Transplantimi i zemrës së derrit të modifikuar gjenetikisht në trupin e njeriut

Shkruan: Jusuf Zimeri

Transplantimi është zëvendësimi i një organi që nuk funksionon në trupin e njeriut me një organ tjetër të ri i cili funksionon. Nuk ka dilemë se përparimi i mjekësisë dhe teknologjisë bëri të mundur transplantimin e organeve prej një organizmi në organizmin tjetër. Me problematikën e transplantimit mjekësia bashkëkohore filloi të merret pas gjysmës së dytë të shekullit XX, dhe si i tillë transplantimi paraqitet si çështje imanente e medicinës, por patjetër të jetë e rregulluar sipas normave juridike[1].

Në Amerikë një pacient me emrin David Bennet ishte në prag të vdekjes, kurse i zemrës së derrit në trupin e tij jepte një fije shprese të fundit për jetën e tij. Operatorët amerikan në qendrën mjekësore të Universitetit të Marilandit morën një leje të veçantë nga autoritetet mjekësore për të kryer operacionin e transplantim të zemrës së derrit në trupin e Davidit. Operacioni është kryer brenda shtatë –tetë orëve dhe fillimisht është treguar i suksesshëm, por nuk dihet nëse shanset e pacientit për të mbijetuar më gjatë ekzistojnë apo jo.

Operacioni është kryer nga një ekip mjekësor në krye me mjekun amerikan me origjinë pakistaneze Dr. Muhjudin[2], i cili u cilësua si një superhero dhe si një nga ekspertët kryesorë në botën e transplantimit të organeve të kafshëve në trupin e njeriut i cili quhet xenotransplantim. Kjo çështje po studiohet prej shumë vitesh, kurse derri i përdorur në këtë proces është i modifikuar gjenetikisht për të prodhuar një gjen që mund të shkaktojë një përgjigje imune te njerëzit.

Vlen të theksohet për lexuesin se para se të bëhet transplantimi i zemrës së derrit të modifikuar gjenetikisht në trupin e njeriut, në tetorin e vitit të kaluar operatorët amerikan për herë të parë kishin transplantuar një veshkë derri në trupin e njeriut dhe sistemi i imunitetit të njeriut nuk e kishte refuzuar organin e transplantuar nga derri.  Modifikimi gjenetik nënkupton ndryshimet gjenetike që i janë bërë zemrës së derrit dhe heqja e një molekule sheqeri nga indet, gjë që çon në refuzimin e trupit të njeriut.

Ky rast u një përparim i madh që potencialisht mund të zbusë mungesën e rëndë të organeve njerëzore për transplantim. Mirëpo pas transplantimit të veshkës së një derri në trupin e njeriut me informacionin që dhanë kirurgët amerikan nga Universiteti i Marilandit  ku njoftuan se tani më kanë arritur të bëjnë transplantimin e zemrës së një derri të modifikuar gjenetikisht te një njeri i sëmurë, ngjallën debate dhe polemika të mëdha jo vetëm në mesin e dijetarëve Islamë dhe institucioneve relevante islame rreth dispozitës së këtij transplantimi, por edhe te faktorët tjerë ndërkombëtar. Gazeta britanike, “The Guardian” më 12 janar 2022, e përshkroi transplantin e parë transgjenik të zemrës së derrit brenda trupit të njeriut si një përparim të dukshëm në shkencën mjekësore, por deklaroi se operacioni ngriti edhe shqetësime të mëdha sigurie dhe etike..

Shkencëtarët gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar kishin ndaluar përdorimin e organeve të derrit, kur kishin konstatuar se në ADN e derrit fshiheshin viruse, të cilat mund të infektonin qelizat njerëzore. Mirëpo, për të tejkaluar këtë problematikë ata vazhduan me kërkime duke modifikuar ADN-në e derrit, me qëllim për të hequr molekulat që çojnë refuzimin imunitar. Shkencëtarët kanë bërë modifikime delikate që heqin dhjetra viruse nga indet e derrit me shpresë se organet do të jenë më të sigurta.

