive terminologjia e përcaktimit të kontratës nuk është unike[8], sepse përveç termit kontratë përdoren edhe termat: konventë[9], traktat[10], pakt[11], dakordim, dhe marrëveshje.

Juristët islam janë të mendimit se kuptimi linguistik i nocionit “el akdu” përfshihet edhe në kuptimin terminologjik të jurisprudencës islame, andaj sipas tyre nocioni “el akdu” (kontratë) mund të përdoret në dy kuptime, që janë

Kuptimi i përgjithshëm. Kuptimi i përgjithshëm i nocionit “el akdu” është më afër kuptimit linguistik. Në kuptimin e përgjithshëm me këtë shprehje nënkuptojmë “Çdo veprim që ka vendosur njeriu ta bëjë, pavarësisht se veprimi manifeston vetëm vullnetin personal, siç është rasti me shkurorëzimin, apo patjetër në të të manifestohet edhe vullneti i palës tjetër, siç është rasti me kontratën e shitblerjes, qirasë etj.

Kuptimi i veçantë. Në kuptimin e veçantë, të cilin do ta kemi edhe objekt të studimit tonë, me nocionin “el akdu” nënkuptojmë: “lidhjen (pajtueshmërinë e plotë) mes ofertës dhe pranimit në mënyrë të ligjshme ku vërtetohen detyrimet me lidhjen e saj (kontratës)” ose me fjalë tjera: lidhja, harmonizimi mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar dhe detyrimet vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate.[12]

Nocioni “Et-te’min – التَّأْمِين“ është infinitivi i foljes “ ar. emmene – juemminu” që do të thotë: qetësim, sigurim, e kundërta e frikës, qetësi zemërore[13]. Nocioni “ar. Te’min” në kuptim të qetësisë, sigurisë, qetësisë zemërore dhe shpirtërore, përmendet disa herë në Kur’anin fisnik, e në mesin e tyre ajetet kur’anore ku Allahu xh.sh. thotë:

الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

“I cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike”![14] pastaj ajeti:

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَـٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”.

Në përdorimin e mëtutjeshëm kjo shprehje u shndërrua në kuptimin e një kontrate të veçantë që lidhet nga kompanitë e sigurimit për sigurimin e pasurisë në rastet e fatkeqësive.

Prandaj juristë kontratën e sigurimit e definuan: Kontratë midis dy palëve, njëra quhet kompania e sigurimit dhe tjetra përfituese e sigurimeve sipas të cilës siguruesi (kompania e sigurimit) merr për sipër të paguajë përfituesit të sigurimit një shumë parash në rast të rrezikut të veçantë, në këmbim të detyrimit të të siguruarit për të paguar një shumë të caktuar parash.[15]

Ky përkufizim i kontratës së sigurimit mbulon vetëm kompanitë tregtare të sigurimeve. Nga kjo vërehet se fitimet e kompanive të sigurimit lindin nga diferenca midis kompensimit për përfituesit e sigurimit kur ndodh aksidenti dhe primet e paguara nga përfituesit për kompaninë e sigurimeve. Nga përkufizimi i sigurimit, gjithashtu mund të vërehet se kontrata e sigurimit është një nga kontratat e tregtimit të bazuar në rrezik, domethënë një kontratë përfundimi i së cilës është i panjohur, pasi që asnjë palë nuk di sa do të japë apo sa do të marrë.

Specifikat e kontratës së sigurimit

Për të cilësuar llojin dhe cilësinë e kontratës, varet kryesisht nga liria e marrëdhënieve kontraktuese që mundëson formimi i kontratës, varet nga këndvështrimi dhe prizmi nga i cili vrojtojmë kontratën dhe nga natyrshmëri e vetë kontratës.

