Shkruan: Jusuf Zimeri

Cilësitë e pabesimtarëve

All-llahu xh.sh. thotë:

 إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا سَوَاءٌ عَلَيْهِمْ أَأَنذَرْتَهُمْ أَمْ لَمْ تُنذِرْهُمْ لَا يُؤْمِنُونَ﴿٦ خَتَمَ اللَّـهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَعَلَىٰ سَمْعِهِمْ وَعَلَىٰ أَبْصَارِهِمْ غِشَاوَةٌ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ ﴿٧

6-7 “Me të vërtetë, për ata që janë (këmbëngulës) në mohim, është njësoj si i paralajmërove ti apo nuk i paralajmërove – ata nuk besojnë. Perëndia ua ka vulosur atyre zemrat dhe veshët dhe në sy kanë perde, dhe ata i pret dënimi i madh”.

Pasi që All-llahu xh.sh. në ajetet e para të sures El Bekare na tregoi fillimisht për cilësitë e besimtarëve islam të sinqertë, për të mirat dhe shpërblimet që i presin ata, All-llahu xh.sh. përmes dy ajeteve në vazhdim na ofron një tablo bazore me informacione për kategorinë e kundërt të besimtarëve që janë pabesimtarët (kufarët).

Shkaku zbritjes

Transmetimi më i saktë prej shumë transmetimeve që flasin për shkakun e zbritjes së këtyre dy ajeteve, është ajo që e regjistron Imam Taberiu me transmetim nga Ibni Abasi dhe Kelbiju se këto dy ajetet kanë zbritur për kokat e çifutëve në Medine e n mesin e tyre Hujej Ibn Ahtab dhe Ka’b ibni Eshrafi dhe ngjashëm me ta.[1] Rebi ibn Enesi ka thënë: këto dy ajete kanë zbritur për të vrarit e idhujtarëve në Bedr, porse mendimi i parë është më i saktë.[2] Është interesant mendimi i Hfz Ibrahim Dalliut, i cili në tefsirin e tij kur shpjegon këtë ajet thotë: ”Ata që përmenden në këto ajete, ose janë njerëz të njohur me emër, si Ebu Xhehli, Ebu Lehebi, Velid ibni Mugire dhe disa hahamë të jehudëve ose në mënyrë të përgjithësuar, janë të gjithë mohuesit e së vërtetës, përveç atyre që nuk kanë pas ngulur këmbë në mohim.[3]

Shpjegim i ajeteve.

إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا “Me të vërtetë, për ata që janë (këmbëngulës) në mohim”, janë ata të cilët kanë mohuar të vërtetën madhore, atë që i është zbritur Muhamedit [Alejhis-selam] besimin në All-llahun xh.sh.. Nocioni “Kufr” në gjuhën arabe do të thotë: mbulim, për këtë arsye edhe nata quhet “kafir” sepse nata mbulon dritën. Poashtu “Kafir” quhet edhe bujku, për shkak se ai e hedh farën në tokë dhe e mbulon atë për të birë. Veprim të ngjashëm bënë edhe hahamët çifut kur mbuluan të vërtetën që e predikonte Muhamedi [Alejhis-selam] Prandaj, imam Sha’ravi thotë Kufri meqë është mbulesë, ata që bëjnë kufër tentojnë të mbulojnë ekzistimin e All-llahut xh.sh.. Kjo nënkupton se e vërteta-besimi është esenca, kurse mbulesa – kufri është aksidentalja, sepse për derisa mbulohet një send do të thotë se ai ekziston.

Shprehja “E Endhertehum أَأَنذَرْتَهُمْ “ nënkupton “ frikësimi që i bëhet tjetrit, tërheqje vërejtjesh, kurse në aspektin e sheriatit synon frikësimi e tjetrit duke i përkujtuar edhe ndëshkimin që do ta kenë nga All-llahu xh.sh. për këmbënguljen e tyre në mosbesim.

Përmes këtij ajeti All-llahu xh.sh. i tregon qartë të dashurit të Tij se, çifutët që mohuan pejgamberllëkun tënd edhe pse ata e dinin se ti je i dërguar dhe çështjen tënde e fshehën para njerëzve, kryeneçëve nuk u bënë përshtypje frikësimi, prandaj pavarësisht se ua tërheq vërejtjen atyre apo jo, ata sërish nuk do të besojnë, e mos besimi i tyre nuk guxon të jetë shkak i thyerjes së moralit tënd për predikimin e islamit. All-llahu xh.sh. në vazhdim menjëherë shpjegon edhe arsyen e mosbesimit të tyre, duke thënë:

خَتَمَ اللَّـهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَعَلَىٰ سَمْعِهِمْ وَعَلَىٰ أَبْصَارِهِمْ غِشَاوَةٌ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ ﴿٧

“All-llahu ua ka vulosur atyre zemrat dhe veshët dhe, në sy kanë perde, dhe ata i pret dënimi i madh”.

