Shkroi: Jusuf ZIMERI

Hyrje

Me nocionin “ar. sehvi sexhde – sexhdeja e harresës” nënkuptojmë dy sexhdet me të cilat detyrohet namazliu në fund të namazit, nëse gjatë namazit të tij, me harresë ka lëshuar diçka nga namazi, ose ka shtuar diçka që është pjesë e namazit. Nga vetë nocioni “sexhdeja e harresës” nënkuptohet se bëhet fjalë për dy sexhdet që obligohen si pasojë e harresës gjatë namazit, e nuk bëhen fjalë për sexhde nëse lëshimi apo shtimi bëhen me qëllim, sepse veprimi me qëllim nuk mbulohet me sexhde të harresës, por duhet përsëritur namazin, nëse veprimi ka shkaktuar prishjen e tij. Pra, sehvi sexhdeja është ligjësuar për të plotësuar mangësinë që është shkaktuar gjatë faljes së namazit, në mënyrë që mos të përsëritet i tërë namazi.

Dispozita e sexhdes së Harresës

Juristët islam (fukahat) nga shkolla juridike hanefite janë të mendimi se dispozita e sexhdes së harresës është Vaxhib, sepse obligohet me lëshimin e vaxhibit me harresë, e jo me qëllim. Fukahat e medhhebit hanefij konsiderojnë se lëshimi i një suneti në namaz nuk obligon sexhde të harresës, kurse lëshimi i një farzi në namaz, shkakton prishjen e tërësishme të namazit dhe obligon përsëritje të namazit, ngase nuk mund të përmirësohet me sehvi sexhde. Dispozita Vaxhib e sehvi sexhdes, nënkupton se nëse namazliu nuk e kryen sehvi sexhden, bartë përgjegjësi para Allahut xh.sh. kurse namazi i tij është i vlefshëm dhe nuk detyrohet ta përsërisë, edhe pse përsëritja është më e preferuar.

Argument për ligjësimin e sexhdes së harresë është transmetimi nga Ibni Mes’udi r.a. i cili ka thënë: Na e fali neve namazin Pejgamberi a.s., shtoi diçka në te apo pakësoi, e kur e përfundoi ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, ka pësuar ndonjë ndryshim në namaz?. Pas kësaj Pejgamberi a.s. bëri dy sexhde, u kthye nga ne dhe tha: “Sikur të kishte ndryshuar diçka në namaz, do t’u kisha informuar, porse edhe unë jam njeri, harroj ashtu si harroni edhe ju, e kur të harroj më përkujtoni, prandaj nëse dikush nga ju, dyshon në namaz, le ta kërkojë të vërtetën dhe le të veproj sipas bindjes së tij, e pastaj në fund ti bëjë dy sexhde. Muslimi

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: Pejgamberi a.s. na e fali neve namazin e iqindisë, e pas dy rekateve dha selam. Në këtë rast u ngrit Dhuljedejni dhe i tha: A është shkurtuar namazi o Dërguari i Allahut apo harrove? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kompletoi namazin me atë që kishte ngelur dhe në fund duke qenë ulur i bëri dy sexhde të harresës pas selamit. (Buhariu dhe Muslimi)

Kur duhet bërë sehvi sexhden?

Sehvi sexhdeja bëhet në fund të namazit, respektivisht në uljen e fundit pasi të ketë lexuar etehijatin (teshehudin) jep selam vetëm në anën e djathtë, pastaj i bënë dy sexhde të rëndomta duke thënë “subhane rabijel eala” dhe pas tyre i lexon salevatet dhe lutjet që lexohen në uljen e  fundit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të medhhebit hanefij dhe mendimi më i saktë, sepse ky ishte edhe mendimi i sahabëve të mëdhenj si Omerit, Aliut, Ibni Mes’udi etj. Zejd ibni Alaka ka thënë: Mugire ibn Shu’be ua fali namazin njerëzve dhe pas rekatit të dytë pa qëndruar në uljen e parë u ngrit në këmbë. Xhemati që ishin pas tij sinjalizuan duke thënë “subhanall-llah” por ai vazhdoi namazin, e kur përfundoi nga namazi i tij dha selam në të djathtë dhe i bëri dy sexhde të harresës, e kur u kthye nga xhemati tha: “E kam pa të dërguarin e Allahut s.a.v.s. vepronte kështu siç veprova unë”. Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. 

Imam Mevsiliju në Ihtijarin e  tij thotë: Transmeton Imran Ibni Husajni dhe një numër prej sahabëve se Pejgamberi [Alejhi selam] kishte bërë dy sexhde të harresës pas selamit në anën e djathtë, pastaj jepte selam në dy anët. Muslimi 574, Musnedi i Ahmedit, 19828.

