Shkruan: Jusuf Zimeri

Cilësitë e besimtarëve dhe shpërblimi i
të Devotshmëve.

All-llahu xh.sh. thotë:

الم (1) ذَلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِلْمُتَّقِينَ (2) الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِالْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنْفِقُونَ (3) وَالَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنْزِلَ مِنْ قَبْلِكَ وَبِالْآَخِرَةِ هُمْ يُوقِنُونَ (4) أُولَئِكَ عَلَى هُدًى مِنْ رَبِّهِمْ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ (5)

“Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen namazin dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit”.

 

“Elif, Lam, Mim” الم

Shkronjat me të cilat fillon kjo sure e Kur’anit si dhe disa sure tjera nga Kur’ani në gjuhën arabe quhen “huruf Mukataa” shkronjat e ndërprera, që nënkupton se secila shkronjë lexohet sipas emrit të saj. Këto shkronja janë edhe një argument shtesë që fletë për mrekullinë e Kur’anit dhe madhështinë e tij, apo siç thotë Ibni Arabiu: Kur’ani është “det pa brigje”, andaj për njeriun nuk ka gjë më të bukur se sa të fundoset në këtë det të pa fund, duke u munduar që të nxjerrë qoftë edhe një pikë uji për të shuar etjen e tij.

Realisht këto tri shkronja që shkruhen vetëm tri shkronja që janë (الم elifi, lami dhe mimi) por për dallim nga shkronjat tjera lexohet si tri fjalë, pra lexohet Eliflam mim). Për leximin e këtyre shkronjave na mëson transmetimi i Abdullah Ibni Mes’udit r.a. i cili ka thënë: Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë:

مَنْ قَرَأَ حَرْفًا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ فَلَهُ بِهِ حَسَنَةٌ ، وَالحَسَنَةُ بِعَشْرِ أَمْثَالِهَا، لَا أَقُولُ الم حَرْفٌ، وَلَكِنْ أَلِفٌ حَرْفٌ وَلَامٌ حَرْفٌ وَمِيمٌ حَرْفٌ

Kush e lexon një shkronjë nga libri i All-llahut, ai ka fituar një të mirë, kurse e mira shpërblehet me dhjetë të mira (fish), andaj nuk po them Eliflam-mim është shkronjë, por Elifi shkronjë, Lami shkronjë, dhe Mimi shkronjë”.[1]

Në lidhje me shpjegimin e shkronjave të ndërprera (huruful maktaa), komentuesit e Kur’ani Kerimit kanë dhënë interpretime të ndryshme dhe të llojllojshme, por askush nuk ka mundur të paraqes se vetëm mendimi i tij është më i drejtë. Në lidhje me shpjegimin e këtyre shkronjave, krahas mendimeve të shumta në shkoqitjen e tyre nëse ato shpjegime i analizojmë në detaje, gjejmë se kryesisht na paraqiten dy qëndrime thelbësore rreth shpjegimit të këtyre shkronjave.

Qëndrimi i parë

Qëndrimi i parë është i përfaqësuar nga selefi i ndershëm, respektivisht nga sahabët dhe tabiinët, të cilët kishin qëndrim se kuptimin e këtyre shkronja që gjenden në disa sure të Kur’anit e din vetëm All-llahu xh.sh., ngase i takojnë atyre ajeteve që ne nuk e dimë kuptimin e tyre e që njihen si ajete muteshabihat, për të cilat ajete All-llahu xh.sh. ka thënë:

هُوَ الَّذِي أَنْزَلَ عَلَيْكَ الْكِتَابَ مِنْهُ آَيَاتٌ مُحْكَمَاتٌ هُنَّ أُمُّ الْكِتَابِ وَأُخَرُ مُتَشَابِهَاتٌ فَأَمَّا الَّذِينَ فِي قُلُوبِهِمْ زَيْغٌ فَيَتَّبِعُونَ مَا تَشَابَهَ مِنْهُ ابْتِغَاءَ الْفِتْنَةِ وَابْتِغَاءَ تَأْوِيلِهِ وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُ إِلَّا اللَّهُ وَالرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ يَقُولُونَ آَمَنَّا بِهِ كُلٌّ مِنْ عِنْدِ رَبِّنَا وَمَا يَذَّكَّرُ إِلَّا أُولُو الْأَلْبَابِ

“Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm All-llahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!”

