Haxh-xhi Bedel – Dispozita të shpërndara

Autor: Jusuf ZIMERI

Me qenë se haxh-xhi bedel, kryhet për tjetrin e jo për vete, atëherë i autorizuari për kryerjen e këtij haxh-xhi duhet në përpikshmëri ti përmbahet porosisë nga i cili autorizohet dhe nuk guxon të ndryshojë porosinë sepse po nuk iu përmbajt porosisë atëherë bartë përgjegjësinë morale dhe fetare si dhe pasojat materiale

Një nga pesë shtyllat esenciale të islamit mbi të cilat ngrihen dhe ndërtohen dispozitat praktike të jurisprudencës islame është Haxh-xhi. Haxh-xhi për dallim nga adhurimet- ibadetet tjera është obligim jetësor, që nënkupton se besimtari islam i cili i plotëson kushtet e obligueshmërisë së haxh-xhit, shkarkohet nga ky obligim, nëse atë e kryen vetëm një herë në jetën e tij.

Sipas parimeve të përgjithshme të jurisprudencës islame, të gjitha format e adhurimeve për nga forma dhe mënyra e zbatimit të tyre kryesisht ndahen në tre lloje që janë;

a – Adhurimet që kryerja e tyre ka karakter trupor – fizik, siç janë namazi dhe agjërimi, në këto lloje të ibadetit dijetarët islam janë unik se nuk lejohet zëvendësimi, sepse qëllimi i këtij ibadeti është ndjeshmëria dhe lodhja fizike e kjo nuk arrihet me  zëvendësim.

b – Adhurimet që kryerja e tyre ka karakter të pastër ekonomik siç janë dhënia e zeqatit, kefareteve, kurbaneve, sadekave të ndryshme etj, dhe juristët islam janë unik në mendimet e tyre se zëvendësimi është i lejuar islamikisht në këto lloje të ibadeteve, sepse qëllimi i tyre është dobia e tjerëve, andaj me zëvendësim arrihet ky qëllim.

c – Adhurime të cilat në kryerjen e tyre kombinohet elementi trupor fizik dhe ai ekonomik, siç është haxh-xhi, andaj edhe në kryerjen e këtij lloji të ibadetit lejohet zëvendësimi por me kushte të veçanta që do të përmenden më pas.

Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, personi të cilit i është bërë obligim (farz) haxh-xhi porse për zbatimin e tij praktik nuk ka mundësi fizike për shkak të sëmundjes apo pleqësisë e ndoshta edhe vdekjes së tij, lejohet kryerja e haxh-xhit për te nga dikush tjetër, pra të bëhet zëvendësimi. Nga kjo nënkuptohet se zëvendësimi lejohet vetëm në rastet e pamundësisë së zbatimit personalisht, kurse në rastet e mundësisë nuk lejohet zëvendësimi. Pra që kryerja e haxh-xhit të zëvendësohet me dikë tjetër kushtëzohet me pamundësinë që zgjatë deri në vdekje, dhe zëvendësimi për haxh-xh pas vdekjes i bazuar në testament.

Nga kjo që u tha deri tani nënkuptohet se haxh-xhi bedel sipas fukahave hanefij mund të bëhet për personin i cili jeton dhe i ka plotësuar kushtet e obligueshmëris së haxh-xhit por nuk i plotëson kushtet e zbatimit të haxh-xhit, që nënkupton se haxh-xhi për te është farz, por zbatimin nuk mund ta përballoj, ose për personin i cili haxh-xhin e ka pasur obligim – farz porse ka vdekur para se ta kryejë këtë obligim.

Argument për lejimin e zëvendësimit të haxh-xhit nga dikush tjetër që në terminologjin e sheriatit njihet me termin Haxh-xhi Bedel është hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi dhe të tjerë ku thuhet: Një grua nga fisi Hath’am i kishte thënë të dërguarit të All-llahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme): O i dërguari i All-llahut, Vërtetë babait tim i është bërë obligim (farz) haxh-xhi, porse ai është në moshë shumë të shtyer dhe nuk mund të qëndrojë mbi shpinën e devës në udhëtim. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: “Bëre ti haxh-xhin për te”.

Në një hadith tjetër të transmetuar poashtu nga ibni Abasi r.a. thuhet: kishte ardhur një grua nga fisi Xhuhejne te pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) dhe i kishte thënë: Vërtetë nëna ime kishte premtuar të bëjë haxh-xhin, por nuk shkoi në haxh-xh dhe kishte vdekur, a të bëjë haxh-xhin për te ? Pejgamberi s,a.v.s. tha: Po, bëre haxh-xhin për te, si mendon nëse nëna jote do ti kishte borxh dikujt, a do t’ia kishe spaguar ate, kurse borxhi i All-llahut është më prioritar për shpagim”.

