Therja e kurbanit për fëmijë – Akika

Pyetja:Esselamu alejkum!
Ju përshëndes dhe ju përgëzoj për kontributin tuaj. Kam një pyetje lidhur me kurbanin e Akika’s: Pse për djalin e porsalindur theren dy kurbane e për vajzën një?

Përgjigjja:Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, kurse salevatet dhe selamet mbi Muhamed Mustafan s.a.v.s, mbi familjen e tij, sahabët, dhe mbarë besimtarët islam.

I nderuar, fillimisht të theksoj se sipas medh’hebit hanefi, kurbani për lindjen e fëmijës që quhet “El-Akikatu” është i lejuar, por jo edhe i preferuar apo i rekomanduar. Ky mendim mbështetet në faktin se ligjësimi i kurbanit ka abroguar të gjitha kurbanet e tjera, përfshirë edhe kurbanin të quajtur Akika. Ky abrogim mbështetet dhe vërtetohet me fjalën e Aishes r.a., bashkëshortes së Pejgamberit s.a.v.s., e cila ka thënë: “Kurbani (që theret Ditën e Bajramit) ka abroguar të gjitha therjet para saj.”
Kurbani i Akika’s theret ditën e shtatë të lindjes së fëmijës. Sipas mendimit të Imam Malikut për Akikan theret një dele si për mashkull ashtu edhe për femër. Ky mendim mbështetet në hadithin e Ibni Abasit ku thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka prerë për Hasanin dhe për Husejnit (nipat e tij) nga një dash për secilin. E ky është mendimi edhe më racional edhe më i lehtë. Kurse sipas shafive dhe hanbelive për fëmijën mashkull theren dy kurbane e për femrën një. Ky mendim mbështetet në hadithin e Aishes r.a. e cila ka thënë: “Jemi urdhëruar që për vajza të therim një kurban, kurse për djemtë dy kurbanë.” Pra i nderuar, shkurtimisht ky është qëndrimi i dijetarëve islam (fukahave rreth kurbanit të Akika’s).

Vallahu ealem.

____________
Jusuf Zimeri
Shkurt, 2010
www.breziiri.com

Shkrime të ngjashme