Shkruan: Jusuf Zimeri

Shpjegim i përgjithshëm e Sures El Bekare

Suretu El Bekare është sureja e dytë sipas radhitjes në Kur’an. Ajo është sureja më e gjatë në Kur’anin Fisnik që ka gjithsej 286 ajete dhe në vete përmban ajetin më të gjatë në Kur’an që është ajeti dhe është sure medinase, pra që ka zbritur në Medine me përjashtim të ajetit 280 që ka zbritur në Haxhin e lamtumirës. Ikrime thotë se kjo është sureja e parë që është zbritur në Medine. Shejh Muhammed Alij Taha Ed-Durre në veprën e tij “Tefsiru el Kur’anil kerim, i’rabuhu ve bejanuhu” thekson se kjo sure ka 6.021 fjalë, dhe 25.500 shkronja.

Sureja El Bekare është një sure e cila në vete ngërthen tema më të shumta si nga çështjet akaidologjike, duke përfshirë çështjet e tërësishme të besimit, çështjet etiko-morale dhe çështjet nga jurisprudenca islame. Është një sure e cila në vete përfshinë çështje të shumta të ndalimeve dhe lejimeve, saqë Ibnul Arabi citon të ketë thënë se: “kam dëgjuar disa dijetarë se sureja bekare ka njëmijë urdhra për veprim, njëmijë ndalesa, njëmijë dispozita dhe njëmijë informata”.

Në këtë sure të Kur’anit, krahas dispozitave akaidologjike, etike dhe dispozitave nga jurisprudenca islame, shtjellohen edhe shumë çështje nga sfera sociale dhe jetësore për besimtarët islam. Në këtë sure vehen edhe themelet bashkëjetesës dhe harmonisë së njerëzve në jetën e kësaj bote, pa dallim feje, race, ngjyre dhe gjinie. Një çështje tjetër që karakterizon këtë sure është edhe fenomeni se kjo sure përveç që flet për besimtarët dhe pabesimtarët, për veprat e tyre, obligimet dhe përgjegjësinë e tyre, kjo sure fletë edhe për kategorinë tjetër që paraqitet në shoqërinë islame pas emigrimit nga Meka në Medine, për njerëzit që sipërfaqësisht pranojnë islamin për fe, kurse intimisht akoma qëndrojnë në bindjet e tyre, e që Kur’ani i quan me termin Munafikin-hipokritët. Gjithashtu kjo sure përshkruan edhe një sërë ngjarjesh për pejgamberët dhe popujt e tyre para Muhammedit [Alejhis-selam] dhe në kontekst të kësaj gjen edhe zgjidhje të shumta për të rregullimin e marrëdhënieve ndërfetare, si dhe shumë tematika tjera që do ti shohim gjatë shpjegimit të ajeteve të kësaj sure. Duke u mbështetur në faktin se kjo sure në vete ngërthen tematika të shumta kjo sure quhet edhe me emrin “Fustatul Kur’an” (pavijoni-tenda e Kur’anit). Halid b. Ma’dani shpjegon se kjo sure quhet me këtë emër për shkak të madhërisë së sajë që ka, për shkak të dispozitave të shumta që përfshinë në vete, si dhe për shkak të këshillave të shumta që ka.

Emri i kësaj sure

Kjo sure quhet “Suretu El Bekare” që në gjuhën shqipe donë të thotë, “kaptina e lopës”. Shkaku i emërtimit të kësaj sure me këtë emër, është se në këtë sure duke filluar nga ajeti 67 i kësaj sure, rrëfehet tregimi i lopës që All-llahu xh.sh. i kishte urdhëruar Beni Israilët që ta therin, e pastaj All-llahu xh.sh. për ta ringjallur atë për ta zbuluar kush ishte mbytësi i një njeriu dhe të sanksionohet me një pjesë të asaj lope që do ta tregojmë më poshtë.

