Rrethanat shoqërore – politike në RMV, në kohën e daljes së revistës- gazetës “Hëna e Re”

Jusuf Zimeri drejtor i Sektorit Fetaro Arsimor pranë Rijasetit të BFI-së në RMV

Allahu xh.sh. thotë:

وَلَا تَسْأَمُوا أَن تَكْتُبُوهُ صَغِيرًا أَوْ كَبِيرًا إِلَىٰ أَجَلِهِ  ذَٰلِكُمْ أَقْسَطُ عِندَ اللَّهِ وَأَقْوَمُ لِلشَّهَادَةِ وَأَدْنَىٰ أَلَّا تَرْتَابُوا

Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te All-llahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit

 El Bekare 282

Pejgamberi a.s. ka thënë:

عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” قَيِّدُوا الْعِلْمَ بِالْكِتَابِ”

Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:  
Lidhne diturinë përmes shkrimit”

Një proverb thotë:
“Pena është ambasadori më i mirë i mendjes, lajmëtari i saj më fisnik, gjuha e saj më e mprehtë dhe interpretuesi më i mirë i saj”.

Të nderuar të pranishëm, çështjet jo gjithmonë vlerësohen sipas volumit të tyre, porse ato vlerësohen për nga esenca e tyre, përmbajtja dhe cilësia, ndikimi dhe reflektimi i tyre roli dhe rëndësia e tyre në shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe atë islame në veçanti.

Për të vlerësuar një ngjarje dhe për të pasur deduksione të shëndosha logjike dhe faktike, detyrimisht ngjarja duhet të analizohet dhe vlerësohet në kontekstin kohorë, rrethanat shoqërore, politike, sociale etj, kur ka ndodhur ngjarja, sepse në të kundërtën nuk përfitojmë asnjë përfundim të shëndoshë as logjik e as shkencor.

Dekada e tetë e shekullit XX-të praktikisht është edhe dekada e fundit e sundimit të sistemit monist në Republikën e Maqedonisë, respektivisht të Jugosllavisë së atëhershme. Kjo dekadë për myslimanët e me theks të veçantë për shqiptarët Maqedonisë, shpalosë shumë kujtime por edhe trishtime që i kemi kaluar mbi supe tona[1].

Me fillimin e demonstratave të Marsit 1981 në Prishtinë nga studentët e Universitetit të Prishtinës, gjendja edhe ashtu e brishtë në territoret shqiptare, filloi të rëndohet edhe më shumë. Kjo ishte arsye edhe pse banale, pushteti sllavo komunist në Republikën e Maqedonisë kishte nisur një fushatë të egër kundër çdo elementi që ishte shqiptar dhe islam, duke filluar nga presionet psikike e deri te dhuna fizike, arrestimet e edhe vrasjet.

Në Republikën e Maqedonisë u gërshetuan politika shoviniste serbo-maqedonase që kishin për qëllim nxitjen e ndjenjës së shqiptarofobisë dhe të krijojnë një opinion se jeta e përbashkët me shqiptarët është e pamundshme, prandaj detyrimisht duhet ekzekutuar politika të dhunshme me qëllim të largimit të tyre nga këto vende dhe të asimilimit të tyre sa më shumë të jetë e mundur. Prandaj gjatë këtyre viteve sistemi i egër shovenis sllavo-maqedonas, ushtroi politika diskriminuese ndaj popullatës shqiptare dhe islame në RM. Dhuna, presioni, urrejtja, diskriminimi, ndaj shqiptarëve ishin veprime të përditshme, por si politika diskriminuese të elaboruara nëpër institucionet komuniste sllavo-maqedone dhe që u zbatuan në formë të organizuar, unë do të potencoj vetëm disa prej tyre.

Kampanja për uljen e natalitetit.

Politikat institucionale shtetërore të RM, gjatë viteve të tetëdhjeta kishin nisur një fushatë të gjërë antish-shqiptare, e që në realitet ishte antinjerëzore, e që ishte fushata kundër natalitetit të popullatës islame –shqiptare dhe në anën tjetër pro natalitetit sllavo-maqedon. 