Nga kjo nënkuptohet se ata nuk u lëshuan në shpjegimin e tyre dhe këtë çështje e mbështetën në diturinë e All-llahut xh.sh. duke thënë se ne e kemi detyrë të besojmë se këto shkronja janë të zbritura nga All-llahu xh.sh. e ne vetëm i lexojmë origjinal ashti si janë. Të këtij mendimi janë Ebu Bekri, Omeri, Ibni Mes’udi, Ibni Abasi dhe shumë të tjerë.

Transmetohet se Ebu Bekri r.a. rreth këtyre shkronjave ka thënë: Çdo libër ka edhe fshehtësinë e vet, e fshehtësia e All-llahut xh.sh. në Kur’an është në fillimin e sureve.[2] Gjithashtu transmetohet se Amri, Othmani dhe Ibni Mes’udi kanë thënë: Shkronjat e ndërprera janë prej gjërave të fshehta që nuk komentohen.

Pra ajo që rezultohet nga ky mendim është se këto shkronja janë fshehtësia e Kur’anit, dhe njeriu nuk ka kapacitet për ti deshifruar ato fshehtësi, andaj ngelë që vetëm të lexohen dhe besohen si fjalë të All-llahut xh.sh. dhe nuk vlen të thellohesh në hulumtimin e kuptimit të këtyre shkronjave.

Qëndrimi i dytë

Me kalimin e kohës, dhe me zgjerimin e shtetit islam, gjithnjë e më shumë paraqitej nevoja e shpjegimit edhe e këtyre shkronjave, andaj dijetarët islam të mëvonshëm jo nga ekzibicionizmi i tyre, por duke u mbështetur në nevojën e shpjegimit të këtyre shkronjave dhe në kureshtjen për të kuptuar dhe absorbuar sa më shumë nga Kur’ani famëlartë, janë të mendimit se edhe kuptimi i këtyre shkronjave mund të zbërthehet dhe të bëhet i njohur. Këta dijetarë për zbërthimin e kuptimit të këtyre shkronjave e mbështesin në disa argumente nga Kur’ani dhe suneti i Pejgamberit [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]

Ky mendim mbështet në ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. i nxitë dijetarët islamë që sa më shumë të studjojnë dhe të kuptojnë nga Kur’ani famëlartë ku thotë:

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآَنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

“A nuk e studiojnë me vëmendje Kur’anin, apo në zemra kanë drynat e saj?”[3] Gjithashtu mendimin e tyre e mbështesin edhe në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s ku ka thënë: “Në mesin tuaj kam lënë diçka, që nëse do të kapeni për to, nuk do të devijoni, e ato janë: Libri i All-llahut dhe sunneti im” e këtë hadith e shpjeguan duke thënë se nuk mund të kapemi për diçka dhe të udhëzohemi me të nëse në të ka gjera të pakuptueshme.

Mendimi më afër të vërtetës është se këto shkronja në realitet tregojnë mrekullinë e Kur’anit dhe gjithashtu vërtetojnë pejgamberinë e Muhamedit [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme].

Përmes këtyre shkronjave thirren arabet dhe njerëzimi në përgjithësi, ata të cilët nuk besojnë se Kur’ani është fjalë e All-llahut dhe kjo ftesë vazhdon deri në Ditën e Fundit, se ja, ky Kur’an, është i përbërë prej shkronjave të gjuhës suaj, prej atyre shkronjave përmes të cilave ju formuloni fjalët e juaja, andaj nëse nuk besoni se Kur’ani është fjalë e All-llahut atëherë sillni një libër të ngjashëm me Kur’anin, e nëse këtë nuk jeni në gjendje ta bëni, atëherë sillni dhjet sure të ngjashme me të, e nëse as këtë nuk mundeni ta bëni, atëherë së paku një sure, por nuk do të kishin mundës ta bënin, dhe nuk do të kenë mundësi deri në ditën e fundit. Kjo dëshmon mrekullinë e Kur’anit.