Këto hadithe të Pejgamberit s.a.v.s në mënyrë të qartë na bëjnë me dije se kryerja e haxh-xhit për të tjerët pavarësisht se bëhet fjalë të moshuarin në moshë që nuk ka mundësi udhëtimi apo edhe për të vdekurin është veprim i lejuar sipas normave islame.

Kushtet e haxh-xhit bedel.

Dijetarët – fukahat e medhhebit hanefij për lejimin e haxh-xhit bedel që ai të jetë i vlefshëm dhe të arrij frytin e tij përveç kushteve primare për çdo adhurim që janë Islami, mosha-puberteti dhe mendja, për haxh-xhin bedel kanë kushtëzuar disa kushte shtesë që janë:

1. Nijeti i haxh-xhit nga i autorizuari të bëhet për personin të cilin e zëvendëson, sepse i autorizuari haxh-xhin e kryen për tjetrin e jo për veti, andaj patjetër duhet theksur” e bëra nijet haxh-xhin për filanin” Ajo që më së paku plotëson kushtin në këtë rast është nijeti zemërorë.

2. Personi i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e haxh-xhit, duhet që vërtetë të jetë i pa mundur për kryerjen e haxh-xhit, sepse po qe se ai ka mundësi vetë për kryerjen e tij, atëherë haxh-xhi i bedelit është i pavlefshëm. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve islam, me përjashtim të Malikive të cilët në asnjë mënyrë nuk lejojnë haxh-xhin bedel për personin i cili është i gallë.

3. Pamundësia e kryerjes së haxh-xhit duhet të vazhdojë deri në vdekje, sepse nëse evitohet pamundësia dhe kthehet në gjendje të rëndomtë, atëherë haxh-xhi bedel është i pa vlefshëm dhe ai personalisht duhet ta kryej haxh-xhin.

4. Personi i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e haxh-xhit në vend të tij, duhet ta ketë obligim haxh-xhin, sepse po nuk e pati haxh-xhin obligim, haxh-xhi bedel nuk konsiderohet i vlefshëm. Nga kjo nënkuptohet se nëse një njeri i cili nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe haxh-xhin nuk e ka obligim porse e autorizon dikë për kryerjen e haxh-xhit bedel, kurse më vonë vjen deri te pasuria, haxh-xhi bedel konsiderohet i pa vlefshëm dhe ky duhet përsëritur haxh-xhin.

5. Të gjitha shpenzimet apo shumica e tyre që i bënë bedeli për kryerjen e haxh-xhit duhet të jenë nga pasuria e atij që e autorizon me haxh-xh bedel, me përjashtim kur trashëgimtari nga vet pasuria e tij në mënyrë vullnetare shpenzon për atë që nga ai ka trashëguar. Nëse haxh-xhi bedel kryhet në bazë të testamentit – vasietit nga i vdekuri, dhe për te ka përcaktuar pasuri dhe vendin prej ku duhet ti krhet haxh-xhi, atëherë veprohet sipas testamentit, e nëse në testament nuk ka përcaktuar asgjë as për pasurinë e as për vendin, haxh-xhi duhet ti kryhet nga vendi i të vdekurit dhe nga  1/3 e pasurisë së tij, ose nga vendi prej ku mjafton pasuria e tij për ta kryer haxh-xhin. Nga kjo nënkuptohet se për haxh-xhin bedel që është farz, ai duhet të kryhet nga vendi që i është bërë farz e jo nga ndonjë vend tjetër, duke u bazuar në analogjinë – Kijasin me namazin.

6. Personi i cili autorizohet me kryerjen e haxh-xhit bedel, duhet që haxh-xhin ta kryej personalisht dhe nuk posedon të drejtën që për kryerjen e këtij haxh-xhi të autorizoj dikë tjetër, me përjashtim nëse për këtë e lejon autorizuesi. Në rastin e parë nëse i autorizuari pa lejen e autorizuesit e obligon dikë tjetër për kryerjen e këtij haxh-xhi, ky haxh-xh është i pa vlefshëm, kurse i autorizuesi bartë përgjegjësi fetare dhe morale si dhe pasojat materiale duke kompensuar harxhimet për autorizuesin e parë.

