Shkruan: Jusuf Zimeri

Shpërblimi i besimtarëve punëtor

All-llahu xh.sh. thotë:

وَبَشِّرِ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ كُلَّمَا رُزِقُوا مِنْهَا مِن ثَمَرَةٍ رِّزْقًا قَالُوا هَـٰذَا الَّذِي رُزِقْنَا مِن قَبْلُ وَأُتُوا بِهِ مُتَشَابِهًا وَلَهُمْ فِيهَا أَزْوَاجٌ مُّطَهَّرَةٌ وَهُمْ فِيهَا خَالِدُونَ ﴿٢٥

  1. “E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në Xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me te u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë”.

Meqë në ajetet që ishin para këtij ajeti, All-llahu xh.sh. sqaroi për ndëshkimin e atyre që refuzuan të besojnë në All-llahun xh.sh. në Muhamedin [Alejhis-selam] dhe në atë që i shpallej atij, tani në vazhdim All-llahu xh.sh. urdhëron të Dërguarin e Tij që të përgëzoj palën e besimtarëve me xhenete të këndshme dhe me begatitë e xhenetit, ata që besuan në All-llahun Një, besuan në Pejgamberin [Alejhis-selam] dhe në atë që i shpallej atij, dhe mësimet hyjnore nuk i lanë të mbyllura vetëm në fushën e besimit, por të njëjta i implementuan edhe në praktikë. Metodologjia kur’anore që sa sa herë të përshkruhen ndëshkimet për pabesimtarët, menjëherë të përshkruaj edhe begatitë për besimtarët është një princip hyjnor që lenë gjurmë të thella te ndjenja, te shpirti i besimtarit islam, sepse vlerat e një sendi më së miri njihet me të kundërtën e saj.

All-llahu xh.sh. thotë: ( وَبَشِّرِ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira). Nocioni “beshir بشر“ është imperativ për përgëzim, që në aspektin gjuhësor nënkupton: informim të dikujt për diçka që e gëzon.[1] Ibrahim Dalliu termin “Bisharet- sihariq” thotë se quhet lajmi gazmor që jepet herën e parë[2]. Mirëpo nocioni “Beshir-përgëzo” në Kur’anin fisnik në disa raste vjen edhe në kuptimin e lajmërimit për punë të liga, edhe pse kjo formë synon nënçmimin, talljen, siç është rasti me ajetin Kur’anor ku thotë:

إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِآيَاتِ اللَّـهِ وَيَقْتُلُونَ النَّبِيِّينَ بِغَيْرِ حَقٍّ وَيَقْتُلُونَ الَّذِينَ يَأْمُرُونَ بِالْقِسْطِ مِنَ النَّاسِ فَبَشِّرْهُم بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“Ata që mohojnë argumentet e All-llahut, mbysin pejgamberët pa farë të drejte, mbysin njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata

lajmëroi për një ndëshkim të dhembshëm e pikëllues”[3].

Në ajetin konkret urdhri për përgëzim i drejtohet drejtpërdrejtë Pejgamberit [Alejhis-selam], porse në këtë urdhër përfshihen edhe dijetarët dhe secilit që merret me çështjet e thirrjes islame.

All-llahu xh.sh. thotë: (الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ ata që besuan dhe bënë vepra të mira). Termi “Amenu –kanë besuar” në kuptimin gjuhësorë do të thotë: “bindje me zemër.” Kurse në atë të Sheriatit Islam ka kuptimin “bindje” e fortë me zemër, shprehja e atij besim ose asaj bindje përmes deklarimit me gjuhë dhe konfirmimi me vepër. Prandaj, besimtari islam nuk ka për obligim që vetëm të dëshmojë shehadetin “lailahe il-lall-llah Muhamedun resulull-llah” por ka obligim edhe të veprojë, dhe atë veprime të kontrolluara komfor normave të besimit dhe të sheriatit islam.

Nocioni (وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ vepra të mira) janë ato vepra të pëlqyera në islam që kryhen me bindje, dituri, durim vetëm për hir të All-llahut dhe që janë në harmoni të plotë me sheriatin islam. Janë ato veprime që janë frytdhënëse, veprime kreative që i bëjnë mirë individit dhe shoqërinë njerëzore dhe nuk i dëmtojnë ata. Bashkëngjitja e punës së mirë me besimin, si në këtë ajet ashtu edhe në shumë ajete tjera të Kur’anit, nënkupton se njeriu nuk e fiton të drejtën e përgëzimit vetëm me besimin, por duhet të bëjë edhe punë të mira, sepse besimi është themeli, kurse punët e mira janë ndërtesa që ngrihet mbi këtë themel, kështu që nuk vlen njëra pa tjetrën.[4]

Imam Sha’araviu kur shpjegon këtë ajet, thotë: Kur u përhap islami në fillim, intenca e tij nuk ishte thjesht që njerëzit vetëm të besojnë me një besim pa praktikë, porse kërkonte që besimi të ndërlidhet me lëvizjet e jetës, me metodologjinë e islamit, që njerëzit të dinë se islami nuk është vetëm shprehje, por është veprim, sistem që duhet të funksionoj.

Për besimtarët me iman- besim të shëndoshë dhe që kanë një thesar të çmuar të veprimtarisë së mirë e konstruktive, All-llahu xh.sh. i uron dhe përgëzon me këtë shpërblim.

أَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ata do të jenë në Xhennete në të cilët rrjedhin lumenj” Nocioni “xhen-nat” i përmendur në ajet, është shumësi i “Xhenetun” që ka kuptimin e kopshtit të mbushur me druaj, fryte, ujera dhe të mira e begati tjera. All-llahu xh.sh Xhenetin e përmendi në shumës, sepse ato janë të shumtë dhe të llojllojshëm. Ekziston Xheneti firdevs, Xheneti Adn, Xheneti Neim, Darul Huldi, Daru es-selam, Xhenetul Me’va, Xheneti Il-lijun etj.

All-llahu xh.sh. përmes këtij ajeti vërtetoi se shpërblimi i atyre që besuan dhe bënë vepra të mira në këtë botë, në botën tjetër do të jenë xhenenet ku lumenjtë rrjedhin nën drunjtë dhe dhomat e tyre si dhe tjera begati për besimtarët islam. Këtë e vërteton edhe transmetimi i Ebu Hurejres i cili ka thënë: I Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë:

أَنْهَارُ الْجَنَّةِ تَفَجَّرُ مِنْ تَحْتِ تِلالِ ، أَوْ مِنْ تَحْتِ جِبَالِ الْمِسْكِ ”

Lumenjt e xhenetit burojnë nga nën kodrat, apo nga nën kodrat e miskut”[5]

Përderisa përshkruan se në xhenet ka lumenj, pemë dhe fryte, nënkupton se atje ka bukuri dhe kënaqësi shpirtërore dhe fizike. Ka ushqime të mrekullueshme, të pastra që për asnjë çast nuk e dëmtojnë organizmin e njeriut. Atje nuk ka derte, gajle, trauma, strese, e as sëmundje e pleqësi.

All-llahu xh.sh. vazhdon e thotë: (كُلَّمَا رُزِقُوا مِنْهَا مِن ثَمَرَةٍ رِّزْقًا قَالُوا هَـٰذَا الَّذِي رُزِقْنَا مِن قَبْلُ وَأُتُوا بِهِ مُتَشَابِهًا Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me te u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Meqë në Xhenet ka pemë dhe fryte me të cilat besimtarët islam ushqehen, sa herë që u prezantohen atyre ato ushqime, ata thonë: “Ky është që me të, u ushqyem edhe më parë” në jetën e kësaj bote. Mirëpo sa ti shijojnë ato ushqime, pemë dhe perime menjëherë vërejnë se ato kanë shije krejtësisht tjetër nga shija e tyre në këtë botë, dhe binden se ato pemë e perime vetëm i përngjasin në formë pemëve dhe perimeve të kësaj bote, por jo edhe në shije e kënaqësi. Ato janë ushqime që i përngjasin ushqimeve t kësaj bote, por nuk janë të njëjta. Ibni Abasi r.a. thotë: “Në këtë botë nuk ka asgjë nga Xheneti përveç emrave”[6] Imam Taberiu thotë: “Interpretimi më me prioritet është interpretimi i atij që thotë: u sillet ushqim i ngjashëm në ngjyrë,, shikim, por i ndryshëm në ngrënie dhe shije”.[7]

Prej çështjeve dhe sekreteve që beson besimtari islam ashtu siç na ka informuar All-llahu xh.sh. është se në Xhnet do të ketë edhe bashkëshorte nga Huritë (Hurul In).

All-llahu xh.sh. thotë: وَلَهُمْ فِيهَا أَزْوَاجٌ مُّطَهَّرَةٌ وَهُمْ فِيهَا خَالِدُون “Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë”.

Mirëpo edhe pse Hurit janë bashkëshorte të bukura, të pasta dhe të freskëta, ekzistojnë transmetime që vërtetojnë se femrat e kësaj bote që janë besimtare, ditën e kiametit janë më të bukura se hurit për të cilat në kur’anin fisnik thuhet:

إِنَّا أَنشَأْنَاهُنَّ إِنشَاءً ﴿٣٥﴾فَجَعَلْنَاهُنَّ أَبْكَارًا ﴿٣٦﴾ عُرُبًا أَتْرَابًا ﴿٣٧

“Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e vet), të një moshe”.[8]

Kjo vërtetohet edhe me hadithin që e regjistron Imam Termidhiu me transmetim nga Ummu Seleme e cila ka thënë: E pyeta duke i thënë: O i Dërguari i All-llahut, a gratë e kësaj bote janë më të mira, apo Huritë (e xhenetit). Tha: “ Gratë e kësaj bote janë më të mira se huritë (e xhenetit)”

Ajeti kur’anor përfundon duke thënë: وَهُمْ فِيهَا خَالِدُونَ aty do të jenë përgjithmonë” do të thotë se xheneti për besimtarët islam është vendbanimi i përhershëm, aty nuk ekziston vdekja, e ashtu edhe për pabesimtarët xhehenemi është vendbanim i përhershëm.

[1] Taha Ed-Dure,Tefsirul kur’anil kerim, i’rabuhu ve bejanuhu, 1/57.

[2] H. Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kur’ani Kerijmit, f.59.

[3] Suretu Ali Imran: 21.

[4] H. Dalliu Ibrahim, Ajka e kuptimeve të Kur’ani Kjerimit, f.59.

[5] Ibni Ebi Hatim.

[6] Zuhjli, Vehbe – Tefsirul Munir, 1/115

[7] Tefsiru Et-Taberij, 1/135.

[8] Suretu ElVakia: 35-37.

Shkrime të ngjashme