Shkronjat e ndërprera ose në arabisht (حروف مقطعة) d.m.th. shqiptimi i ç’do shkronje veç e veç, e këtë mundet ta bën vetëm ai i cili din shkrim dhe lexim, ndërsa ai i cili nuk din shkrim dhe lexim mundet të flas, por nëse kërkohet nga ai të shqipton ç’do shkronjë veç e veç të asaj fjale që ai e flet nuk do të kishte mundësi ta bënte.

Muhamedi a. s nuk dinte shkrim dhe lexim, andaj shqiptimi i këtyre shkronjave nga ana e Muhamedit a. s. është mrekulli nga All-llahu xh.sh, që tregon se Muhamedi [Alejhis-selam] është i dërguar i All-llahut, dhe se ato që ai i transmeton janë fjalët e All-llahut xh.sh.

ذَلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِلْمُتَّقِينَ

 “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm”.

Emri “El kitab” Libri është një nga emrat e Kur’anit fisnik, andaj All-llahu xh.sh. na tregon se ky libër në të cilin nuk ka dyshim është Kur’ani për të cilin nuk ka dilemë se është fjalë e All-llahut Fuqiplotë. Ibni Kejsani thotë se, All-llahu xh.sh. para se të zbriste suren El Bekare kishte zbritur një sure tjetër, të cilën e përgënjeshtruan idhujtarët, prandaj All-llahu xh.sh. zbriti ajetin “ذَلِكَ الْكِتَابُ Dhalikel kitabu” Ai është libri në të cilin nuk ka dyshim se është fjalë e All-llahut.

Nocioni “لآَرَيْبَ فِيِه nuk ka dyshim në te” jep të kuptosh se dyshimi është një ankth dhe shqetësim që nga njeriu largon qetësinë dhe sigurinë shpirtërore. Këtë e vërteton edhe hadithi i transmetuar nga Husejni biri i Alijut r.a.i cili thotë:

دَعْ مَا يَرِيبُكَ إِلَى مَا لَا يَرِيبُكَ ، فَإِنَّ الصِّدْقَ طُمَأْنِينَةٌ ، وَإِنَّ الْكَذِبَ رِيبَةٌ

Largohu nga ajo që të shpien në dyshim, në atë që nuk është e dyshimtë, sepse vërtetë e (e pa dyshimta) është qetësim, kurse gënjeshtra dyshim (shqetësim).[4] Nga hadithi qartë kuptojmë se imperativi është që të largohemi nga sendet e dyshimta, pavarësisht se dyshojmë në lejueshmërinë apo mos lejueshmërinë e sendit, ose dyshojmë se sendi është i mirë apo i shëmtuar. Ky imperativ është për arsye se dyshim shkakton trazirë dhe shqetësim në zemrën dhe shpirtin e besimtarit islam, dhe e kundërta është e vërtetë pra bindja shkakton qetësi dhe rehatinë zemërore dhe shpirtërore të besimtarit islam. All-llahu xh. sh. Përmes këtij ajeti bindshëm na sqaron se librin të cilin e keni para vete, pra Kur’Anin Kerimin, është libër që nuk ka asnjë dyshim, asnjë dilemë, as në faktin se është i zbritur nga All-llahu xh.sh. e as në stilin, elokuencën dhe retorikën e tij, sepse askush nga krijesa nuk mund të vijë me një libër të ngjashëm edhe pse Kur’ani fisnik i sfidon krijesat duke thënë:

وَإِنْ كُنْتُمْ فِي رَيْبٍ مِمَّا نَزَّلْنا عَلى عَبْدِنا فَأْتُوا بِسُورَةٍ مِنْ مِثْلِهِ

Nëse keni dyshim në atë që i kemi zbritur robit tonë, atëherë sjellni një sure të ngjashme me të” por meqë kjo mundësi është e pa mundur, atëherë binduni, dhe qetësoni zemrat tuaja, sepse ky është libri që nuk ka asnjë dyshim në autenticitetin e tij.