Shkaqe që obligojnë sehvi sexhden

Pavarësisht nga rastet, momentet dhe metodologjinë e shpjegimit të kësaj tematike fukahat e medhhebit hanefij janë të mendimit se sexhdeja e harresës (sehvi sexhdeja) në parim bëhet për këto shkaqe, që janë:

  1. Vonimi ose ndërrimi i vendit të një farzi me harresë, si p.sh. namazliu të qëndrojë ulur atëherë kur duhet të qëndrojë në këmbë apo e kundërta.
  2. Lëshimi i tërësishëm i vaxhibit, si, p.sh. të harrojë uljen e parë, ose të mos lexojë suren El Fatiha në dy rekatet e para të farzit, etj.
  3. Vonimi  ose ndërrimit të vendit të vaxhibit, p.sh. nëse në fillim të namazit lexon një sure tjetër, e pastaj e lexon suren El Fatiha (elhamin).

Mesele fikhore rreth Sehvi sexhdes

Me qenë se rastet e harresës gjatë faljes së namazit mund të jenë të ndryshme, për të mos komplikuar lexuesin me shtjellime retorike, në vazhdim do të paraqesim disa raste më të shpeshta që mund ti ndodhin namazliut dhe mënyrën e përmirësimit të tyre.

  • Nëse namazliu gjatë faljes së namazit tre apo katër rekatësh ka harruar të qëndrojë në uljen (etehijatin) e parë dhe ngritët në rekatin e tretë, në këtë rast, nëse gjatë ngritjes i kujtohet, e në momentin e kujtimit është më afër uljes se sa ngritjes, atëherë kthehet në ulje, e nëse veç më është ngritur nuk kthehet në ulje, por vazhdon namazin, e në fund të namazit pas dhënies selam në të djathtë i bënë dy sexhde të harresës. Në këtë rast sexhdeja e harresës bëhet për shkak të lëshimit të tërësishëm të vaxhibit. Mirëpo duhet pasur kujdes se, pas ngritjes së plotë në këmbë, nuk guxon të ulet pra të rikthehet në etehijat, sepse nëse ulet namazi i tij prishet, sepse e ka braktisur një farz pasi e ka filluar për shkak të një vaxhibi. Ky është mendimi më i saktë i medhhebit hanefij edhe pse ekziston edhe mendim tjetër se namazi i tij nuk prishet, por konsiderohet mëkatar dhe obligohet me sehvi sexhde. (mexhmeul enhur, 1/222 – durrul muhtar 1/796).
  • Nëse namazliu ka harruar uljen (etehijatin) e fundit dhe është ngritur në rekatin tjetër, detyrohet të kthehet në ulje (etehijat) për të përmirësuar namazin e tij me  sehvi sexhde. Rikthimi detyrimisht duhet të bëhet para se të bëjë sexhden e rekatit vijues. Nëse nuk është kthyer në ulje, por ju ka kujtuar pasi ta ketë ngritë kokën nga sexhdeja, namazi i tij farz është prishur me ngritjen e kokës nga sexhdeja, dhe obligohet ta përsërisë, kurse ky namaz shndërrohet në nafile, duke i shtuar edhe rekatin e gjashtë nëse dëshiron. (Multekal ebhur, 1/256, mexhmeul enhur, 223/.
  • Nëse namazliu ka qëndruar në uljen e fundit pas rekatit të katër, e pastaj është ngritur në rekatin tjetër dhe i kujtohet se ka filluar rekatin e pestë para se me kryer sexhden, në këtë rast ulet dhe bënë sehvi sexhde për shkak të vonimit të selamit që është vaxhib. Mirëpo nëse në rekatin e pestë e ka bërë një sexhde të rekatit të pestë dhe pastaj i kujtohet, atëherë duhet të plotësojë edhe një rekat dhe t’i bëjë gjashtë rekate dhe në fund të bëjë sehvi sexhde poashtu për shkak të vonimit të selamit që është vaxhib. Dy rekatet e fundit konsiderohen nafile, por nuk mund të zëvendësojnë sunetin e fundit të drekës.
  • Nëse namazliu në namazin e sabahut që është dy rekate, pasi të ketë qëndruar në etehijat, ngritet në rekatin e tretë dhe ka bërë sexhden e rekatit të tretë, në këtë rast namazliu mund të zgjedhë, nëse dëshiron ia bashkëngjit edhe rekatin e katërt dhe në fund bënë sehvi sexhde, kurse dy rekate konsiderohen nafile, e nëse dëshiron nuk ia bashkëngjit rekatin e katërt por jep selam pas rekatit të tretë dhe bënë sehvi sexhde. (Pesë shtyllat e fesë islame f.315). Ngjashëm është rasti edhe në namazin e akshamit i cili është tre rekatësh. (po aty f. 316).
