Kontrata e sigurimit sipas jurisprudencës islame (3)

Shkruan: Prof. Jusuf Zimeri

 

Shtyllat e kontratës së sigurimit

Sikur edhe çdo kontratë tjetër, edhe kontrata e sigurimit ka shtyllat e saja, që janë pjesë përbërëse e kontratës e që janë:

  1. Palët kontraktuese. Palët kontraktuese janë: Personi – organizata e cila siguron (ar. El muem-minu المُؤَمِّنُ) që në të shumtën e rasteve është kompani ose shoqëri e sigurimeve, që siguron shërbime dhe detyrohet të paguajë kompensim material palës tjetër në raste fatkeqësie.
  2. Personi i cili sigurohet (El Muem-menu lehu ose El Muste’minu المُؤَمَّنُ لَهُ – المستأمن ) është pala e cila ka lidhur kontratë me organizatën apo shoqërinë e sigurimeve për të siguruar pasurinë në raste fatkeqësie apo katastrofe, dhe për sigurim paguan sasi të caktuar, varësisht nga marrëveshja në kontratë se do të paguhet për njëherë apo me këste.
  3. Fatkeqësia apo katastrofa (ar. El muemmenu did-dehu المُؤَمَّنُ ضِدَه), për të cilën pala që sigurohet ka frikës e do të ndodhë në të ardhmen, si, zjarri, tërmeti, apo diç tjetër, që disa juristë e emërtojnë me nocionin “e hataru- rreziku)[1]. Rreziku apo fatkeqësia është dukuri që nuk varet nga asnjëra palë kontraktuese, e që për realizimin e saj kushtëzohet që:
  4. Rreziku- fatkeqësia duhet të ndodhë në të ardhmen, sepse nëse fatkeqësia ka ndodhur, atëherë nuk mund të realizohet kontrata e sigurimit.
  5. Fatkeqësia – apo rreziku që do të ndodhë të mos jetë veprim i asnjërës palë.
  6. Pagesa (ar. El Bedlu البدْلُ ) e cila detyrohet të paguajë pala që sigurohet, palës siguruese.
  7. Kompensimi ekonomik (ar. Et-ta’vidul malij التعويض المالى) pasuria që detyrohet të paguajë siguruesi palës së siguruar në rastet kur ndodhë fatkeqësia apo katastrofa.
  8. Koha, (ar. Ez-zemenu الزمن) si element shumë i rëndësishëm që përkufizohet në kontratë, për sa vlen ky sigurim.

LLOJET E KONTRATËS SË SIGURIMIT

Meqë kontratat e sigurimit kanë pësuar një evolucion shumë të shpejtë në kohën bashkëkohore, atëherë juristët kanë vështirësi në përcaktimin e saktë të llojeve të kontratës[2], sepse ekzistojnë kritere të shumta për ndarjen e sigurimit kështuqë me kalimin e kohës në skenë po paraqiten edhe kontrata të ndryshme të sigurimit. Mirëpo, meqë intenca e sigurimit është sigurimi i personit të siguruar, se do të marrë një pjesë të pasurisë nga kompanitë e sigurimit dhe nëse kontratën e sigurimit e kundrojmë nga aspekti i formës së saj, tematikës dhe synimit, të kontratës së sigurimit.

Kontratat e sigurimit varësisht nga këndvështrimi i tyre ndahen në disa lloje, që janë:

  • Ndarja e kontratës së sigurimit nga forma e saj

Ndarjen e kontratës së sigurimit për nga forma e saj, e gjemë të definuar edhe vendimin për dispozitat dhe principet juridike islame për themelimin e sigurimit bashkëpunues me nr. 200 (21/6) lëshuar nga Akademia ndërkombëtare e Fikhut Islam lëshuar Kontrata e sigurimit për nga forma e saj ndahet në:

  1. Sigurimi i tregtisë, (konvencional) që synon fitimin.
  2. Sigurimi bashkëpunues dhe solidar që synon ndihmën reciproke mes njerëzve.[3]
  3. Sigurimi i tregtisë (ar. Akdu et-tixharij).

Sigurimi i tregtisë që disa e quajnë edhe sigurim konvencional është lloji më i përhapur i sigurimeve sot. Ky lloj i kontratës së sigurimit është kontratë bilaterale me kompensim që detyron të dy palët kontraktuese me efektet juridike që janë regjistruar në kontratën e sigurimit. Ky lloj i sigurimit ndryshe quhet edhe sigurimi me pagesë të caktuar të ratës (ar, et-te’minu bi kistin thabitin). Në literaturë kur lexojmë vetëm nocion “te’min – sigurim” pa cilësinë e saj nënkuptojmë këtë lloj të sigurimit.