Shprehja “هُدًى لِلْمُتَّقِينَ udhëzues për ata që janë të devotshëm “ Cili është hidajeti (udhëzimi) kemi sqaruar pak më parë gjatë shpjegimit të sures El fatia. Mirëpo vërejmë se në këtë ajet All-llahu xh.sh. ka sqaruar se ky Kur’an i shpallur nga All-llahu xh.sh. pa kurrfarë dileme është udhëzues për njerëzit e devotshëm, ata të cilët me shumë kujdes përkujdesen për zbatimin e urdhrave dhe për ndalimin nga ndalesat. All-llahu xh.sh. në ajet përmend t devotshmit, për t’i nderuar ata, sepse Kur’ani është udhëzues për tërë njerëzinë.

الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِالْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ

“Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen namazin dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj).

Pra, Kur’ani është udhëzues për ata të cilët besojnë të fshehtën, falin namazin dhe shpërndajnë lëmoshë nga pasuria e tyre prej asaj që i ka furnizuar All-llahu Fuqiplotë. Ata që janë të pajisur me këto veprime, janë edhe të udhëzuar edhe të devotshëm. Ratifikimi i plotë i besimit është ajo që besimtari islam i beson pa tundshëm për gjithçka që Pejgamberi [Alejhis-selam] i lajmëroi ata përmes Shpalljes. Besimi ka të bëjë bindjen dhe besimin e çështjeve të fshehta, të pa dukshme, jo vetëm me ato që duken sepse për çështjet që duken nuk ka nevojë besimi. Besimi në çështjet e padukshme, gajbijat është cilësia që e dallon besimtarin nga jo besimtarin.

Nocioni “gajbun” në gjuhën arabe rrjedh nga folja “gabe” që do të thotë: e fshehtë, e padukshme, e pakapshme, e pa njohur për njeriun, e pa kapshme për shqisat e njeriut dhe arsyen.[5]

Nocioni “Gajbun” në Kur’anin fisnik përmende 51 herë në pesëdhjetë ajete të shpërndara nëpër Kur’an, në kuptime të ndryshme, por kryesisht bëhet fjalë për çështjet që njeriu nuk mund ti arrijë ti njohë përmes shqisave të tij, porse për këto çështje besohet përmes shpalljes e cila na ka informua All-llahu xh.sh.. Përmenden gjërat e pa kapshme, të pa dukshme, sepse njeriu po arriti t’i besojë këto çështje, atëherë besimi në çështjet tjera është më i lehtë.

Mufesirët thonë se me nocionin “El gajbu” në këtë ajet është për qëllim besimi në All-llahun xh.sh. melekët, pejgamberët, librat-shpalljet, ditën e fundit, xhenetin dhe xhehenemin dhe në takimin me All-llahun xh.sh.. Poashtu ka për qëllim besimin në jetën pas vdekjes dhe në ringjalljen. Të gjitha këto janë pjesë të Gajbit, të fshehtës.

Seid ibn Mensuri transmeton nga Abdurrahman in Jezidi i cili thotë: Ishim duke ndenjur tek Abdullah in Mes’udi dhe filluam të flasim për sahanët – shokët e pejgamberit [Alejhis-selam] dhe për përparësitë tyre ndaj neve. Në këtë rast Abdullahi tha: “Pasha Atë, përveç të cilit nuk ka Zot tjetër, askush nuk ka pasur besim më të lavdëruar se besimi në gajbën, e pastaj e lexoi ajetin:

الم ﴿١﴾ ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ ﴿٢﴾ الَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِالْغَيْبِ وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُونَ

Elif, Lam, Mim. Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që i druajnë dënimit të Perëndisë. të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që Ju kemi dhënë;