Vlera dhe rëndësia e kësaj sureje

Për vlerën dhe rëndësinë e kësaj Sure, ekzistojnë shumë hadithe të transmetuara nga Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] si dhe shumë vlerësime nga dijetarët eminent islamë. Nga hadithet e Pejgamberit [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] që përshkruajnë vlerën dhe rëndësinë e kësaj sure do të veçojmë disa prej tyre. Transmetohet nga Ebu Hurejreja se i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza, sepse vërtetë Shejtani ik prej asaj shtëpie në të cilën lexohet sureja El bekare”[1] Transmetohet nga Ma’kal b. Jesari se vërtetë i dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Sureja El Bekare është gunga e Kur’anit dhe maja (kulmi) i tij. Me çdo ajet të kësaj sureje kanë zbritur nga tetëdhjetë mijë melekë”.[2] Transmetohet nga Ebu Umame i cili ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] duke thënë: Lexoni Kur’anin, sepse ai është ndërmjetësues për lexuesit e tij ditën e kiametit, lexoni Ez-zehrevani (dy dritat) surten El Bekare dhe Ali Imran, sepse e këto dy suren ditën e gjykimit do të paraqiten si dy dy mjegulla (që ju bëjnë hije), ose si dy ombrella, që janë si dy krahët e shpendit për të mbrojtur lexuesit e tyre. Pastaj tha: Lexoni suren El Bekare, sepse mësimi i saj përmendësh është begati, e lënia e saj është hasret, dhe nuk mund ta dëmtojë magjia”[3]

Imam Taberaniu dhe Ebu Hatim b. Hibbani kanë regjistruar hadithin e transmetuar nga Sehl b. Sa’di i cili ka thënë: i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Vërtetë çdo send ka gungën e saj, e gunga e Kur’anit është suretu El Bekare, andaj kush e lexon këtë sure në shtëpinë e tij natën, në atë shtëpi nuk hynë shejtan i tri net, e kush e lexon ditën, shejtani nuk hynë në atë shtëpi tri ditë.”

Për vlerën dhe rëndësinë e kësaj sureje që ia ka dhënë Pejgamberi [Alejhis-selam] kësaj sureje, Imam Nisaiju, Ibni Maxhe dhe Termidhiu në koleksionet e tyre regjistrojnë një ngjarje të transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] kishte dërguar një delegacion të shumë numërta, por para se ti niste për në rrugë kërkoi nga ata që të lexojnë atë që dinë nga Kur’ani. Pasi që lexoi secili atë që dinte përmendësh, Pejgamberi [Alejhis-selam] iu afrua më të riut të tyre që ishte në moshë dhe e pyeti: “Çka din përmendësh nga Kur’ani o Filan?” Ai tha: Unë di këtë e këtë sure dhe suren El Bekare. Pejgamberi [Alejhis-selam] i tha: A e din suren El Bekare?” Tha po. Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] tha: “Shko dhe ti do të jesh kryetari i tyre”. Pra Pejgamberi [Alejhis-selam] e emëroi kryetar të delegacionit për nder dhe respekt të sures El bekare që e dinte përmendësh.

Darimiu në musnedin e tij përmes Sha’biut regjistron thënien e se Abdullah b. Mes’udi ka thënë: Kush i lexon dhjetë ajete nga sureja El Bekare brenda një nate, në atë shtëpi nuk hynë shejtan i atë natë,e që janë katër ajetet e para të sures Bekare, Ajeti Kurisjjen dhe dy ajete pas saj, dhe tre ajetet e fundit të kësaj sure. Në një transmetim tjetër thuhet: Atij dhe familjes së tij nuk i afrohet shejtani atë ditë, e as nuk di ndodhë diçka e urryer, e nëse ja shëron të sëmurit psikik, do të shërohet.

Nëpër disa transmetime gjejmë se disa herë Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] në disa raste të veçanta shokët e tij që e dini suren El Bekare përmendësh i ftonte duke u thënë: “O të zotët e sures El Bekare” pra në shenjë respekti ndaj kësaj sure.

[1] Imam Muslimi dhe Termidhiu.

[2] Imam Ahmedi.

[3] Imam Muslimi dhe Ahmedi.

Shkrime të ngjashme