Thënë të vërtetën transplantimi i organeve të kafshëve te njeriu ka një histori bukur të gjatë. Mjekët amerikan gjatë viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar kishin transplantuar veshkët nga majmunë e llojit Shimpanza te dymbëdhjetë pacientë, porse me përjashtim të njërit të gjithë vdiqën brenda disa javëve. Poashtu edhe gjatë viteve të tetëdhjeta kishin transplantuar zemrën e majmunit të llojit Babun te një fëmijë në Kaliforni, por ajo vdiq pas tri javëve.

Qëndrimet e dijetarëve islam

Ashtu siç potencuam edhe më parë se ky veprim ngjalli edhe reagime të shumta edhe te dijetarët islamë. Që në fillim të theksojmë një të vërtetë madhore për të cilën ekziston konsensus mes dijetarëve islam se derri është i ndytë (nexhis) në esencë, prandaj ky element nuk mund të anashkalohet në asnjë mënyrë.

Në një ndërhyrje në programet satelitore prof. Ahmed Karima, ligjërues i fikhut krahasues në Universitetin Al-Az’har shprehu një refuzim të plotë të lejimit të një operacioni të tillë, bile edhe nëse është çështje vdekje apo jete. Sipas tij shenjtëria e kësaj çështje vërtetohet me tekst autentik  dhe nuk pranon kurrfarë ixhtihadi.

Një qëndrim të kundërt ndaj kësaj çështjeje mbanë Dijetari Halid El Xhundi, anëtar i Këshillit Suprem për Çështje Islame i cili mendon se për një veprim të  tillë falënderuar Allahun xh.sh. për begatinë që na dhuroi dijetarë dhe shkencë që të mund të zbulojnë gjëra që shpëtojnë njerëzinë dhe jetën e tyre.

Duke respektuar mendimet e këtyre dijetarëve, mendoj se janë pak qëndrime ekstremist të kundërta mes veti, sepse përveç faktit se ka ndodhur transplanti i zemrës së derrit në trupin e njeriut dhe ka dhënë rezultatet e para, ende nuk dihet procesi i mëtutjeshëm i mbijetimit apo edhe pasojat që mund të ketë ky lloj transplantimi, që të mund të merrene dhe verdikte përfundimtare mbi çështjen.

Këtë debat e ka interpretuar edhe Akademia e Fetvas së Egjipti duke thënë: dihet fakti se kërkimi i mjekimit është çështje e ligjësuar sipas islamit, por jo edhe përdorimi i ndonjë gjymtyre të derrit. Sipas kësaj Akademie gjymtyra e derrit për mjekim mund të përdoret nëse nuk ekziston alternativë tjetër, sepse ruajtja e jetës është synim i sheriatit. Qëndrim të përafërt ka edhe Universiteti i Az’harit, kur thonë se mjekimi me një gjymtyrë të derrit lejohet nëse plotësohen këto dy kushte, që janë:

  • Nëse nuk ka alternativë tjetër, pra nëse nuk ekziston ndonjë mjet tjetër që mund ta kompensojë përdorimin e gjymtyrës së derrit, dhe
  • Që pasojat eventuale nga transpalnti të jenë më të pakta se sa pasojat nga mos transplantimi.

Vallahu ealem- Allahu e di më së miri.

[1] . Dr. Taxhedin Bislimi,  Transplantimi i pjesëve të trupit të njeriut.

[2] Dr. Muhjudini kishte kryer studimet në Fakultetin e mjekësisë në degën e kirgjugjisë në Karaçi të Pakistanit vitin 1991. Pas specializimit në Kërurgji u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdoi punën e tij. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë kishte shfrytptuar disa bursa studimi nga disa universitete dhe qendra prestigjioze amerikane duke përfshirë edhe bursën në biologjinë dhe imunologjinë  e transplantimit të organeve të departamentit të Kirurgjisë Kardiotorokale në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pensilvanisë.

Shkrime të ngjashme