Kontratën e sigurimeve juristët e cilësuan si:

  1. Kontrata e sigurimit në legjislacionin islam nuk gjendet në grupin e kontratave të quajtura kontrata të emëruar[16] (ar. Ukudul el musema), ngase është kontratë e relativisht e re, për dallim nga e drejta pozitive që këtë kontratë e konsideron si kontratë e emëruar.
  2. Kontratë detyruese e dyanshme, (bilaterale) sepse kjo kontratë duke marrë parasysh natyrshmërinë e saj nuk mund të jetë e interesit të një anshëm (unilaterale), ngase kjo kontratë me arritjen e saj prodhon detyrime ligjore. Nga kjo nënkuptohet se asnjëra palë kontraktuese nuk mund të tërhiqet nga kontrata pa pëlqimin e palës tjetër.
  3. Kontrata e sigurimit është kontratë konsensuale (ar. Ukud riadije). Kjo kontratë nuk mund të realizohet pa mbështetjen dhe pëlqimin e dy palëve kontraktuese që shprehet përmes ofertës (ar. Ixhabit) dhe pranimit (Kabulit).
  4. Kontrata e sigurimit është kontratë me kompensim të dy anshëm (ar. akdun muaveda) sepse secila palë merr për atë që jep dhe asnjëra palë nuk synon bamirësinë me dhënien e tij.
  5. Kontrata e sigurimit është kontratë hipotetike dhe imagjinare (ar. Ihtimalije) e nuk është nga kontratat që përcakton qartë çështjen kontraktuese, sepse palët në mënyrë hipotetike imagjinojnë një gjendje shkatërruese apo një katastrofë e cila nuk dihet se do të ndodhë, apo nuk do të ndodhë, prandaj ka epilog të pa qartë.
  6. Kontrata e sigurimit si kontratë ad’hezioni ose aderimi. Kjo do të thotë që kushtet e kësaj kontrate hartohen vetëm nga njëra palë që është pala siguruese, në formën e dëshmisë së sigurimit, për të gjitha llojet e kontratave të sigurimit dhe për çdo lloj objekti që sigurohet, ndërsa pala tjetër, i siguruari, zakonisht ka vetëm të drejtën e nënshkrimit të kësaj kontrate. Nga kjo dispozitë rezulton e qartë se kjo kontratë është një kontratë ad’hezioni ose aderimi sepse kushtet e kësaj kontrate hartohen nga siguruesi, ndërsa i siguruari ka vetëm të drejtën që të nënshkruajë ose jo atë, domethënë, ka vetëm të drejtën që të shfaqë vullnetin, nëse do ta lidhë ose jo këtë kontratë. Në lidhje me kontratat e ad’hezionit në literaturën juridike ka pasur dhe ka diskutime nëse në këto kontrata, autonomia e vullnetit të palës e cila nuk merr pjesë në hartimin e kushteve të kontratës është e lirë apo jo? Në lidhje me këtë çështje shumë jurist janë të mendimit se në kontratat e ad’hezionit, autonomia e vullnetit të palës e cila nuk merr pjesë në hartimin e kushteve të kontratës, është e kufizuar pasi kjo palë nuk shfaq vullnetin e saj në hartimin e kushteve të kontratës, por, është e detyruar që të pranojë ose jo kushtet e hartuara nga pala tjetër dhe, përderisa ndodhemi para faktit që të dy palët nuk janë në kushte të barabarta, kemi cenim të autonomisë së vullnetit të palës, e cila nuk merr pjesë në hartimin e kontratës[17].
  7. Rëndësia e afatit te kontrata e sigurimit. Elementi kohë është elementi thelbësor i kontratës së sigurimit. Koha e kontratës së sigurimit nënkupton kohën kur ajo fillon që të sjellë efektet e saj dhe është e domosdoshme që palët të parashikojnë në kontratë kohën se kur fillon përgjegjësia e siguruesit. Në praktikë kjo përgjegjësi e siguruesit fillon në momentin kur i siguruari paguan primin e sigurimit ose çmimin e sigurimit. Te kontrata e sigurimit afati ka rëndësi thelbësore dhe mungesa e përcaktimit të afatit të fillimit dhe mbarimit të kontratës, e bën kontratën të pavlefshme. Pra, vetëm me përcaktimin e kohës mund të bëhet edhe përcaktimi i pagesës nga pala e siguruar dhe sasia e pagesës nga siguruesi apo organizata që kryen sigurimin.
  8. Kontrata e sigurimit është kontratë Idh’ani, që nënkupton se palët nuk janë të barabartë në momentin e lidhjes së kontratës ngase njëra palë, e që zakonisht pala që siguron është më e fuqishme se pala e siguruar. Për këtë arsye ajo është pala e cila imponon kushtet e kontratës së sigurimit, kurse pala që dëshiron të sigurohet jo që nuk mund të paraqes ndonjë kusht por nuk mund as të mos pranojë ndonjë kusht që i paraqitet nga siguruesi.