Përmes këtij ajeti kur’anor All-llahu xh.sh. na informon për rasyen dhe pengesat që ata nuk besuan në All-llahun xh.sh., e që janë e zemrave dhe syve, të tyre dhe vulosja që të mos depërtojë diç në zemrat e tyre.Ibni Xhurejxhi thotë: “ajet “ hatemall-llahu ala kulubihim…” (All-llahu ua mbylli atyre zemrat e tyre), do të thotë se mëkatet janë grumbulluar në zemër dhe e kanë rrethuar nga gjitha anët, ashtu që kanë përfshirë gjithë zemrën. Pra përfshirja e gjithë zemrës është mbyllja, kurse mbyllja është vulosja.[4] Imam Kurtubiu është i mendimit se është arritur konsensus për faktin se All-llahu xh.sh. e ka cilësuar Veten Mbyllës dhe Vulosës i zemrave të mosbesimtarëve si shpagim për mosbesimin e tyre. Kjo potencohet edhe në ajetin kur’anor, ku All-llahu xh.sh. thotë:

بَلْ طَبَعَ اللَّـهُ عَلَيْهَا بِكُفْرِهِمْ

“por Perëndia ua ka mbyllur ato për shkak të mohimit të tyre ”[5]

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij, gjatë shpjegimit të këtij ajeti, përveç tjerash thotë: “ky ajet kur’anor është argument i fuqishëm për rolin, rëndësinë dhe vlerën e zemrës ndaj të gjitha organeve tjera të trupit të njeriut[6].

Shprehja “وَعَلَىٰ سَمْعِهِمْ “dhe veshët e tyre” janë të vulosura bashkë me zemrat e tyre. Imam Kurtubi thotë: ky ajet jep të kuptohet se veshi ka më shumë rëndësi për njeriun se sa syri, sepse në kur’anin fisnik gjithnjë All-llahu xh.sh. fillimisht përmendë veshin- të dëgjuarit e më pas syrin – të pamurit. All-llahu xh.sh. thotë:

قُلْ أَرَأَيْتُمْ إِنْ أَخَذَ اللَّـهُ سَمْعَكُمْ وَأَبْصَارَكُمْ وَخَتَمَ عَلَىٰ قُلُوبِكُم مَّنْ إِلَـٰهٌ غَيْرُ اللَّـهِ يَأْتِيكُم بِهِ انظُرْ كَيْفَ نُصَرِّفُ الْآيَاتِ ثُمَّ هُمْ يَصْدِفُونَ

“Thuaj: “Çka mendoni sikur t’jua merrte Perëndia të dëgjuarit dhe të pamit dhe t’ua vuloste zemrat tuaja; cili zot, përveç Perëndisë do t’ua kthente ato?” Shih si ua shpjegojmë Na dokumentet, e ata përsëri e kthejnë kryet”[7] pastaj në ajetin tjetër:

وَجَعَلَ لَكُمُ السَّمْعَ وَالْأَبْصَارَ وَالْأَفْئِدَةَ

“Thuaj: “Ai është që ju ka krijua dhe u ka dhënë të dëgjuarit, të pamurit dhe zemrat (mendjen), kurse ju pak falënderoni!”[8]

Me shprehjen “وَعَلَىٰ أَبْصَارِهِمْ غِشَاوَةٌ dhe në sy kanë perde” që do të thotë se në sytë e tyre ka perde dhe ajo është pengesë për të parë të vërtetën, për të parë argumentet që vërtetojnë madhërinë e All-llahut xh.sh..

Me shprehjen “ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ dhe ata i pret denimi i madh” dënim i rëndë dhe i vështirë në jetën e botës tjetër, për shkak të refuzimit të besimit. Ata janë disa njerëz që nuk besuan dhe se All-llahu xh.sh. e dinte se të tillëve është njësoj ua tërhoqe vërejtjen apo, për ta është një lloj. Për këtë arsye Komentuesi i Kur’anit, Seid Hava, gjatë shpjegimit të këtij ajeti sjell edhe mendimin e Ebu mensur El Maturidiut i cili thotë: “Pabesimtari-Kafiri pasi nuk dëgjoi fjalët e vërteta, ai nuk shikoi në veten e tij e as atë që e rrethon rreth tij nga krijesat për të parë gjurmët dhe shenjat e Krijuesit, që të kuptojë se këto krijesa janë edhe krijuesin e vet, atëherë patjetër të kenë perde në sytë e tyre.[9]

 

[1] Tefsir Et-Taberij 1/84, Tefsir El kurtubij, 1/184.

[2] Tefsir El Kurtubi, 1/184.

[3] Hf. Ibrahim Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kur’ani Kerimit f.41, Tiranë, 2005.

[4] Tefsiri Ibni Kethirit, në gjuhën shqipe, 1/108.

[5] En-Nisa : 155

[6] El Xhamiu li Ahkamil Kur’an, 1/188.

[7] El En’amu : 46

[8] El Mulku : 23

[9] Seid Hava, El Esasu fi et-takva, 1/69.

Shkrime të ngjashme