Mulla Nazmi ef. Memeti, Mendjendrituri i luginës (1923-2012)

Shkruan: Prof. Jusuf  Zimeri

Mulla Nazmiu ka lind më 04.02. 1923 në fshatin Rahovicë të Komunën së Preshevës. Rrjedh nga një familje e devotshme myslimane ku, jo vetëm babai i tij por, edhe gjysh e stërgjysh ishin hoxhallarë.

Mësimet e para islame, respektivisht mësimin e shkronjave arabe dhe leximin e Kur’anit, siç potencon vetë ai në dorëshkrimet e tij, e ka mësuar te babai i tij që në moshën gjashtë vjeçare. Shkollën fillore katër vjeçare, në gjuhën serbe e kreu në fshatin e tij Rahovicë. Edhe këtë të dhënë e gjejmë në dorëshkrimet e tij ku thotë: “Kur i mbusha 7 vjet, u regjistrova  në shkollën katër vjeçare, kurse ajo ishte në gjuhën serbe, të cilën e kreva në vitin  1934 me suskes të shkëlqyeshëm”.  Në vitin 1935 mësimet fetare i vazhdoi te hoxhë Azem Strazha, Mulla Hamid Dobërshani dhe  hoxhë Hafiz Ali Efendiu. Në këtë periudhë kishte mësuar rregullat e drejtëleximit të Kur’anit (texhvidini). Gjithashtu kishte mësuar edhe morfologjinë dhe sintaksën arabe si dhe gjuhën osmane. Në vitin 1938 u regjistrua në Medresenë e Preshevës, myderriz i së cilës ishte Hfz. Nexhati efendi Ahmedi.  Në vitin 1947 sistemi komunist e kishte mbyllur këtë medrese, mirëpo myderrizi i saj Hfz. Nexhatiu mësimdhënien e vazhdoi në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e tij apo diku tjetër afër shtëpisë së tij. Kështu që Mulla Nazmiu dhe shumë hoxhallarë tjerë mësuan në këtë medrese dhe te ky hoxhë i njohur dhe aktiv, derisa kjo medrese ishte e hapur por edhe pas mbylljes së saj, ata vazhduam mësimet e tyre tek Hzf. Nexhatiu derisa ata diplomuan, respektivisht, morën Ixhazen, e në mesin e atyre që diplomuan ishte edhe Mulla Nazmiu, në vitin 1958, me sukses të shkëlqyeshëm. Mulla Nazmiu në bazë të planprogramit të Medresesë kishte mësuar gjuhën arabe, Kur’anin, tefsirin, hadithin, shkencat e kur’anit, fikhun, suli fikhun, akaidin, filozofinë islame siren etj. Për t’u specializuar në këto lëndë dhe për të marrë ixhazetin, Mulla Nazmiu te hoxha i tij ndjek mësimet plotë njëzetë vjet (1938 -1958).

Mulla Nazmi ef. Memeti posedonte një kulturë të lartë le leximit dhe studimit të shkencave të ndryshme. Këtë e dëshmon fakti se në bibliotekën e tij personale, që ishte shumë e pasur me literaturë, nuk kishte mundësi që të zgjasësh dorën të kapësh cilëndo libër, e ta shfletosh e të mos gjesh shënime dhe analiza brenda librit, që i kishte bërë mulla Nazmiu. Kjo argumenton se ai nuk ishte vetëm lexues i thjeshtë i librit, por ishte studiues dhe meditues. Këtë ia mundësonte edhe kapaciteti i tij intelektual për njohjen e gjuhëve të shumta që konsiderohen gjuhë të shkencave islame. Mbi të gjitha ai ishte njohës i mirë i gjuhës shqipe, ligjëronte me një gjuhë të pastër shqipe dhe njihte shumë mirë terminologjinë shkencore. Përveç gjuhës së nënës dhe gjuhëve të vendit, serbishtja dhe boshnjakishtja, ai ishte njohës shumë i mirë i gjuhës arabe, në veçanti i sintaksës dhe morfologjisë arabe, që i jepte mundësinë të lexojë, të shkruaj rrjedhshëm dhe të kuptojë saktë tekstet autentike islame. Poashtu njihte mirë dhe në detaje edhe gjuhën osmane (turke) si dhe gjuhën persiane.

Nazmi ef. Memeti, apo siç njihej në luginë e më gjerë me emrin Mulla Nazmiu,  ishte një njeri me principe të pa luhatshme fetare, shkencore dhe atdhetare. Parim i tij jetësor ishte dhe ngeli besnik ndaj këtij parimi deri në vdekje, që asnjëherë të mos lejojë pazarllëqe në emër të kompromisit në dëm të fesë, shkencës dhe atdheut. Përkushtimi i tij ishte që të jetë besnik ndaj të vërtetës, të ruaj vlerat humane dhe të luftojë të pa vërtetën dhe antivlerën. Ndiente nervozizëm dhe shqetësim të madh, kur dikush devijonte të vërtetën, ose tentonte të rrënojë vlerat fetare, shkencore dhe kombëtare.