Nën llojin e kontratës së tregtisë përfshihet sigurimi detar apo ujor, sigurimi ajror dhe ai tokësor. Kjo kontratë është kur i siguruari ka për detyrim të paguaj sasinë e përcaktuar siguruesit. Kjo kontratë paraqitet për organizatën që grumbullon një numër të madh të siguruarve, por në këtë sigurim nuk bënë pjesë edhe pala që siguron, sepse ata paguhen nga fitimi i organizatës. Ky lloj i sigurimeve sot aplikohet më së shumti në shoqërinë njerëzore.[4]

  1. Sigurimi bashkëpunues (operativ – solidar ar. te’min et-teavunij التأمين التعاوني ).

Ky lloj i kontratës së sigurimit është kur bashkohen një grup njerëzish, themelojnë një organizatë apo shoqëri humanitare, për të qëndruar përballë ndonjë rreziku kërcënues dhe për të siguruar nevojat e atyre që anëtarësohen në këtë organizatë. Anëtarët e kësaj organizate, në këtë organizatë paguajnë anëtarësi në bazë vullnetare që me atë pasuri të intervenohet në ndonjë fatkeqësi që e kaplon ndonjërin nga anëtarët e saj. Me pasurinë e grumbulluar nuk synohet të investohet diku apo të bëhet ndonjë tregti ose ndonjë fitim. Në rastet kur pagesat nuk mjaftojnë për të kompensuar dëmin, anëtarët angazhohen që në bazë vullnetare të mbledhin sasinë e nevojshme, por në rast se teprojnë të mirat materiale nga pasura e grumbulluar, ajo u kthehet anëtarëve të saj. Në këtë rast secili anëtar është sigurues dhe i siguruar, edhe pse ky lloj i sigurimit sot aplikohet shumë pak.

Dallimet mes kontratës së sigurimit të tregtisë
dhe bashkëpunuese (teavunij).

Në bazë të analizave që kanë bërë juristët islam dallimet mes këtyre dy llojeve të kontratave janë dallim esenciale e jo vetëm formale. Prandaj ne në vazhdim do të paraqesim disa nga dallimet më kryesore mes tyre, që janë:

  1. Kontrata e sigurimit të bashkëpunimit (te’minu et-teavunij) është kontratë dhurimi vullnetarë përmes së cilës synohet bashkëpunimi dhe ndihma, për dallim nga kontrata e sigurimit tregtar (te’minu et-tixharij) që është kontratë këmbimi me probabilitet të lartë.
  2. Kontrata e sigurimit bashkëpunues konsiderohet ndihmë mbi bazë vullnetare e një grupi të njerëzve ose disa grupeve mes veti, që janë marrë vesh për t’u ndihmuar mes veti në rast të një fatkeqësie dhe nuk synon kurrfarë fitimi me fondin e grumbulluar, prandaj edhe nuk konsiderohet kontratë këmbimi, për dallim te kontrata e tregtisë e cila është kontratë këmbimi dhe synon edhe fitimin nga pasuria e palës tjetër.
  3. Në kontratën e sigurimit të bashkëpunimit vërejmë se dy palët kontraktuese si siguruesi ashtu edhe i siguruari janë si një palë, për dallim nga kontrata e sigurimit të tregtisë që personin e siguruar e trajton si palë të jashtme të saj.
  4. Në kontratën e sigurimit të bashkëpunimit nuk synohet fitimi por ndihma, prandaj nëse ndodhë ndonjë fatkeqësi dhe intervenohet me fondin e tubuar për këtë çështje dhe në fund konstatohet se në fond kanë tepruar mjete, këto mjete u rikthehen anëtarëve ose ata merren vesh që të ngelin si preventivë edhe për ndonjë çështje tjetër, për dallim nga kontrata e sigurimit të tregtisë me të cilën synohet fitimi dhe anëtarëve asnjëherë nuk u kthehet nga fondi i grumbulluar.
  • Ndarja e kontratës së sigurimit për nga tematika e saj

Kontrata e sigurimit për nga tematika e saj ndahen në:

  1. Sigurimi nga dëmet (ar. Te’minul Edrar).

Ky lloj i sigurimeve përfshinë rreziqet që dëmtojnë pasurinë e të siguruarit, dhe me të synohet kompensimi i dëmit që e ka goditur të siguruarin për shkak të ndonjë fatkeqësie. Edhe ky lloj i sigurimit ndahet në dy lloje që janë:

  1. Sigurimi i sendeve që nënkupton sigurimin e pronës së të siguruarit nëse goditet nga ndonjë fatkeqësi, siç është sigurimi nga zjarri, vërshimi, vjedhja, ngordhja e kafshëve dhe fatkeqësi tjera. Sigurimi nga dëmet sipas sistemit të sigurimit të tregtisë është veprim i ndaluar, për dallim nga sistemi i sigurimit teavunij që këto raste i trajton si mirëbërësi ndaj dëmeve e këtë e ka në konsideratë islami, sepse dihet qëndrimi i Islamit ndaj pandemive të ndryshme.
  2. Sigurimi i përgjegjësisë (ar. Te’min milen mes’ulije). Ky lloj sigurimi siguron të siguruarin kundër rekursit që mund të pësojë pala e siguruar nga palët e treta për shkak të asaj që u ka ndodhur atyre, siç janë aksidentet automobilistike, aksidentet në punë, etj.