7. Personi i cili autorizohet të kryej haxh-xhin bedel, duhet të ketë kryer haxh-xhin e tij për vete, ngase nuk lejohet të shkohet për tjetrin në haxh-xh nëse ate nuk e ka kryer për vete. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve islam, i cili mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi r.a. ku Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) e kishte dëgjuar njërin duke thënë “Lebejke an Shubreme” Pejgamberi e pyeti: Kush është Shubreme ? Ai iu përgjigj: Një vëlla i imi. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: a e ke bërë haxh-xhin për vete ? Tha jo. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i tha: Bëre haxh-xhin për vete, e pastaj për Shubremen. Në këtë çështje distancohen dijetarët e medhhebit hanefij të cilët lejuan shkuarjen në haxh-xh për tjetrin pa e kryer këtë obligim për vete, porse ky veprim është i urrejtur – Mekruhi tahrimen. Dijetarët hanefij mendimin e tyre e ndërtojnë në përgjithshmërinë e hadithit të Hath’amit sepse pejgamberi a.s. i kishte thënë: Bëre haxh-xhin për babanë tënd, pa e pyetur se ajo kishte bërë haxh-xhin për vete apo jo. Megjithatë edhe dijetarët hanefij këtë veprim nuk e preferuan, porse këtë veprim e lejuan me urrejte të rëndë duke e afruan shumë afër haramit.

8. I autorizuari duhet të niset për në haxh-xh nga vendi ku ka jetuar personi që e ka autorizuar nëse për këtë mjafton 1/3 e pasurisë së tij, e nëse nuk mjafton 1/3 e pasuris së të vdekurit atëherë i autorizuari haxh-xhin e kryen prej vendit ku mjafton pasuria e tij.

9. Nëse haxh-xhiu që shkon bedel për tjetrin, gjatë haxh-xhit kryen ndonjë veprim që e prishë haxh-xhin tërësisht, atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi personin e autorizuar dhe i njëjti ka për obligim që shpenzimet ti kompensoj autorizuesit në mënyrë që ai të keë mundësit a përsërisë atë. Gjykohet kështu ngase i autorizuari është autorizuar të kryej haxh-xhin e plotë, e jo haxh-xh të prishur. Në anën tjetër nëse haxh-xhiu bedel bënë ndonjë veprim që dëmton haxh-xhin dhe për përmirësimin e haxh-xhit, duhet therrë kurban apo ndonjë kefaret tjetër, bedeli është ai i cili kefaretet apo shpenzimet i bartë nga pasuria e tij.

10. I autorizuari për haxh-xhin bedel, duhet të bëjë nijet vetëm për një haxh-xh, pra nuk guxon të ketë më shumë se një bedel, andaj nëse një person autorizohet nga dy persona për kryerjen e haxh-xhit dhe i njejti bënë nijetin për të dy, haxh-xhi i tyre është i prishu kurse i autorizuari patjetër duhet të bartë përgjegjësi dhe pasojat materiale duke ua kompensuar të dyve shpenzimet e haxh-xhit.

11. I autorizuari për haxh-xhin bedel, është i detyruar të kryej atë lloj të haxh-xhit me të cilin është autorizuar, andaj nëse është autorizuar të kryej haxh-xhin Ifrad duhet të veproj sipas autorizimit, sepse nëse ai ka autorizim për ifrad dhe e bënë nijet për haxh-xhin Temet-tu ose Kiran, ky haxh-xh sipas ebu Hanifes është i pa vlefshëm dhe i autorizuari obligohet të kompensoj shpenzimet, sepse nuk i është përmbajtur porosis së autorizuesit. Megjithatë sipas mendimit të dy nxënësve të ebu Hanifes, imam ebu Jusufit dhe imam Muhamedit ky haxh-xh është i vlefshëm sepse vërtetë i autorizuari ka ndryshuar porosinë por ndryshimi është bërë ë të mirë, andaj edhe haxh-xhi është i vlefshëm.

Me qenë se haxh-xhi bedel, kryhet për tjetrin e jo për vete, atëherë i autorizuari për kryerjen e këtij haxh-xhi duhet në përpikshmëri ti përmbahet porosisë nga i cili autorizohet dhe nuk guxon të ndryshojë porosinë sepse po nuk iu përmbajt porosisë atëherë bartë përgjegjësinë morale dhe fetare si dhe pasojat materiale. Nga kjo nënkuptohet se personi i dëshiron të autorizoj dikë për kryerjen e haxh-xhit bedel, duhet të jetë vigjilent dhe të zgjedh personin i cili mirë i dinë rregullat dhe dispozitat e haxh-xhit bedel, të jetë i sinqertë dhe të dinë rolin dhe rëndësinë e përgjegjësisë. Këto çështje dijetarët islam i kanë elaboruar dhe shkoqitur në detaje, andaj edhe duhet përmbajtur këtyre rregullave.

Shkrime të ngjashme