Mulla Nazmiu, vërtetë ishte një erudit i madh, jo vetëm i shkencave islame, por njihte mirë edhe shkencat tjera si sociologjinë, filozofinë, drejtësinë dhe shumë fusha tjera. Ai me vëmendje përcillte rrjedhat dhe lëvizjet edhe politike e sociale në glob. Përcjelljen e shtypit ditor, gazetat dhe revistat vendit si në gjuhën serbe ashtu edhe shqipe, i kishte bërë detyrim vetes së tij, prandaj ishte parapagues i rregullt i Rilindjes, derisa sa ajo ka ekzistuar. Ai ishte parapagues edhe i revistave tjera. Çdo muaj i arrinin revista të ndryshme nga qendrat islame, e veçmas nga Kajroja, Stambolli dhe Sarajeva. Kjo i mundësonte hoxhës që të jetë në rrjedha dhe të informohet për rrjedhat globale dhe lëvizjet qofshin ato politike apo fraksionare. Ai njihte mirë edhe historinë dhe lëvizjet e popullit shqiptar, depërtimin e islamit në trojet tona,  gjendjen e tyre politike, ekonomike dhe sociale të tyre. Prandaj ishte kategorik në ruajtjen e vlerave dhe parimeve të shëndosha që formojnë fuqinë, sepse sipas tij, fraksionizmi i myslimanëve dhe shqiptarëve në ideologji të ndryshme, nuk rezulton me asgjë tjetër përveç se myslimanët dhe shqiptarët të shndërrohen në kafshatë e lehtë për hienat e tërbuara. Njihte mirë edhe ideologjitë dhe filozofinë politike, prandaj ishte i mendimit se Kosova nuk mund të marrë frymë lirshëm pa u hequr qafe dora e zezë komuniste në Shqipëri. Ai e dinte mirë se ardhmëria e tokave shqiptare është Evropa, sepse fizikisht qëndrojmë këtu, i dinte mirë edhe vlerat por edhe rreziqet evropiane. Prandaj këtë e deklaroi publikisht para popullit dhe kamerave me rastin e referendumit të Luginës së Preshevës,  organizuar më 1-2 mars 1992 ku hoxha qartë e shkurtë, me figurë dhe zë deklarohet duke thënë: “Këtë popullatë që po e shihni këtu sot, është tubuar për Referendum për tri komunat (Presheva, Bujanovci dhe Medvegja) që do të votojmë. Jemi për autonomi territoriale dhe politike për shqiptarët, mandej për bashkëngjitje të kësaj popullate të këtyre trevave me Republikën e Kosovës dhe pastaj të bashkohemi me Evropë, dhe kështu do të bashkojmë popullin shqiptar”.

 Mulla Nazmiu me një diapazon të gjërë të njohurive të përgjithshme, është shumë vështirë të përcaktosh profilin e tij, se ishe më shumë akaidolog, fekih, mufesir apo diç tjetër.  Në sferën e akaidologjisë, ishte shumë i përkushtuar dhe i pa kompromis në ndjekjen e mësimeve nga shkolla maturidie dhe esharite. Kundërshtar i pa shoq i mu’tezilëve dhe fraksioneve tjera të shkëputura nga Ehli Suneti. Ishte alergjik dhe shprehte neveri ndaj ideve reformiste të cilët reformat i zhvillonin në kurriz të islamit. Lëvizjet sektare siç i quante ai, që po sjellin kinse risi në vendet tona me theks të veçantë vehabizmin që mbulohet me petkun e selefizmit si dhe shiizmin  që mbulohet me petkun e dashurisë së familjes së pejgamberi a.s. i shihte si elemente destruktive dhe përçarëse të myslimanëve tonë.

Në sferën e shkencave të fikhut ishte ndjekës dhe ithtar i medhhebt hanefij. Nuk lejonte që çështjet (meselet) të zbatohen sipas medhhebeve tjera, sepse ai konsistonte në faktin se medhhebi hanefij ka zgjidhje për të gjitha çështjet, e veçanërisht në sferën e adhurimeve (ibadeteve). Ai njihte mirë edhe medhhebet tjera, si atë, malikij, shafij, dhe hanbelij, edhe ato i respektonte pa masë, por betejën e kishte me ata që quhen jomedhhebist, ata që nuk respektojnë asnjërin prej medhhebeve të ehli sunetit.

Krahas veprimtarisë Mulla Nazmiu si imam, vaiz dhe mualim në fshatin e tij në një periudhë prej 45 viteve,  ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe në sferën e përgatitjeve kadrovike të imamëve. Ai Shtëpinë  e tij, për një kohë bukur të gjatë e kishte shndërruar në medrese. Shtëpinë e tij, për të mësuar leximin e Kur’anit, e kanë frekuentuar me qindra nxënës, por shumë prej tyre që morën mësime nga Mulla Nazmiu mbi dyzetë (40) u përgatitën edhe për kryerjen e detyrave fetare. Prandaj, atyre që kryen detyrën e imamit nëpër xhami të ndryshme, si në Luginën e Preshevës, në Gjilan, Kumanovë dhe vende tjera janë: Mulla Sadri ef. Shaqiri, Llojan Kumanovë, Dr. Qazim Qazimi, hfz. Alushi nga fshati Llovcë – Gjilan, hfz. Mustafa nga fshati Llovcë – Gjilan, hfz. Sadrija nga fshati Malishevë – Gjilan, hfz. Mejdia nga fshati Bukoviq – Gjilan, hfz. Mizaferi nga fshati Tërnovc, Mulla Qemali – Preshevë, Mulla Zekirjai – Zhunicë, Preshevë, Mulla Zija ef, Jashari -Çerkez – Kumanovë, Mulla Mustafa nga fshati Bukuroc – Preshevë.

Më duhet patjetër të theksoj një fakt shumë të rëndësishëm, se Mulla Nazmiu në bibliotekën e tij personale pas veti ka lënë mbi njëmijë faqe dorëshkrime të ndryshme në gjuhën shqipe dhe arabe, prandaj ia vlen që studiuesit e rij të kërkojnë dhe hulumtojnë ato shkrime, për të nxjerrë në pah personaliteti i Hoxhës Nazmi ef. Memetit.

Për në fund, i litemi Allahut xh.sh. që hoxhën dhe mualimin tonë Mulla Nazminë, Allahu ta ketë pranuar në mëshirën e Tij, dhe  ta shpërbejë me Xhenneti Firdevs.

Shkrime të ngjashme