Shkruan: Jusuf Zimeri

Urdhri për adhurim All-llahun Një

All-llahu xh.sh. thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿٢١

  1. ” U ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush! Kështu padyshim do të bëheni të devotshëm (të shpëtuar)”.

All-llahu xh.sh. përmes ajeteve e para të sures El Bekare, siç theksuam edhe më parë, se pesë ajetet e para shpjeguan fillimisht cilësitë e besimtarëve islam, pastaj dy ajetet me radhë shpjeguan për cilësitë e pabesimtarëve kurse trembëdhjetë ajetet me radhë shpjeguan për cilësitë dhe gjendjen e hipokritëve. Kjo qartë na jep të kuptojmë se Kur’ani fisnik përmes këtyre ajeteve foli për tri kategori të njerëzve, që janë besimtarët e sinqertë, pabesimtarët dhe hipokritët. Tani me ajetin 21 të kësaj sureje, All-llahu xh. sh. i fton që të gjithë si qenie njerëzore me thirrjen “U ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush ashtu, që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).”

Kur All-llahu xh.sh. fton njerëzit përmes Kur’ani kerimit, një ftesë e tillë ngelë e hapur dhe valide për çdo kohë dhe vend prej momentit të zbritjes së atij ajetit, e deri ditën e gjykimit. Në këtë rast ftesa e All-llahut xh.sh. është bërë enkas për adhurim, për besim në All-llahun Një. Ky urdhër është gjithëpërfshirës që ju drejtohet gjithë njerëzve për një çështje të caktuar.

All-llahu xh.sh. me madhërinë e tij i fton njerëzit drejtpërdrejtë në adhurim për tri arsye:

  1. Për të gëzuar dëgjuesit besimtarë,
  2. Për ti rritur rëndësinë adhurimit,
  3. Për të mbyllur vendin e mundimit që shkakton adhurimi me shijimin e adresimit të drejtpërdrejtë.[1]

O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush. Nocioni “Khaleka خلق“ ka kuptimin e krijimit, shpikjes nga asgjëja duke mos pasur ndonjë model të ngjashëm. Kështu ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush, baballarët, gjyshat dhe stërgjyshat tuaj, e që të gjithë ju të bashkoheni në adhurim, të falënderoni dhe t’i jeni mirënjohës Krijuesit tuaj, që të jeni të devotshëm, të çiltër. Pra, All-llahu xh.sh. sqaron arsyen se pse duhet adhuruar All-llahun si Një i vetëm, duke i përkujtuar se vetëm Ai është Zoti i tyre, i cili kujdeset për ta duke ju mundësuar mirësi të pafundme.

الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ فِرَاشًا وَالسَّمَاءَ بِنَاءً وَأَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقًا لَّكُمْ فَلَا تَجْعَلُوا لِلَّـهِ أَندَادًا وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ﴿٢٢

  1. “Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë)”.

Pasi që All-llahu xh.sh. na tregoi se Ai është krijuesi jonë nga hiqi, por Ai është edhe Krijues absolut edhe i Universit. Edhe më shumë se kjo, All-llahu jo vetëm që i krijoi, por i vendoi në shërbim të njeriut, duke thënë: (الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ فِرَاشًا وَالسَّمَاءَ Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm). Ai e bëri tokën për ju të qëndrueshme dhe të qetë, e bëri për ju shtrat ku do sistemoheni dhe do të gjeni prehje, kurse qielli e bëri kulm mbi ju që të jetë mburoje.

Vetë krijimi i tokës dhe i qiellit dhe mënyra e sistemimit dhe funksionimit të tare, janë argumente të pa mposhtura për ekzistimin e Krijuesit absolut. Njeriu përveç se është i krijuar nga toka, ai jeton dhe ushqehet nga toka, ai edhe gjen prehje dhe pushim në te. All-llahu xh.sh në nj ajet tjetër thotë:

الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ مَهْدًا

“Ai që tokën e bëri djep për ju”[2] Nocioni “mehdun” që do të thotë djepi ku flenë dhe qetësohet fëmija, ashtu edhe toka është djep ku pushojnë dhe prehen njerëzit. Në ajetin tjetër All-llahu xh.sh. thotë:

هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولًا فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِن رِّزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ

“Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja”[3]. Nga kjo nënkuptojmë se tokën All-llah xh.sh. e ka bërë të nënshtruar ndaj njeriut dhe ajo i jep njeriut ushqime të freskëta për të mbijetuar.