Ky lloj i sigurimit në vete ngërthen edhe sigurimin, i cili synon mbulimin e rreziqeve që i paraqiten anijeve dhe mallrave që transportohen me anijet. Mes sigurimit detar dhe atij tokësorë paraqitet edhe sigurimi i transporteve që bëhet përmes lumenjve. Po ashtu, përfshihet edhe sigurimi tokësor ajror dhe tokësorë.

  1. Sigurimi i personave (ar. Te’minul eshhas).

Ky lloj i sigurimit përfshinë të gjitha llojet e sigurimeve që lidhen me personin e siguruar dhe ka për qëllim pagimin e një shumë të caktuar nëse paraqitet një rrezik i caktuar. Ky lloj sigurimi është sigurimi që e lidhë njeriu kundër rreziqeve që i kërcënohen trupit të tij, siç është vdekja, humbja e ndonjë gjymtyre të trupit, sëmundjes, pleqërisë etj. Në këtë lloj të sigurimit përfshihen shumë gjëra, por më të rëndësishme janë këto sigurime[5].

  • Sigurimin në rastin e vdekjes (ar. et-te’minu li halil vefati). Ky lloj i kontratës është kur i siguruari detyrohet të paguaj një shumë të caktuar që me rastin e vdekjes të siguruesit t`i paguajë shumën trashëgimtarëve të të vdekurit apo dikujt tjetër.
  • Sigurimi kur ka jetë të gjatë. Ky lloj i sigurimit bëhet kur siguruesi detyrohet të paguajë një shumë të caktuar të siguruarit nëse ai jeton një kohë të gjatë, pra nëse jeton më shumë se një moshë të përcaktuar. Nëse i siguruari vdes para asaj date të caktuar, siguruesi nuk ka kurrfarë detyrimi t`i paguajë të siguruarit.
  • Sigurimi i kombinuar (përzier). Ky lloj i sigurimit është kur bëhet kombinimi mes dy llojeve të sigurimeve të mëparshme ku siguruesi është i detyruar të paguaj shumën e siguruar qoftë në një datë të caktuar të vetë siguruarit nëse ai mbetet i gjallë deri në atë datë, ose të paguaj për trashëgimtarët e të siguruarit nëse ai vdes para asaj date. Primi në këtë lloj të sigurimit është më i madh se në dy llojet e mëparshme.
  • Sigurimi për aksidente fizike. Në këtë lloj të sigurimit, siguruesi është i detyruar të paguajë një shumë të caktuar të siguruarit, nëse ka pësuar ndonjë lëndim gjatë kohës së siguruar, ose t’i paguajë palës së përcaktuar nëse vdes nga aksidenti.

 

  • Ndarja e kontratës së sigurimit për nga gjithpërfshishmëria dhe specifika e saj

Kontrata e sigurimit shikuar nga gjithpërfshishmëria dhe specifika e saj, ndahet në:

  1. Sigurim individual (ar. Te’minul ferdij). Sigurim individual është kur individi si palë e kontratës kërkon sigurim nga ndonjë organizatë për veten e tij për ndonjë rrezik të përcaktuar. Ai kërkon siguri nga organizatat siguruese.
  2. Sigurim kolektiv (ar. Te’minul ixhtimai) është kur një grup njerëzish kërkojnë sigurime dhe përfitime nga organizatat siguruese.

Disa juristë bashkëkohorë islamë kontratën e sigurimit në konceptin islam e ndanë në tre lloje, që janë:

  1. Sigurim bamirësie (humane) (ar. Te’minul hajrij),
  2. Sigurimi bashkëpunimi solidariteti (ar. Te’minu et-teavunij),
  3. Sigurimi i tregtisë (ar. te’minu et-tixharij).[6]

[1] El iskenderij, Et-te’minu envauhu el muasire – f. 51

[2] Dr. Abdulvedud Jahja, Et-te’minu alel hajat, f.18 Dr. Rexheb Abdutevak Kudvani, nadharijtu et-te’min et-teavunij fi esh-sheriatil islamije vel kanunin vad’ij , – dirase mukarene, f. 83, disertacion doktorature e lejuar në Fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Kajros vitin 1987.

[3] Vendimi nr. 200(21/6) i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam lëshur më datën 22 Nëntor 2013.

[4] Prof. Dr. El Husejn ibn Muhamed Shevat dhe Dr. Abdulhak Hamish, Ba’du ahkam et-te’min, https://www.alukah.net/sharia/.

[5] Sulejman in Ibrahim in Thenjani, Et-te’minu ve ahkamuhu, f. 72

[6] Prof. Dr. Muhamed Nexhatullah Sadiki, et-te’minu fil iktisadil islami, Kulijetul iktisadi vel idareti – xhamiatul el Melik Abdulaziz Xhedde, bot. Merekzu en-neshrul ilmij, Xhede.

Shkrime të ngjashme