  • Namazliu obligohet me sehvi sexhde nëse për shkak të qëndrimit të gjatë në uljen (etehijatin) e parë e vonon qëndrimin në këmbë për në rekatin e tretë. Vonimi bëhet zakonisht për shkak se në ujen e parë e këndon etehijatin dhe shehadetin, e më pas në vend se të ngritët në këmbë në rekatin e tretë ai këndon salevatet.
  • Namazliu obligohet me sehvi sexhde nëse gjatë faljes së namazit shtonë ndonjë veprim që është nga lloji i namazit siç është shtimi i një rukui, apo një sexhde. Vlerësohet kështu ngase shtimi i ndonjë veprimi nga lloji i namazit detyrimisht shkakton ose lënien e vaxhibit, ose vonimin e vaxhibit nga vendi i përcaktuar ose vonimin e farzit. (Imam Mevsiliu, El ihtijar li ta’lilil muhtar).  Themi nga lloji i namazit sepse, sepse nëse brenda namazit shtonë ndonjë veprim që nuk është pjesë e namazit, atëherë nuk obligohet me sehvi sexhde por namazi i tij është i prishur.
  • Nëse imami lexon me zë në namazet që duhet lexuar pa zë, si p.sh. namazi i drekës dhe iqindisë, ose nuk lexon me zë në namazet që duhet lexuar me zë, si p.sh. namazi i sabahut, akshamit dhe jacisë,  atëherë duhet bërë sehvi sexhde, sepse leximi pa zë në rastin e parë është vaxhib, kurse në rastin e dytë leximi me zë është vaxhib, dhe përderisa kemi lëshim të vaxhibit, atëherë edhe sehvi sexhden e kemi vaxhib. (Imam Mevsiliu, El ihtijar li ta’lilil muhtar).
  • Nëse namazliu harron leximin e teshehudit (etehijatit), pavarësisht se harresa bëhet në uljen e parë apo të fundit, obligohet me sehvi sexhde sepse leximi i teshehudit është vaxhib.
  • Nëse namazliu me harresë lëshon leximin e sures el Fatiha (elhamin), ose e lexon pas leximit të sures apo ndonjë ajeti, obligohet me sehvi sexhde. Ky rregull  vlen për dy rekatet e para të namazeve farze, për tre rekatet e namazit të vitrit dhe për të gjitha rekatet e  namazeve nafile.
  • Xhemati bënë sexhde bashkë  me imamin e tij, e nëse dikush nga xhemati nuk ka arritur imamin me kohë, pas dhënies selam të imamit dhe pas sehvi sexhdes, ngritet të plotësojë namazin e ngelur, nëse në këtë pjesë të namazin bënë ndonjë veprim tjetër që detyron sehvi sexhde, ai obligohet me sehvi sexhde tjetër në fund të namazit të tij.
  • Nëse namazliu lexon Kur’an duke qenë në ruku apo në ulje (etehijat) obligohet me sehvi sexhde. Vlerësohet kështu ngase rukuja dhe ulja (etehijati) nuk janë vende ku duhet lexuar Kur’an, e leximi ndryshim, andaj obligohet me sehvi sexhde. Mirëpo nëse lexon teshehudin (etehijatin) duke qëndruar në këmbë ose në ruku, nuk obligohet me sehvi sexhde, sepse qëndrimi në këmbë në esencë është vend për falënderim dhe nuk shpien në ndonjë ndryshim. Nëse etehijatin e fillon me etehijatin e pastaj pas përfundimit vazhdon me lexim të Kur’anit nuk duhet bërë sehvi sexhde. Mirëpo nëse jep selam me harresë para se ta plotësojë etehijatin, duhet bërë sehvi sexhde, sepse selami që është vaxhib nuk është në vendin e vet. (Imam Mevsiliju, el Ihtijar li ta’lilil muhtar).
  • Në rastin kur namazliu duke falë namazin e vitrit, harron tekbirin e kunutit, ose duanë e kunutit, obligohet me sehvi sexhde.

Nëse namazliu gjatë faljes së namazit të tij, harron më shumë se një herë, dy apo tre herë, për të gjitha këto harresa mjafton vetëm një sehvi sexhde, pra në fund të namazit të bëjë dy sexhde të harresës për të gjitha. Kjo vërtetohet me hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. se pejgamberi a.s. ka thënë: “Dy sexhde pas selamit, vlejnë për çdo shtim apo mangësi në namaz”.  Sehvi sexhdeja është vaxhib edhe në namazet nafile (sunete), jo vetëm për namazet farze.

We bil-lahi teufik.

Shkrime të ngjashme