Në realitet, nataliteti i mirë i popullatës shqiptare ishte i vetmi faktorë që mbante gjallë dhe rriste krenarinë e popullit shqiptar, sepse po të mos kishte qenë nataliteti i madh, ndoshta sot, vërtetë do të kishim qenë pakicë, siç dëshirojnë të tjerët.

Familja shqiptare në RSM gjatë këtyre viteve e kishte të kufizuar lindjen e fëmijëve maksimumi në tre fëmijë, e nëse lindë fëmija i katër, atëherë ky fëmijë nuk posedon asnjë të dejtë sociale me të cilën lindë çdo fëmijë. Fëmija i katër ishte i diskriminuar sepse edhe shërbimet sociale dhe shëndetësore për të ishin të dorës së dytë dhe me pagesë private. A ka diskriminim më të madh dhe më të rëndë se ky ?!

Diferencimet ideo-politike

Kështuqë, që në vitin 1981 filluan diferencimet e para ideo-politike të shoqëruara me procese të montuara politike ndaj nëpunësve shqiptarë e me theks të veçantë ndaj profesorëve dhe mësimdhënësve shqiptar, duke sjellë rregulloren ku evidenca dhe procedurat pegadogjike duhet të bëhen në gjuhën maqedone dhe shqipe. Ata që nuk u pajtuan me këtë rregullore u dënuan me kundërvajtje penale që merrnin dënime prej 60 ditë deri në pesë vjet burg.

Gjatë viteve 1985/86  filloi të aplikohet edhe modeli për aplikimin e “reformave” të filluara enkas për arsimin e mesëm, ky në emër të njëfarë “vëllazërim-bashkimi” filluan formimin e paraleleve të përziera me maqedon dhe shqiptar ku mësimi duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedone.

Si rezultat i këtij presioni ndaj nxënësve, mësuesve dhe prindërve në vitin 1988 në Republikës socialiste të Maqedonisë u mbyllën të gjitha paralelet e shkollave të mesme në gjuhën shqipe dhe në vend të tyre u hapën të ashtuquajturat “paralelet e përziera” ku mësimi zhvillohej vetëm maqedonisht. Si arsye për këto masa represive kundër arsimit shqip, sipas Komitetit Republikan për Arsim dhe Kulturë Fizike në RS të Maqedonisë ishte gjoja:

  • Rezistenca e nxënësve shqiptar për mësim në gjuhën maqedonase,
  • Niveli i ulët i njohjes së gjuhës maqedone nga mësimdhënësit shqiptar,
  • Mungesa e kuadrit të kualifikuar nga shqiptarët, shkelja e dispozitave ligjore, etj..

Mbyllja e shkollave shqipe, shkaktoi pakënaqësi të madhe te popullata shqiptare e cila u detyrua që të organizojë demonstrata masive fillimisht në Kumanovë më 29 Gusht 1988, e më pas edhe në Gostivar më 4 tetor 1988.

Prokuroria publike e RSM demostrat e përshkroi si nacionaliste, dhe në shkelje të ligjit për mësim të orientuar, prandaj kundër shumë njerëzve ngritën padi penale , me akuzën “Nxitje të urrejtjes nacionale, racore e fetare, përçarjes dhe mostolerancës sipas Nenit 134  të Ligjit Penal i RSFJ.

Ndalimi i emrave shqiptar

Në vitin 1985 me propozim të Këshillit Ekzekutiv, Kuvendi i RS të Maqedonisë solli ligjin për ndryshim dhe plotësimin e ligjit për emrin personal që ishte nga viti 1972. Në Nenin 1 të këtij ligji u shtua paragrafi: “Me emrin personal nuk guxon të nxitet urrejtje nacionale apo fetare apo jotolerancë ose të fyhet morali publik”.


[1] Në këtë kohë, Kryesia e Bashkësisë Fetare Islame në RMV, në bazë të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame ishte pjesë konstituive e Rijasetit të BFI me seli në Sarajevë. Kjo gjendje zgjati deri më 05. Shkurt 1993, kur në Shkup u mbajt mbledhja e Rijasetit të BFI ku u vendos për ndryshimet kushtetuese dhe mundësia për formime të bashkësive islame të pavarura.

Shkrime të ngjashme