Referencat

[1] Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 81.

[2] Es-Senhuri, el vestu fi sherhi el kanunin medenij, 7/1080, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[3] Dr. Mustafa Ahmed Ez-Zerka ka lindur në Halep të Sirisë vitin 1322h = 1904 m. Babai i tij ishte dijetari i madh Ahmed Zerka, autor i veprës “Sherh kavaidul Fikhije”, por edhe gjyshi i tij ishte nga dijetarët e mëdhenj Muhamed Zerkai, zinxhir ky të cilin Dr. Jusuf Kardavi e ka quajtur Zinxhiri i artë në dituri.

[4] Dr. Husejn Hamid Hasan, Hukmu esh-sheriatil islamijeti fi ukudi et-te’min f. 10, në studimin që e ka paraqitur në në festivalin Ditët e Ibni Tejmijes, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[5] Mustafa Ez-Zerka, Nidhamu et-te’min, f.19.

[6] Suretu El maide :02

[7] Sulejman Tomçini, Fjalor Arabisht-shqip, Isituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2009, Muhamed Revas Kal’axhi dhe Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara Arabij-inglizi, daru en-nefais, botimi dytë 1998, Bejrul-Liban

[8] Dr.sc. Nerxhivane Dauti, E drejta kontraktuese – praktikum-Universiteti i Prishtinës, Fakulteti juridik –Prishtinë, 2003.

[9] Termi konventë (convention) përdoret si sinonim i termit kontratë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve kur lidhen konventa të ndryshme për rregullimin e çështjeve midis dy apo më shumë shteteve, (shih Dr. Nerxhivane Dauti f.17)

[10] Traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit ndërmjet shteteve me qëllim të ndryshimit ose të ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. (po aty).

[11] Fjala pakt sot përdoret më së shumti për të drejtën ndërkombëtare, edhe pse në të drejtën romake përdorej për kontratën mes dy e më shumë palëve mbi bazën e vullnetit të tyre. Paktet janë marrëveshje shumë solemne që u referohen çështjeve të ndryshme politike. (po aty)

[12] Jusuf Zimeri, Kontrata mbi shitblerjen, f. 10-11, Shkup, 2017, Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu 4/80. Darul Fikri. (neni 1003-104 nga Mexhel-le el ahkamul adlijeti, red-dul muhar, Ibni Abidin 2/355.)

[13] Kal’xhi Muhamed Revas, Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara arabi inglizi, Daru en-nefais, tabatul ula 1405/ 1985. Bejrut, Liban.

[14] Suretu Kurejsh : 04

[15] Muhamed Revas Kalabij, Mebahith fil iktisadil islami fi usulil fikh, f.131. Mr. Zijad Ljakić –https://minber.ba/osiguranje-i-osiguravajua-drutva/.

[16] Kontrata e emëruar njihej edhe te romakët e vjetër. Në të drejtën romake kontrata e emëruar është ajo kontratë që në rastet e mosmarrëveshjeve mes palëve, palët kishin të drejtë të ngritin padi në gjykatë, ku gjykata do të sjellë vendime detyrimore për zgjidhjen e kontestin. (shih Muhamed Ez-Zuhejli, “el ukudu vel musemat” f.17.

[17] Luan Hasneziri, kontrata e sigurimit sipas kodit civil të Republikës së Shqipërisë, f. 15

Shkrime të ngjashme