Dijetarët islam, pra komentuesit e Kur’anit, fukahat dhe dijetarët tjerë, duke u mbështetur në brendësinë e ajteve kur’anore dhe haditheve të Pejgamberit [Alejhis-selam] që flasin për gajbin, ata gajbin e ndanë kryesisht në dy lloje, që janë:

1.      “El Gajbul Mutlak” (e fshehta absolute), janë ato sekrete apo fshehtësi që nuk i di askush tjetër përveç All-llahut xh.sh. Për këtë lloj të gajbit sinjalizojnë edhe këto ajete të kur’ani kerimit që thotë:

 قُلْ لَا يَعْلَمُ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ الغَيْبَ إِلَّا اللهُ

“Thuaj: “Askush, pos Perëndisë, as në qiell as në Tokë nuk di sekretet, ata nuk dinë se kur do të ringjallen”[6]. Pastaj ajeti:

وَعِندَهُ مَفَاتِحُ الْغَيْبِ لَا يَعْلَمُهَا إِلَّا هُوَ وَيَعْلَمُ مَا فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَمَا تَسْقُطُ مِن وَرَقَةٍ إِلَّا يَعْلَمُهَا وَلَا حَبَّةٍ فِي ظُلُمَاتِ الْأَرْضِ وَلَا رَطْبٍ وَلَا يَابِسٍ إِلَّا فِي كِتَابٍ مُّبِينٍ .

“Perëndia i ka çelësat e të gjitha fshehtësive dhe vetëm Ai i di ato. Ai di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai, dhe nuk ekziston asnjë kokërr në thellësitë e tokës, as e freskët as e thatë, e të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Levhi Mahfudh).[7]

2.      “El gajbu En-Nisbij” (e fshehta relative), janë ato sekrete, fshehtësi që i dinë disa njerëz, por jo të gjithë. All-llahu xh.sh. disa njerëzve ua zbulon disa sekrete, qoftë përmes frymëzimin (ilhamit) apo përmes ndonjë ëndrre të vërtetë (Ru’ja es-sadika).

Cilësia tjetër me të cilën All-llahu xh.sh. karakterizon besimtarin islam është kryerja e namazit ku thotë: وَيُقِيمُونَ الصَّلَاةَ . Kryerja e namazit nënkupton kryerjen e këtij obligimi duke i plotësuar të gjitha ruknet (shtyllat) kushtet dhe veprimet tjera që plotësojnë namazin. Përmendet namazi sepse namaz është një adhurim ditor i përhershëm për besimtarin islam i cili nuk mund të lihet në asnjë rast përderisa njeriu është Mukel-lef.

Nocioni “Es-salatu” në aspektin gjuhësor do të thotë lutje, që nënkupton se është një veprim i caktuar ku besimtari islam i lutet All-llahut xh.sh. për nevojat e tij. Kurse namazi në aspektin terminologjik të sheriatit islam është: veprim- adhurim me veprime të caktuara që fillon me tekbir dhe përfundon me selam.

Shpenzimi nga ajo që i kemi furnizua وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ . Me këtë shprehje sipas Ibni Abasit aludohet në dhënien e zekatit të pasurisë. Mirëpo ka edhe mendime tjera që thonë se me këtë aludohet në shpenzimet për mirëmbajtjen e familjes dhe për ndihmat që i jepen nevojtarëve.

Imam Sha’ravi kur flet për nocionin “Rizk” që ne e përkthejmë me shprehjen furnizim, shpjegon se njerëzit në të shumtën e rasteve me nocionin “rizk” përfshijnë vetëm pasurinë, porse e vërteta është se nocioni “Rizk” është më gjithëpërfshirës se ky kuptim. Sipas tij me nocionin “Rizk” nënkuptojmë çdo gjë prej së cilës kemi dobi, p.sh. dituria është rizk, shëndeti është rizk, urtësia është rizk, sinqeriteti është rizk, etj. Prandaj sipas tij, me nocionin وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنفِقُون përfshihen të gjitha llojet e veprimeve dhe lëvizjeve e jetës që njeriu shpenzon për të tjerët.[8]

4- وَالَّذِينَ يُؤْمِنُونَ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنزِلَ مِن قَبْلِكَ وَبِالْآخِرَةِ هُمْ يُوقِنُونَ

4-       “Dhe ata të cilët e besojnë atë që t’u shpall Ty, dhe atë që është shpallur para teje, dhe të cilët për ahiretin (botën tjetër) janë të bindur.