Pas këtij shpjegimi mbi tokën, All-llahu xh.sh. na e tërheq vëmendjen edhe qiellin mbi që kishte rolin e kulmit. Ishte kulm, por nuk kishte asnjë shtyllë që e mbante që të mos rrënohet. Këtë e vërteton edhe ajeti kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:

وَيُمْسِكُ السَّمَاءَ أَن تَقَعَ عَلَى الْأَرْضِ

“Ai mban qiellin të mos bjerë në tokë”[4]

Jo vetëm që toka ishte prehje për njerëzit dhe se qielli ishte kulm mbi kokë dhe i garantuar se nuk do të bjerë, por All-llahu xh.sh. tregon këto kanë edhe detyrime tjera ndaj njerëzve duke thënë: (وَأَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقًا لَّكُمْ e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju). Pra qielli përveç se është mbrojtës për ju, ai lëshon edhe shiun i cili ringjallë tokën dhe shkakton rritjen dhe prodhimin e fryteve, duke filluar nga drithërat, frutat, perimet etj. Këto janë “furnizim për ju”.

Komentuesit e kur’ani kerimit duke u ndalur në kuptimin gjuhësor të shprehjes “semaun” që nënkupton çdo gjë që gjendet mbi njeriun, thanë se në këtë ajet me nocionin “semaun” janë për qëllim retë që zbresin shiun[5]. Të gjitha këto mirësi All-llahu i ka krijuar për njerëzit, vetëm e vetëm që njeriu të përfitojë kënaqësi në këtë jetë.

Nga ky ajet kur’anor besimtari islam është i detyruar të kuptoj mesazhin që All-llahu xh.sh. na e përcjell përmes këtyre fakteve, në mënyrë që ne të ndalemi dhe të logjikojmë se kush e krijoi këtë univers. Të kuptojmë faktin se All-llahu xh.sh. para se të krijoi njeriun për të krijoi edhe parakushtet që ai të jetojë. Gjithashtu duhet të kuptojë se përveç që krijoi parakushte për jetë, ai krijoi edhe elemente për vazhdimësinë e jetës së njeriut në tokë.

Imperativi ndalues që vjen në fund të ajetit duke thënë: (فَلَا تَجْعَلُوا لِلَّـهِ أَندَادًا وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë)”. Pra, ju që jeni të mençur, që dini të mendoni e meditoni, ju që mësuat se tërë këto që i përmendëm, detyrimisht të kenë një krijues të vetëm, atëherë adhuroni All-llahun Një dhe mos i përshkruani shok e partner në adhurim. Pra, “duke qenë se ju e dini” të vërtetën, e dini se askush nuk mund ti afrohet All-llahut Një në aspektin e krijimit, furnizimit, rregullimit, sistemimit etj, atëherë nuk keni të drejtë të i përshkruani shok apo rival All-llahut xh.sh. Besimtari islam, është i vetëdijshëm se idhull tjetër që njerëzit e kanë konsideruar për Zot, nuk plotëson asnjë tipar të Zotit, ato janë tërësisht të pafuqishëm për sistemin dhe ruajtjen e vetes së tyre, e si do të ruajë njerëzinë dhe universin?!. Prandaj besimtari Islam nuk guxon për asnj moment ti përshkruaj shok apo rival All-llahut Fuqiplotë.

[1] H. Dalliu Ibrahim, Ajka e kuptimeve të Kur’ani kerijmit,f.54.

[2] Suretu Ez-Zuhruf : 10

[3] Suretu El Mulk : 15

[4] Suretul Haxh : 65

[5] Tefsiru Es-Sa’dij, 1/46

Shkrime të ngjashme