Prishja e Kurorës me gruan, lidhja e kurorës me gruan e djalit !!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

T’ua them të drejtën, këtë fjali asnjëherë se kisha paramenduar, por ja që ndodhi edhe kjo. Kjo fjali është pjesë e një pyetje që ma parashtroi një djalë i ri mysliman, ku kërkonte dispozitën islame rreth këtij fenomeni. Kërkova pak sqarime në pyetje e ai më tha: Hoxhë ef. cila është dispozita islame nëse një prind që merr pension të majmë nga Zvicra apo Gjermania apo diku tjetër, në pleqëri shkurorëzon gruan e tij të moshuar, dhe në vend të sajë kurorëzon gruan e djalit (renë) me qëllim që pas vdekjes së tij pensionin e tij të majmë nëpërmes resë ta shfrytëzoj djali ?

Fillimisht më mahniti kjo pyetje dhe i thash: Kjo është pyetje hipotetike apo rast i cili ka ndodhur diku ? Ai më tha: raste të tilla ke sa të duash në popullin tonë, andaj po pyes,

O Zot, mendova vetë me vete, a edhe kjo paska bërë vaki në popullatën tonë, edhe kjo po bëka vaki te Ummeti i Kur’anit, te populli shqiptarë që krenohet me traditën e tyre të lashtë në ruajtjen e moralit familjar !!

Fillimisht përgjigja ishte shumë e shpejtë dhe e shkurtë, duke i thënëË ky njeri që ka bërë këtë punë paska shitur botën tjetër për këtë botë.  Sipas normave të Kur’anit Fisnik  dhe të sunetit të Pejgamberit a.s. dhe sipas dispozitave të sheriatit islam mbi të cilat ndërtohet  dhe ngritët morali islam i besimtarëve islamë. Kurorëzimi apo lidhja e kontratës së martesës me gruan – bashkëshorten e pasardhësit është e veprim i ndaluar (Haram) kurse kontrata është e kotë, por personi bartë përgjegjësinë juridike dhe përgjegjësinë islame para Allahut xh.sh. për pasojat e saja.  Pasardhës sipas Islamit që ndalohet martesa me gratë e tyre llogaritet gruaja e djalit ose e djalit të djalit (nipit), ose gruaja e djalit të vajzës. Nëse biri apo nipi ka hyrë dhëndër me të dhe janë ndarë apo i ka vdekur burri, martesa me të ndalohet përgjithmonë. All-llahu xh.sh. thotë: “…dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj  që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar).

Jo vetëm kaq, pra jo vetëm që ndalohet martesa me gruan e djalit që është pjellë drejtpërdrejtë e tij, por ndalohet edhe martesa me gruan e djalit – pasardhësve nga qumështi, siç është bashkëshortja e birit dhe birit të bijës prej qumështi e tatëpjetë. P.sh., nëse një foshnjë ka thithur tek një grua dhe nëse është mashkull konsiderohet biri i saj prej qumështi, si dhe bir prej qumështi i këtij burri. Nuk lejohet për këtë burrë të martohet me bashkëshorten e këtij djali prej qumështi.

Çështja tjetër që duhet vlerësuar është prishja e kontratës së martesës me gruan e parë, sepse kontrata e martesës konsiderohet e prishur qoftë edhe nëse është vetëm formale, apo për shkak të letrave siç arsyetohet populli i jonë. Pejgamberi a.s. këtë çështje e ka definuar atëherë kur ka thënë: Janë tri gjëra serioze që edhe shakaja në llogari të tyre është serioze: kurorëzimi, shkurorëzimi dhe rikthimi i gruas.”

Pasoja tjetër që është po ashtu shumë me rëndësi për besimtarin Islam është se tërë atë pasuri – pension që e merr konsiderohet pasuri e haramit, sepse fillimisht është duke u marrë në bazë të gënjeshtrës, mashtrimit dhe falsifikimit, e çdo gjë që ndërtohet mbi këtë bazë është e ndaluar.

Allahu na ruajt nga e keqja dhe e liga, po edhe më tutje ngeli i mahnitur me këtë veprim dhe kisha dashur të jetë vetëm çështje hipotetike e jo realitet, sepse nuk e kam të qartë si është e mundur që një mysliman që ka shkuar në haxh, shkon në xhami, falë namaz, agjëron etj, dhe ta bëjë këtë akt të shëmtuar e edhe më tutje të shpresoj se është mysliman i mirë dhe i ndershëm. Nëse nuk ka gajle të islamit, atëherë si është e mundur që një shqiptar që paraqitet se është shqiptar i vërtetë, patriot e atdhetar të marrë nëpërkëmbë moralin familjar dhe të mendoj se edhe më tutje është atdhetar e patriot. E nëse nuk ka gajle për asnjërën prej këtyre dy çështjeve, atëherë është shndërruar në kafshë, e për kafshët nuk vlejnë këto ligje.

Shkrime të ngjashme