Përmes këtij ajeti, All-llahu xh.sh. na informon edhe për cilësi tjera të besimtarëve islam pasi që më parë përmendi besimin në gjërat e fshehta, kryerjen e namazit dhe furnizimin me atë që u ka dhënë All-llahu xh.sh.. Në këtë ajet, All-llahu Fuqiplotë na tregon se nga cilësitë e besimtarëve është edhe besimi i plotë në atë i është shpallur Muhamedit [Alejhis-selam] nga All-llahu xh.sh., pastaj besimi edhe në shpalljet e pejgamberëve të mëparshëm. Gjithashtu All-llahu xh.sh. në këtë ajet thekson edhe një çështje tjetër shumë të rëndësishme, që është cilësi e besimtarit islam, e që është besimi dhe bindja në jetën e botës tjetër (ahiretit) cilësi kjo që e dallon besimtarin islam nga pabesimtarët. Pra besimtarë i vërtetë është ai i cili beson në ditën e fundit, beson në xhenetin, xhehenemin, llogarinë, përgjegjësinë dhe peshojën e veprave të tij, për dallim nga pabesimtari cili nuk beson në këto çështje. Quhet bota e fundit (Ahiret) sepse asaj bote i paraprinë jeta e kësaj bote.

Ibni Abasi në shpjegimin e këtij ajeti thotë se besimtarë të vërtetë janë ata që besojnë në atë që Muhamedit [Alejhis-selam] i është shpallur nga All-llahu xh.sh., dhe jo vetëm kaq, por edhe që besojnë edhe në shpalljet e pejgamberëve tjerë para tij, sepse besimtari islam nuk bënë dallim mes pejgamberëve dhe nuk konteston as shpalljet e mëparshme.

5- أُولَـٰئِكَ عَلَىٰ هُدًى مِّن رَّبِّهِمْ وَأُولَـٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

  1. Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit.

Përmes këtij ajeti, All-llahu i Plotfuqishëm na tregon se me nocionin “Të tillët أُولَـٰئِكَjanë për qëllim ata besimtarë të cilët janë mobilizuar me cilësitë që i përmendëm më parë, pra ata të cilët besuan në çështjet e fshehta (Gajbin), ata që falin namazin me bindje dhe formë, ata që furnizojnë nga ajo që i është dhënë, pastaj ata që besojnë në shpalljen e Muhamedit [Alejhis-selam] dhe në shpalljet e pejgamberëve tjerë, ata që besojnë në ditën e fundit, të tillët janë të udhëzuar dhe të shpëtuar te All-llahu xh.sh. si në jetën e kësaj ashtu edhe në jetën e botës tjetër. Të tillët janë që i kanë shpëtuar ndëshkimit në jetën e botës tjetër dhe do të jenë banorë të përhershëm të xhenetit të cilin e kanë besuar që nga jeta e kësaj bote.

[1] Termidhiu, 2910

[2] Shejh Muhamed Alij Taha Ed-Derre, tefsirul Kur’anil kerim – i’rabuhu ve bejanauhu, 1/19, Daru Rahme- Damask 1982.

[3] Suretu Muhammed : 24

[4] Termidhiu,2424, Ahmedi,1630, Ibni Hibani 722.

[5] Nexhat Ibrahimi, Fjalor enciklopedin islam, f. 273.

[6] En-Neml: 65

[7] El En’am : 59

[8] M.M. Sha’ravi, tefsirul Sha’ravi, 1/129

Shkrime të ngjashme